Prononcim i plotë për mediat i Fatmir Xhafës

Besoj se tashmë është një gjë e njohur publikisht, fakti që Komisioni i Posaçëm Parlamentar përmbylli një fazë të rëndësishme të veprimtarisë së tij duke vlerësuar projektin kushtetues dhe duke votuar atë nen për nen dhe në tërësi.

Në vlerësimin tim, dhe jo vetëm në vlerësimin tim, kjo është një ngjarje e rëndësishme. Kemi sot një projekt kushtetues të shqyrtuar, të diskutuar, të debatuar, jo vetëm në nivel ekspertësh, por edhe në nivel politik, të votuar përfundimisht.

Një projekt i cili me kalimin e procedurave të tjera parlamentare dhe shpresoj që shumë shpejt miratohet në parlament, do të hapë një faqe të re për Shqipërinë. Do të hapë një faqe të re për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe padyshim për konsolidimin e shtetit të së drejtës, për konsolidimin e një demokracie funksionale në vend.

Sot është një lajm i mirë. Kemi miratuar një projekt i cili tashmë nuk është më pronë thjeshtë dhe vetëm e Kuvendit të Shqipërisë, e deputetëve të Shqipërisë, e këtij komisioni apo atij parlamenti që do ta votojë, por është në dispozicion, është pronë e shqiptarëve, sepse është në interes të së ardhmes së tyre më të mirë për t’u qeverisur më mirë, për të jetuar më mirë në këtë vend.

Është një ngjarje e shënuar. Është një ngjarje që meriton të vlerësohet. Është një ngjarje që meriton të mbështetet dhe besoj se qytetarët shqiptarë e meritojnë këtë projekt sepse meritojnë të kenë drejtësinë e duhur. Meritojnë të kenë drejtësinë e shumëpritur, drejtësinë që i bën ata të ndihen realisht si qytetar evropian.

Natyrisht dua të them se ky nuk është produkt i një grupi njerëzish. Nuk është produkti i një force politike. Ky në radhë të parë është produkti i atyre qindra e qindra njerëzve që përgjatë rreth 18 muaj i kanë shkërbyer dhe i kanë kontribuar në këtë proces të pa ndodhur më parë. Në këtë proces të jashtëzakonshëm, gjithëpërfshirës, transparent dhe brenda standardeve më të mira ndërkombëtare.

Gjatë më shumë se 18 muaj ne kemi zhvilluar një proces tërësisht të hapur, tërësisht profesional, tërësisht gjithëpërfshirës, për të arritur, për të pasur një produkt që ka standardet më të mira. Produkti është kontribut i ekspertizës më të mirë vendas dhe unë dëshiroj t’i falënderoj sot ata shumë përzemërsisht, për kontributin e jashtëzakonshëm, për profesionalizimin e lartë që kanë treguar, për angazhimin, por edhe për sakrificat që kanë përballuar për shkak të sulmeve të padrejta që janë bërë ndaj tyre, pavarësisht se ishin dhe janë duke bërë një punë të mirë në interes të përbashkët, në interes të qytetarëve shqiptar.

Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht partnerët ndërkombëtarë. E kemi thënë gjatë gjithë kësaj kohe. E kanë thënë edhe vetë ata. Por dua ta them edhe unë sot se ky projekt është projekt i përbashkët. Është rezultat i kontributit të përbashkët, i ekspertëve shqiptarë. Por edhe i ekspertizës ndërkombëtare, i ekspertizës më të mirë të dy partnerëve tanë të rëndësishëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian. Është sot momenti për t’u dhënë atyre një falënderim të veçantë. Për t’i dhënë një falënderim të veçantë gjithashtu përfaqësuesve të SHBA, Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z. Donald Lu, përfaqësueses së BE, Ambasadores znj. Romana Vlahutin dhe gjithë atyre personaliteteve ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara,nga Bashkimi Evropian që gjatë gjithë këtij procesi kanë dhënë mesazhe mbështetëse, inkurajuese, motivuese dhe kontribute konkrete në këtë proces ashtu siç ishte edhe vizita e Ministrit të Jashtëm të republikës Federale të Gjermanisë sot në vendin tonë.

Natyrisht dëshiroj të falënderoj gjithashtu edhe kolegët deputetë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të cilët pavarësisht ndarjeve, pavarësisht diferencave, kanë zhvilluar një debat intensiv politik në funksion të këtij qëllimi kaq të shumëpritur. Dhe natyrisht më takon besoj të falënderoj kolegët e mi deputetë të Partisë Socialiste dhe të mazhorancës, me të cilët kemi qenë së bashku në këtë rrugëtim dhe kemi bërë të mundur me shumë durim dhe përpjekje që të arrijmë deri në këtë produkt që kemi sot.

Dhe natyrisht ka një pyetje që është e ligjshme: Çfarë kemi votuar?
Kemi votuar projektin kushtetues nen për nen dhe në tërësi ashtu siç është paraqitur nga ekspertët me pak ndryshime të bëra gjatë diskutimit që kanë bërë kolegët deputetë dhe që janë konsideruar të arsyeshme dhe nga vetë ekspertët gjatë debatit të sotëm.

Çfarë është projekti i sotëm?
Është projekti i muajit maj të këtij viti që u paraqit në komision dhe që u votua unanimisht në parim në komision, por në të cilin janë reflektuar debatet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe gjatë shqyrtimit nen për nen të projektit në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, posaçërisht për çështjet që kishte konsensus të përbashkët ndërmjet deputetëve. Është reflektuar shqetësimi i përbashkët i të gjithë kolegëve deputetë për ta përqasur më mirë projektin me jo thjeshtë dhe vetëm në shqipërimin në gjuhën shqipe, por pjesët që ishte punuar bashkërisht me ekspertët ndërkombëtarë, por dhe me terminologjinë dhe gjuhën e përdorur nga Kushtetuta aktuale. Si dhe janë reflektuar të gjitha pikat e dokumentit konsensual që u propozua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian dhe që u mbështet nga të gjitha partitë politike edhe gjatë tryezës së dialogut politik në nivel të lartë ndërmjet kryetarit të mazhorancës, kryeministrit të vendit dhe kryetarit të opozitës për të cilën janë shprehur vlerësime edhe në hapat apo në qëndrimet e mëvonshme politike gjatë këtyre ditëve.

Dhe siç e dini, me këto reflektime, ky projekt konsiderohet sot në tërësinë e tij i gjithë pranuar nga të gjithë faktorët politik në vend. Natyrisht ka një çështje që është në diskutim. Që ka të bëjë me formatimin e disa prej institucioneve të sistemit të ri të drejtësisë dhe kryesisht të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të prokurorisë, për pjesës e jo-gjyqtarëve dhe jo-prokurorëve që zgjidhen nga Parlamenti. Ashtu si dhe për dy komisionet, Kolegjin e Apelimit dhe Komisionit të Kualifikimit të procesit të vetingut.

Dua të bëj të qartë, që ne ramë dakord që ta kalojmë duke miratuar projektin, të lëmë mundësinë e hapur që në ditët që vijnë, të ketë mundësi të reflektohet ndryshimet që mund të bëhen për disa nga këto pika, të dakordësuara për zgjidhje konsensuale të mundshme.

Mund të shtrohet pyetja me të drejtë, dhe unë do t’ju sqaroj sepse janë pyetje dhe dilema që janë shtuar gjatë gjithë këtyre ditëve, gjatë ditës së sotme nga lidershipi politik, por dhe gjatë debatit që është bërë në komision, se përse e miratuam sot?
E miratuam për disa arsye, por arsyeja e parë është sepse do të duhet të përmbushim ne detyrën tonë që rrjedh nga vendimi i nëntorit të vitit 2014 të Kuvendit të Shqipërisë. Arsyeja e dytë është sepse do të duhet, se nëse nuk miratojmë këtë projekt të dakordësuar në masën 99% të tij, nuk

mund të vijojmë me procesin tjetër që është diskutimi dhe miratimi i projektligjeve që shoqërojnë reformën. Ju kam thënë dhe e ritheksoj përsëri. Janë jo pak, por mbi 40 ligje që do të shoqërojnë projektin kushtetues, 7 prej të cilët janë projektligje prioritare që do të kalojnë njëkohësisht me projektin kushtetues. Dhe nëse nuk i hapim rrugë projektit kushtetues, nuk mund t’u hapim rrugë shqyrtimit, futjes në komision, shqyrtimin dhe miratimin e këtyre 7 ligjeve prioritare.

Po pse e miratojmë?
Sepse duhet të kapim afatet. Ka disa afate procedurale Kuvendi i Shqipërisë. Për ta miratuar të gjithë projektit me 7 ligjet përkatëse brenda këtij sesioni parlamentar. Dhe nëse nuk arrijmë ta miratonim tani në tërësi projektin për t’i hapur rrugë pastaj projektligjeve të tjera, nuk do të mund të arrinim edhe vetë miratimin e projektit brenda këtij sesioni. Nuk do të mund të arrinim dhe projektligjet dhe do të thotë, që do të shtyhej miratimi i këtij projekti dhe që do të thotë për të gjithë shqiptarët që do të shtyhej, që mund të krijonte rrezikun e mosmiratimit nga Bashkimi Evropian të hapjes së dritës jeshile për procesin për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Janë të gjitha arsyet të mjaftueshme për ta bërë këtë gjë. Por edhe vet fakti që 99% e projektit është dakordësuar, është plotësisht e mundshme për ta bërë këtë gjë. Natyrisht edhe ajo çështje që mbetet është në proces dialogu, është në proces diskutimi, ka stacione të tjera ku do të kalojë projekti dhe mund të reflektojnë qoftë edhe përpara hyrjes në seancë plenare të projektit.

Pra janë të gjitha mundësitë proceduarialisht. Sot e kemi votuar nen për nen dhe në tërësi. Dhe me miratimin e sotëm quhet e përfunduar puna e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për t’i hapur rrugë fazave të tjera të procedurës parlamentare deri në miratimin final të tij.

Një gjë do ta them. Jam shumë i kënaqur, jam shumë i lumtur për këtë gjë sepse besoj fort tek ky projekt, besoj fort që ky projekt kushtetues dhe këto projektligje që do ta shoqërojnë atë do të ndryshojnë fatin e drejtësisë në këtë vend, do të ndryshojnë fatin e shqiptarëve. Do të jemi këtu dhe do ta provojmë këtë gjë.

Z. Xhafaj për të qenë më të qartë, a i keni votuar nenet e kundërshtuara nga opozita?
Edhe një herë, kemi votuar të gjithë projektin pa përjashtim me të gjitha nenet e tij deri në fund dhe në tërësi, përfshirë edhe aneksin për vetingun, për rivlerësimin. Ato nene për të cilat ka një diskutim, janë shumë pak nene, shpresoj dhe besoj që do të dakordësohemi dhe do të mund të arrijmë një zgjidhje dhe ato do të reflektojnë duke ndryshuar nenet përkatëse.

Është një procedurë që ju si gazetarë, përfaqësues të medias, keni pasur rastin duke qenë se jeni përherë në komisionet tona ta shihni në projektligjet e zakonshme, por edhe në projektligjet Kushtetues.

Edhe meqenëse e përmenda është rasti që t’ju them shumë faleminderit juve. Është rasti që t’ju them shumë faleminderit atyre djemve të kamerave për të cilët kam një respekt të veçantë dhe na ndjeni nëse kemi krijuar gjithë këtë proces ndonjë shqetësim për punën tuaj për shkak se ju do të donit të kishit më shumë informacion, ndërsa ne deshëm që ta mbaronim sa më shpejt.

Z. Bylykbashi ka deklaruar se vota e sotme shkel kushtetutën dhe frymën e negociatave që ende po vazhdojnë, ju si e gjykoni këtë deklaratë?
Unë mendoj të kundërtën që qasja, veprimi i z. Bylykbashi dhe kolegëve të tij duke u larguar në atë mënyrë nga salla e dëmton konsensusin, frymën e përbashkët. Unë mendoj që do t’i bënte mirë edhe kolegëve të Partisë Demokratike. Ta kishim zhvilluar edhe sot bashkërisht këtë ushtrim dhe natyrisht duke lënë derën hapur për sa kohë që edhe ata vetë deklarojnë që 99% të projektit janë të gatshëm që ta votojnë. Dhe unë besoj që për 1% nuk do të duhej të ishte kjo lloj sjelljeje sot. Për sa kohë që ne që në fillim. Që në hyrje, që në nisje të debatit të sotëm, unë e bëra të qartë që ne do ta votojmë nen për nen dhe në tërësi për këto arsyet që thashë pak më lart, por jemi të gatshëm që në momentin më të parë që ne do të gjejmë një gjuhë, do të dakordësohemi edhe për ato pak gjëra që janë bashkërisht me njëri tjetrin, por po të jetë e nevojshme edhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar ne jemi të gatshëm ti reflektojmë?

Cila do të jetë procedura që do të ndihet tani meqenëse u mbyll procedura?
Tani procedura që ka Kushtetuta dhe Rregullorja e Parlamentit. Gjëja e parë është zbardhja e projektit së bashku e relacionin. Do të nënshkruhet, do ti dërgohet konferencës së kryetarëve për të vazhduar procedurën e zakonshme.

Pastaj i shkon në komision të ligjeve apo direkt në seancë plenare?
Do të preferoja që të mos hapja një diskutim kot, një diskutim të ri nga këto që ne kemi ne që të rihapim zakonisht që ta mbaja këtu, ngelet çështja për ta diskutuar konferenca e kryetarëve apo institucionet e tjera të kuvendit se si do të procedohet nga pikëpamja e procedurës me projektin më tej. Natyrshmit Kuvendi ka eksperienca të ndryshme. Po ju qas një prej tyre, atë më të afërtën, ndryshimi i kushtetutës për të famshmin dekriminalizimin dhe shtatë nenet e tij që ju e dini se çfarë procedure ndoqi dhe ditën e fundit në sallë është ndryshuar projekti në interes të nevojë për ta bërë atë sigurisht më të mirë, por ama është ndryshuar që do të thotë që ka pasur një rrugë shumë më të shkurtër. Nëse palët thonë se do ti biem rrugës së gjatë, do ti biem rrugës së gjatë, por e rëndësishme është që të mos humbasim rrugën për në Bashkimin Evropian.

Mund të bëhen përpara përmes komisionit. Rregullorja e parashikon përmes komisionit dhe komisioni mund të ri mblidhet për ato dy tre amendamente, ta paraqesë në seancë bashkë me amendamente që e ndryshojnë.

Komisioni i posaçëm?
Komisioni i posaçëm ose Këshilli i Legjislacionit pak rëndësi ka. Rëndësi ka që është e mundshme të bëhet. Ka disa stacione për të vajtur tek stacioni përfundimtar ku do të ndalojë treni i reformës.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Raportimi i një krimi në shtëpinë e të moshuarve dhe rrëfimi i një infermiereje për azilin......