SIDNEJ - Ekspertët e medias sociale të ISIS-it prodhojnë rreth 100 mijë iniciativa online propagande në ditë duke filluar nga programe fitnes për luftëtarët potencialë dhe efektivë, aplikacione për smartfonë dhe lojëra elektronike ideologjike, në ndërkohë që prirja dhe stili i jetesës përfaqësojnë një sfidë ekstreme për autoritetet.
Ky është konstatimi i ekspertëve kryesorë të sigurisë australiane të mbledhur në Australian National University, në një forum mbi ekstremizmin dhe median sociale, organizuar nga Australian Security Research Centre.
Në këtë takim u arrit në përfundimin se rritja e materialeve ekstremiste në mënyrë eksponenciale është më e shpejtë sesa kapaciteti i shteteve për t'u kundërpërgjigjur.
Sipas docentit për sigurinë kombëtare të Charles Sturt University, Levi West, ekspert për teknologjinë e terrorizmit, ISIS-i është lideri i tregut të propagandës online, me një sërë metodash nga videot cilësore me militantë që u japin karamele fëmijëve deri te guidat praktike për luftëtarët e huaj.
"Nuk duhet të nënvlerësojmë kompetencën e tyre teknike. Për çdo llogari që u mbyllet në Twitter, ata hapin një tjetër", thotë West.
West këshillon qeveritë që të grumbullojnë sa më shumë informacion nga faqet elektronike të ISIS-it dhe jo t'i mbyllin ato./ATSH/