Në Agjencinë e Trajtimit të Pronave ka nisur kompensimi fizik dhe financiar për vendimet e dhëna në vitet 1993-1994. Pasi bëhet vlerësimi ekonomik nga Agjencia dhe shpallja përkatëse për një gjë të tillë në buletinin e posaçëm, ish-pronarët mund të aplikojnë me një set minimal dokumentesh.

“Janë thjesht dy deklarata noteriale, ku deklarohet se nuk kanë përfituar nga ligji 7501, apo nëse kanë përfituar ta deklarojnë këtë në forma të tjera kompensimi, gjatë kësaj periudhe 23 vjeçare të funksionimit të këtij procesi. Gjithashtu edhe dy dokumente të tjera si akte trashëgimie apo prokurë e posaçme”, tha drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronës Sonila Qato në një intervistë televizive.

Deri tani, sipas saj, janë vlerësuar dhe proceduar rreth 300 dosje të pronarëve, nga të cilat 34 kanë marrë kompensimin në masën 100 për qind.

Sipas Qatos, për tokën që ka qenë truall në momentin e shpronësimit do të bëhet kompensim financiar, ndërsa për atë bujqësore dhe pyjet kompensim fizik. “Kompensim financiar përfitojnë vendimet për kompensim që kanë njohur tokën truall në momentin e shpronësimit, ndërsa kompensim fizik do të trajtohen të gjitha tokat bujqësore, pyjet dhe kullotat, të cilat janë njohur si të tilla me vendim komisioni në momentin e shpronësimit të tyre”, tha Qato.
Agjencia e Trajtimit të Pronave ka deri më tani në dispozicon një fond financiar prej 24 milionë dollarësh dhe një fond fizik prej 23 mijë hektarësh. Që të dy fondet ne vitet që pasojnë pritet të rriten gradualisht.
 
Qeveria ka planifikuar që në janar të aplikojë akcizë plus për gazin e lëngshëm në nivelin 3 lekë për litër. Ministria e Financave ka arsyetuar se kjo masë ka qëllim përafrimin me standardet e BE-së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt. Duke llogaritur që importi vjetor i gazit të lëngshëm është rreth 100 mijë tonë në vit, efekti në të ardhurat buxhetore do të jetë 540 milionë lekë nga akciza dhe 107 milionë lekë nga TVSH, në total, 647 milionë lekë. Diferencimi i këtij produkti në raport me nënproduktet e tjera të naftës, bie ndesh me politikat e përafrimit gradual me nivelin e detyrueshëm minimal të taksimit që aplikohet në BE, argumenton ministria.
 
Bankat kanë përjetuar parë rënie të ndjeshme të fitimeve për 9 muajt e 2016-s, ndryshe nga viti i kaluar, kur fitimi i sistemit arriti në nivele rekord. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, fitimi i sistemit bankar për periudhën janar-shtator 2016 ishte 6.5 miliardë lekë, nga 11.3 miliardë lekë për të njëjtën periudhë të një viti më parë, në rënie 44%. Fitimi i bankave pritet të shënojë ulje të mëtejshme, teksa Banka e Shqipërisë po orienton provigjionimin e plotë të kredive me probleme, duke filluar nga dhjetori 2016. “Ndonëse nga një këndvështrim afatshkurtër kjo mund të jetë më e kushtueshme për bankat, në afat të gjatë garanton stabilitet të rezultatit financiar, edhe në rastet e falimentimit të kredimarrësve”, ka pohuar BSH.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com