Arben Nela prokuror në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë ka dalë sot përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për tre kriteret bazë të Vettingut pasurinë, figurën morale dhe aftësitë profesionale. Nela ishte vetë i pranishëm përpara trupës së KPK, për t’u përballur me gjetjet ndaj tij. Trupa gjykuese përbëhet nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari.

Nela është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë çfarë e bën pjesë të listës prioritare. KPK ka evidentuar se prokurori Nela, në bazë të raportit të servirur nga ILDKPIK, ka bërë deklarim të pasaktë pasurie si dhe nuk ka burime të ligjshme.  

Për prokurorin Nela raporti i ILKPIK thotë se ka deklarim të pasaktë, s’ka burime të ligjshme, ka deklarim të rremë. Pas raportit bëmë hetim të thelluar për pasurinë. Prokurori ka një apartament 94 m2 në Rrugën “Frederik Shiroka” në Tiranë, blerë 41 mijë euro. Për këtë pronë ka deklarime të rremë si dhe deklarime të pasakta për një hua 20 mijë euro të marrë nga një individ, pa asnjë dokument. Ka apartament 136 m2 ndodhur në Lanabregas Tiranë. 

Nga hetimi për këtë pronë, trualli i ndërtesës tre katëshe ka mospërputhje në deklarimet e vitit 2011 dhe kërkesës së legalizimit, ka mungesë burimi të ligjshëm për blerjen e truallit. Kjo pronë s’është deklaruar nga viti 2003 e deri në 2009. Apartament 67 m2 në pronësi të bashkëshortes së tij, B.N.  Në deklaratën e pasurisë për këtë pronë, ajo thotë se e ka blerë duke i marrë hua motrës së suaj. Ky apartament ka kushtuar 52 mijë euro.   

Ka deklarime që nuk përputhen me ato vjetore dhe deklaratën e bërë në kuadër të procesit të Vettingut për këtë pronë. Gjithashtu, edhe për shumën 12 500 euro s’ka justifikim të ligjshëm si burim, as nga gruaja dhe as nga prokurorja.  

Raporti i KPK për prokurorin Nela

Vetë prokurori Arben Nela ka deklaruar përpara trupës së KPK se nuk ka fshehur pasurinë, ndërsa akuzoi ILDKPIK për shtrembërim të deklarimeve të tij.

Nuk kam bërë deklarim të rremë. Ato janë deklarime të vërteta, të sakta e në përputhje me ligjin. As unë dhe as bashkëshortja s’kemi bërë fshehje pasurie. Raporti i ILDKPIK është në kundërshtim me ligjin. Raporti me fakte të shtrembëruara qëllimisht. ILDKPIK ka përfshirë vëllezërit e mi në kundërshtim me ligjin, duke bërë interpretime të shtrembëruara për huamarrje. 

Arben Nela, prokuror i Tiranës