TIRANË - Prokuroria e Tiranës zbardh detaje nga shpërthimi i bombolës së gazit në ëmbëltoren te rruga “Don Bosko” që la 21 të plagosur, mes tyre klientë, personel, kalimtarë të rastësishëm dhe banorë të zonës. Sipas hetimeve paraprake, një nga punonjësit e lokalit (bar kafe ëmbëltore) nuk ka mundur të hapë dot rubinetin e bombolës dhe i ka kërkuar ndihmë pronarit Avdullah Dervishi. Në këtë moment ai ka konstatuar se ka pasur rrjedhje gazi dha ka thirrur me zë të lartë që të ulen automatet e rrjetit elektrik. Në këtë moment, - sqaron prokuroria, - ka ndodhur edhe shpërthimi i fuqishëm. Prokuroria thotë se do të jetë ekspertimi teknik ai që do të zbulojë se çfarë e shkaktoi shpërthimin e bomblës.
 
Prokuroria thekson faktin se në ëmbëltore kishte edhe 6 bombla gazi të përmasave të ndryshme të cilat fatmirësisht nuk shpërthyen, duke shmangur kështu një ngjarje edhe më tragjike. Ngjitur me murin  e këtij lokali, thotë organi i akuzës, ishin 2 soba gazi gatimi, pranë tyre tuba impianti të shpërndarjes së gazit.
 
Përmasat e shkatërrimit që la ky shpërthim ishin tragjike. Veç të lënduarve, dëmet materiale ishin të shumta.
 
Lokali u shkatërrua, dyert dritaret e ëmbëltores ishin të hequra dhe të thyera,  materiale  të pastiçerisë, pajisje të saj ishin të shpërndara dhe të hedhura në mënyrë të çrregullt në ambientin e lokalit dhe jashtë saj. Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe disa ambiente  banesash e biznese përreth vendit të ngjarjes duke ju shkaktuar dëmtime të  xhamave  të fasadave të dyerve, dritareve si dhe në ambientet e brendshme të  biznesit  përreth  lokalit “Bar Kafe Ëmbëltore“.
 
Këtë të martë, prokuroria i komunikoi arrestin në kushte spitalore pronarit të dyqanit të ëmbëlsirave. Sipas organit të akuzës, deri tani rezulton se shkak i shpërthimit ka qenë veprimi i pakujdesshëm i tij. A1 akuzohet për veprën penale “shkatërrim i pronës nga pakujdesia”. Në një intervistë për A1 Report, kreu i Shërbimit Zjarrfikës së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj tha se pronari i pastiçerisë i cili lufton me vdekjen në spital, goditi bombolën me çelës për të hapur rubinetin e çlirimit të gazit.  
 
Si rezultat i shpërthimit 21 persona janë plagosur dhe të tjerë janë duke marrë mjekim. Aktualisht ndodhen të shtruar në dy qendrat spitalore, 5 po marrin mjekim në QSUT dhe pronari i ëmbëltores dhe bashkëshortja e tij ndodhen tek spitali i djegies e plastikës. Këta të fundit janë duke marrë mjekimin intensive dhe sipas mjekëve gjendja e tyre duket e stabilizuar por ende nuk kanë dalë nga rreziku për jetën.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqitparja.com)