‘Thembra e Akilit’ për qeverinë mbeten ‘pensionet’, ku mijë qytetarë presin sa do të rritet pagesa mujore, pas rishikimit të skemës së miratuar një dekadë më parë, e cila është premtuar se do të bëhet publike vitin e ardhshëm.

Ndryshimet duhet ti përgjigjen jo vetëm sfidës së pensioneve të ulta, kërcënimit demografik, nëndeklarimit të pagave por edhe garantimit të një minimumi jetik për këtë kategori. Themelet e skemës së 2014-ës, pritet të rishikohen me reformën e re, e cila do të pasojë mbështetjen me bonuse që nis nga janari 2026.

Prej gati 2 vite një grup pune është ngritur në qeveri mes disa institucioneve, me mbështetjen edhe të Bankës Botërore, po ‘gatuajnë’ skemën e re.

Disa nga propozimet e Bankës Botërore për qeverinë shqiptare kanë të bëjnë me rishikimin e formulës si llogaritet pensioni, të rishikohet mosha e daljes në pension, të hiqen përfitimet suplementare, të mos ketë indeksime progresive, të ketë skema me kontribute fikse e deri tek fuqizimi i skemës private.

Një propozim i bërë nga Banka Botërore për skemën e pensioneve është që pensioni social të mos merret automatikisht pasi mbush moshën 70 vjeç, por kjo kategori të marrë për aq sa kanë kontribuar, dhe jo siç aktualisht ndodh, që pavarësisht nëse kanë kontribuar apo jo marrin pension social prej rreth 100 euro.

Propozimi tjetër që është bërë për të mbështetur këtë heqje të kufizimit prej 15 vitesh, Banka Botërore thotë se duhet të rishikohet edhe formula e llogaritjes së pensionit. Propozohet që pensioni të përllogaritet kështu: Pension social + (norma e akumulimit × vitet e punës × masa e pagës). Norma e akumulimit = 0.7% për 15 vitet e para të kontributeve. Norma e akumulimit = 1.4% për çdo vit shtesë përtej 15 viteve.

“Personat me më shumë se 15 vite kontribute, të cilët do të përfitonin nga norma më e lartë e akumulimit dhe personat me 1–14 vite kontribute, të cilët do të merrnin një pension që rritet në varësi të viteve të kontributit”, vlerëson Banka Botërore.

Por nëse bëhet ky rishikim formule dhe pranohet që edhe për pensionin social të merren në konsideratë kontributet e paguara, Banka Botërore sugjeron që të rritet edhe mosha e daljes në pension social, nga 70 vjeç që është aktualisht në 72 vjeç.

Madje sipas bankës për të inkurajuar qytetarët që të rrisin interesin për të kontribuar, propozohet shpërblim për ata me më shumë se 15 vite kontribute.

Propozimi tjetër është heqja e përfitimeve suplementare që prek punonjësit e shtetit, e më së shumti ligjvënësit. Sipas Bankës eliminimi i përfitimeve për këto kategori edhe pse i vështirë politikisht, do të sillte efekte në shëndoshjen e skemës. Paratë që kursehen për të suplementarët mund të ridrejtohen për të rritur përfitimet e pensioneve për të gjithë.

Veç fuqizimit të skemave private të pensioneve, me paketë me lehtësi, BB sugjeron që të futet një skemë e re me kontribute të përcaktuara si shtyllë e detyrueshme për kontribuuesit e rinj.

Gjithashtu, sugjerohet që të mos vijohet me bonuse progresive, pasi përveç se i kushtojnë buxhetit mund të dëmtojnë drejtësinë dhe të krijojnë precedent me kosto të lartë.

Skema e Pensioneve që ka nisur në vitin 2015, po përballet me një sërë sfidash, numri i ulët i kontribuuesve, sigurimet e pamjaftueshme për të paguar pensionet për pasojë është rritur deficiti, emigrimi, sfida demografike e sidomos informalitetiti si në punësimin në të zezë ashtu edhe me nëndeklarim të pagave.

Aktualisht në Shqipëri janë rreth 750 mijë pensionistë, pjesa dërrmuese janë të pakënaqur me vlerën që marrin në fund të muajit, pasi gati 55% e pensioneve në vend janë të pjesshme, për mungesë të viteve të punës.

Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore pensionet e reja të lidhura vjet ishin me mesatarisht 27 vite punë.

Ndërkohë vitin tjetër rritet përsëri mosha e daljes në pension për gratë. Nga 61 vjeç e 10 muaj këtë vit, në 2026-ën gratë do të dalin në pension pasi të mbushin 62 vjeç, kurse për burrat do të vazhdojë të jetë 65 vjeç. Për të dyja gjinitë rriten edhe vitet e punës për të marrë pension të plotë nga 38 vite e 8 muaj në 39 vite punë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:11
Si do bëhet indeksimi i pensioneve në 2026-ën? Eksperti: Bonuset nuk i kthejnë dinjitetin pensionistëve

Pas indeksimit me vetëm 2.5% në muajin tetor, pensionet urbane të pleqërisë mesatarisht janë në vlerën e 20,099 lekë, me një rritje me vetëm 490 lekë në muaj krahasuar me deri para se të bëhej indeksimi.

Ndërsa pensioni rural mesatar ka arritur në 12,174 lekë pas indeksimit të tetorit, ku shtesa ishte vetëm 296 lekë, ndërsa pensioni social përllogaritet në 10,000 lekë në muaj.

Për të mbështetur më shumë pensionistët përballë këtyre pagesave të ulta, qeveria ka prezantuar një skemë me bonuse mujore, që do të nisin nga janari 2026. Për qeverinë këto bonuse i rikthejnë dinjitetin pensionistëve, pasi jepen 1,800 lekë në muaj për pensionet urbane me vite të plota pune, 800 lekë/muaj për pensionet urbane të pjesshme apo 1000 lekë në muaj për pensionet rurale.

Por për ekspertin e ekonomisë me këto bonuse vetëm shtohen disa para por jo dinjitet.

“Gjëja më e rëndësishme për të cilën flasin qytetarët sot është: “Sa do të marr unë nga 1 janari? Sa lekë shtesë? As me këtë skemë me bonuse nuk ju kthehet dinjiteti por është shumë më mirë sesa ishte më parë”, tha Çoçoli.

Dhënia e bonuseve mujore duke nisur nga janari që vjen në vetvete nuk rrit bazën e pensionit, pasi indeksimi edhe në tetor të 2026-ës do të bëhet mbi pensionin bazë dhe jo mbi bonusin.

“Jam dakord që nuk mund të quhet rritje pasi duhet të rishikohet ligji i sigurimeve shoqërore por kur marr lekë më shumë, më rritet aftësia blerëse”, thotë Çoçoli.

Ora 16:03
Formulë e re dhe pension social në bazë të kontributeve, ekspertët: Do sillnin drejtësi, qytetarët ta marrin aq sa kanë kontribuar

 

Propozimet e Bankës Botërore për ekspertët e ekonomisë duhet të vlerësohen dhe të pranohen nga grupi i punës. Sipas tyre nëse hiqet kufiri prej 15 vitesh duke bërë që edhe pensioni social të merrej në bazë të kontributeve dhe jo apriori, do të kishte më shumë drejtësi në skemë.

“Ky kufi është konsideruar si anomali e skemës pasi konsiderohet si hap që ka krijuar boshllëqe në mos-përfshirjen e atyre që janë punëtor informal, emigrantë apo grupe vulnerabël, që duhet të presin të mbushin 70 vjeç për të përfituar një pension social. Heqja e këtij tavani është një drejtësi sociale sepse ulë edhe rrezikun e varfërisë në pleqëri, dhe kryesisht për ato në zonat rurale. Përfshin edhe atë plagë të ekonomisë tonë që ka të bëjë me informalitetin, pasi ka punëtorë që kanë vite të tëra pa i regjistruar në kontribute dhe që përjashtohen, kjo prek edhe pjesën e emigrantëve që kanë pak vite këtu. Rrit qëndrueshmërinë fiskale, janë 2.5 mld euro që janë marrë nga taksat për të mbuluar skemën. Kështu shmang një krizë fiskale por jep zgjidhje për luhatjet demografike”, thotë Eduart Gjokutaj.

Ndërsa për korrigjimin e formulës se si llogaritet pensioni, ekspertët thonë se diferencimi në koeficient për ata që kanë më pak se 15 vite punë në raport me ato që kanë më shumë, do të ndikonte në rritjen e numrit të kontribuuesve.

“Është më e drejtë sesa formula e deritanishme. Kemi me vite të pjesshme mbi 50% të pensionistëve, të ri korrigjosh formulën aktuale, është të përfshish më shumë në skemë. Të rishikohet formula është themelore, çdo masë tjetër është ndihmuese”, thotë Çoçoli.

“Ky diferencim ku për 15 vitet e para koeficienti nuk është më siç është aktualisht 1% por është 0.7% dhe pas 15 vitesh kontribute e më tutje koeficienti dyfishohet bëhet 1.4%, është i drejtë dhe stimulues pasi nga pikëpamja e drejtësisë eliminon pabarazi duke shpërblyer kontribuuesit afatgjatë, ndërsa nga ana e pjesës sociale ofron një bazë minimale për të mbrojtur të varfrit dhe informalët”, shprehet Gjokutaj.

Sipas ekspertit Eduart Gjokutaj skema aktuale nuk i përgjigjet presionit demografik, dhe krahas rishikimit të formulës sipas tij duhet edhe më shumë përgjegjshmëri nga institucionet mbi këtë çështje.

“Presioni demografik është një nga fajet kryesore që kontribuon në këtë situatë që jemi përtej asaj çfarë mund të themi mbi defektin e skemës. Sa i përket pjesës së ekonomisë e cila ka përgjegjësinë e vetë, një ekonomi që rritet në mënyrë të tillë siç ne e kemi diskutuar me probleme të tilla që nuk frenon dot emigrimin, natyrisht që kjo ul pjesën e numrit të kontribuuesve, por nga ana tjetër edhe detyrat e paralizuara për informalitetin i cili ndikon në gjithë këtë skemë. Pra nuk mund të konceptohet thjesht që po bëmë një formulë dhe kjo na zgjidh, nuk është formulë magjike, është formulë që duhet të bëhen këto detyra përpara. Kërkon një përgjegjshmëri shumë më të lartë se deri më sot”, thotë Gjokutaj.

Nëse pjesa më e madhe e këtyre propozimeve të bëra nga Banka Botërore do të pranohen ekspertët gjykojnë se do të kishte rritje reale edhe të pensioneve.

“Janë në drejtimin e duhur dhe sigurisht që me skemën e re do të ketë rritje reale të pensioneve. Është mirë që qeveria të marri shumicën e këtyre propozimeve se në gjykimin tim. Është një skemë që ndihmon pensionistët e rinj dhe jep më shumë si të thuash damar anës sociale të skemës sonë të pensionit. Deri tani një pjesë e këtyre përfitimeve suplementare shumë mirë për ata që i kanë marrë, por ka qenë një padrejtësi e mirëfilltë ndaj pjesës së madhe shumicës së pensionistëve tanë”, thotë Çoçoli.

Ora 15:58
Në 1 dekadë 2.5 mld euro për të mbuluar deficitin e pensioneve! Eksperti: Goditja më e madhe vjen nga trukimi i pagave

 

Skema e Pensioneve ka rezultuar deficitare, që kur ka hyrë në fuqi skema e re në vitin 2015, dhe për shkak të kontributeve të pamjaftueshme për të paguar pensionistët, diferenca mbulohet me buxhet të shtetit. Gjatë këtij 10-vjeçari janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 2.5 miliardë euro për të shlyer të gjitha pensionet mujore.

“Skema e 2015-ën nuk funksionoi. Ajo nuk po i ndihmon pensionistët tanë. Po zgjat pafundësisht vjetërsinë në punë, së dyti nuk arriti të shtojë kontributet dhe së treti nuk kemi ende një skemë të detajuar për pensionet private”, tha Çoçoli.

Por pse ky deficit kaq i lartë? Faji është i skemës, i ekonomisë apo i informalitetit?

Eksperti i Ekonomisë Fatos Çoçoli thotë në Report TV se pjesa më e madhe e fajit i takon trukimit të pagave apo më saktë nëndeklarimit të rrogave.

 “Për të tri këto arsye. Faji kryesor është tek informaliteti. Është krim ekonomik të trukosh pagesën e sigurimeve shoqërore, kemi deri 150 milionë euro që i mungojnë kësaj skeme vetëm nga trukimi i pagave. Rreth 60% e fajit qëndron tek informaliteti dhe nëndeklarimi i pagave. Faji i dytë është i ekonomisë që nuk po ndalon informalitetin dhe faji i tretë është i vetë skemës. Skema nuk është një levë çudibërëse, por ndihmon kur është e ndërtuar për zgjuarsi. Subvencioni është gjobë që paguan buxheti i shtetit sepse ajo duhet të jetë vetë-funksionuese, dhe tu garantojë pensionistëve pensionin që duhet të kenë. Kjo skemë nuk ka qenë efektive, janë 2.5 mld euro ‘gjobë’ ndaj buxhetin, dhe duhet me patjetër skema të ndryshojë.

Hendeku në deficit pritet të thellohet edhe më shumë në vitet që vijnë për shkak të emigrimit, rënies së lindshmërisë dhe mungesës së fuqisë punëtore.

Sot kontribuojnë 117 qytetarë për të paguar 100 pensione, ndërsa deri në fund të kësaj dekade pritet të ulet në 114 punonjës, që do të thotë se do të duhen më shumë para nga buxheti i shtetit për të paguar pensionistët.

Për shkak të viteve të pamjaftueshme të siguruara dhe kontributeve të ulta, ku rol thelbësor negativ ka nëndeklarimi i rrogave, pensionet në vend ende janë të ulta, dhe 55% e tyre janë të pjesshme.