Prostata, problemi
madhor i meshkujve

Prostata, problemi <br />madhor i meshkujve
Prostata është problemi i madh i të moshuarve. Prof. dok Alketa Koroshi shpjegon se çfarë është kjo sëmundja nga se shkaktohet dhe cilat janë shenjat e shqetësimet që sjell sëmundja. Gjithashtu ai shpjegon me detaje se si duhet të diagnostikohet dhe trajtohet sëmundja.

Prostata është një gjendër e vogël sa një arrë që vendoset mu përballë pjesës së fundit të zorrës së trashë, poshtë fshikës së urinës. Prostata rrethon kanalin e urinës që quhet uretra ku kalon urina që derdhet jashtë. Një nga funksionet kryesore të prostatës është të lëshojë një lëng që përzihet me spermën kur kalon në kanalin urinar dhe i jep asaj energji dhe e bën që të ambjentohet më mirë në kanalin vaginal.

Kalimi i moshës
Me kalimin e moshës ndodh rritja e volumit të gjendrës së prostatës dmth ndodh ajo që quhet në mjekësi hiperplazia beninjë e prostatës. Kjo është mjaft e shpeshtë. Në moshën 40-50 vjeç 25 % e burrave kanë zmadhim të gjendrës së prostatës e në moshën 70-80 vjeç,80% e burrave e kanë këtë problem. Në Shqipëri mbi 100 mijë të moshuar kanë shenja që lidhen me zmadhimin e prostatës. Shumica e këtyre njerëzve fillojnë e ankohen për simptoma të çrregullimeve urinare.

Këto simptoma janë vështirësi në urinim, vonesë në fillimin e urinimit, urinim i ndërprerë, curril i dobët i urinës, mbas urinimit një ndjenjë sikur nuk është zbrazur fshikëza e ujit, e curril i shpërndarë. Përveç kësaj pacienti ka urinim të shpeshtë, urinim natën, mos mbajtjte të urinës e dhimbje në fund të barkut. Kur situata rëndohet nevojitet vendosja e një kateteri në fshikën e ujit.

Ndërhyrja kirurgjikale
Shumë herë gjendja bëhet e tillë e padurueshme sa që nevojitet heqja kirurgjikale e gjendrës së prostates. Në vendin tonë afërsisht bëhen 1000 operacione në vit brenda e jashtë shtetit për heqjen e gjendrës së prostatës.

Shkaktarët
Por lind pyetja se përse rritet gjendra e prostatës në të moshuarit. Kjo ka lidhje me sasinë e hormoneve mashkullore, testosteron e metabolitit të tij dihidrotestosteron. Por është parë që edhe hormone femërore si estradiol e të tjera citokina si dhe markues inflamatore kanë rëndësinë e tyre. Është parë gjithashtu se rreziku i rritjes së prostatës shtohet në personat e shëndoshë, në diabetikët, në ata që pinë alkool dhe në ata që bëjnë jetë sedentare. Duhet patur parasysh që ka disa arsye që pse rëndohen shenjat e protatës, psh. marrja e shumtë e lëngjeve, pirja e shumtë e kafesë, përdorimi i diuretikeve( shkarkuesve) për sëmundjen e hipertensionit arterial.

Testi i PSA
Ky test ka të bëjë me matjen në gjak të një proteine që prodhohet nga gjendra e prostates. Sa më i lartë të jetë niveli i PSA aq me shumë ka të ngjarë që të jemi para një kanceri të prostates. Por jo gjithmonë PSA rritet si pasojë e kancerit. Pra ka dhe raste kur PSA është e lartë nga arsye të tjera si infeksione të prostatës, infeksione urinare etj. Si rregull rekomandohet të bëhet PSA në moshën mbi 50 vjeç një herë në vit. Veç kësaj si rregull mirë është të bëhet analiza e urinës që mund të zbulojë një infeksion të rrugëve urinare ose të zbulojë praninë e gjakut në urinë.

Mjekimi i hipertrofise beninje të prostatës
Në mjekesi ekzistojnë 4 grupe medikamentesh qe janë efikase: alfa bllokuesit, frenuesit e 5 alfa rediktazës, ilaçet antimuskarinike, e frenuesit e fosfodiesterazes 5. Këto barna lirojnë kontraksionet e muskulaturës së lëmuar të prostatës dhe qafës së fshikës së ujit dhe lehtësojnë kalimin e urinës. Efekti i këtyre barnave fillon të duket afërsisht një javë pasi ka filluar mjekimi. Duhet kujdes se mund të japin ulje të tensionit dhe marrje mendsh. Frenuesit e 5 alfa reduktazes veprojnë duke bllokuar kthimin e testosteronit në metabolitin e vet aktiv dihidrotestosteron, kësisoj rrudhosin prostatën e pakësojnë volumin e saj. Midis këtyre barnave më i njohuri është finasteridi (proscar). Po ashtu përdoret dhe dutasteridi (avodard).

Këto barna e zvogëlojnë deri 25% volumin e prostatës dhe ky efekt arrihet pas 2-6 muaj nga fillimi mjekimit. Këto ilaçe pakësojnë dhe rrezikun e kancerit të prostatës. Duhet patur parasysh se këto medikamente pakësojnë forcën mashkullore dhe erektilitetin dhe japin gjinekomasti. Kur simptomat nuk përmirësohen mirë me një medikament mund të kombinohen dy preparate të grupeve të ndyshme për të qetësuar gjendjen klinike.

Barnat antimuskarinike frenojnë kontraktimin e muskulatures së fshikës së urinës dhe lehtësojnë simptomat. Ndër to më pak efekte anësore kanë darifenacin dhe solifenacin, sepse janë shumë selektive për fshikën e ujit dhe nuk veprojnë në organe të tjera. Efekti i tyre ndodh pas dy javëve nga fillimi mjekimit. Mund të japin tharje gojë e të syve dhe kapsllëk.

Grupi tjetër i barnave për prostate janë frenuesit e fosfodiesterazës 5. Këto lirojnë muskulaturën e fshikës e prostatës dhe nuk lejojnë hipertrofine e prostatës. Ndër to ilaçi më i përdorur është tadalafil. Përveç këtyre përdoren ilaçe me bazë bimore si psh permixon por kanë pak efekte të rëndësishme për përmirësimin e shenjave të prostatës. Në raste të rënda kur nuk bëjnë më efekt mjekimet me barna bëhet heqja kirurgjikale e gjendrës së prostatës.

Shkrimi u publikua në Suplementin Shëndeti, në gazetën Shqiptarja.com
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi