"Kush provokon popullin shqiptar nga sot e mbrapa do të njihet me gjuhën që ata marrin vesh. Ju me dhunë, qytetarët do reagojnë me dhunë, nuk ka më."

Pas kësaj deklarate të lëshuar në sheshin Skendërbej, Arben Kola, udhëhoqi si cdo ditë manifestuesit në bulevard, drejt kryeministrisë.

Nuk kishin kaluar shumë minuta nga nisja e tubit në shesh, kur një grua e prezantuar më pas si gazetare shqiptare në Athinë u bë objekt i dhunës nga protestuesit, vetëm sepse dikush e etiketoi si “patronazhiste”.

Ndërsa e ndiqnin me gisht, mes turmës, një nga pjesmarrësit i derdhi asaj mbi kokë një shishe me lëng frutash.

U desh ndërhyrja e një pjesmarrëse në protestë, për të shmangur linçimin e mëtejshëm të emigrantes.

Mes thirrjeve në kor ‘Rama jepe dorëhejen’, nga podiumi një protestues lëshoi një tjetër kërcënim shoqëruar me një ultimatum

"Deri me datën 4 ke afatin e fundit nëse nuk jep dorëheqje do të nxjerrim në mënyrë tjetër",- tha një protestues.

Në mesin e protestës, ndërkohë po mblidheshin firma mbi librin që përmban projektet e parashikuara në Shqipëri nga mbi 60 arkitektë ndërkombëtarë, shoqëruar me shkrime të tyre

Libri sipas tyre do të shërbej si një akuzë për kryeministrin Rama, ndaj të cilt paralajmëruan se do të depozitojnë padi nesër në SPAK.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:34
Protesta e 31-të, bie pjesëmarrja në marshimin në rrugët e Tiranës

Marshimet pas fjalimeve para Kryeministrisë po përjetojnë një rënie të pjesëmarrjes nga qytetarët. Edhe në marshimin e protestës së 31-të, nëpër rrugët e Tiranës, treguan këtë realitet.

Ora 22:10
Protestuesit marshojnë para selisë së PD-së: Opozitë e shitur (VIDEO)

 

Gjatë marshimit nëpër rrugët e kryeqytetit, pas fjalimeve te Kryeministria, protestuesit kaluan edhe para selisë së Partisë Demokratike, drejt së cilës bërtisnin në kor: "Opozitë e shitur".

Ora 21:51
Protestuesit mbledhin firma për të çuar në SPAK librin ‘Albania Files’ të promovuar nga Rama (VIDEO)

 

Në protestën para Kryeministrisë, protestuesit mblodhën firma për të çuar në SPAK librin ‘Albania Files’ të promovuar nga kryeministri Edi Rama.

Të dielën në podcast-in e tij ‘Flasim’, Rama tha se libri është tërësisht i pavarur dhe përmbledh kontributet e studiove arkitekturore që punojnë prej dy dekadash në Shqipëri.

Ora 21:43
I riu shqiptar nga Gjermania: Kriminelët nuk janë në protestë, por në tavolinën e Këshillit të Ministrave (VIDEO)

 

Një i ri shqiptar që jeton në Gjermani mbajti fjalën e tij gjatë protestës para Kryeministrisë, ku kritikoi mënyrën e reagimit të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve sot para Kuvendit.

“Sot u zgjova në orën 10, në Mynih dhe pashë protestues që tërhiqeshin zvarrë sepse protestuan paqësisht. Ata që protestuan janë sot mes nesh, policia duhet të kuptojë se kriminelët janë brenda ztrës së Kryeministrisë dhe jo duke protestuar. Aksidenti është tragjedi kombëtare, ndërsa policia është më e impenjaur me protestuesit. Kriminelët që ulen në tavolinën e Këshillit të Ministrave edhe spe i kërkon mes nesh. Erion Veliaj, Olta Xhaçka, Vangjush Dako, Jurgis Çyrbja, Arben Ahmetaj, Sajmir Tahir etj. Meqë policia e di se protesta vetëm njoftohet, unë po them se sonte s’do të ndahem nga shkallët e Kryeministrisë, kush të dojë le të bashkohet”, deklaroi aktivisti.

Ora 20:44
Tubimi para Kryeministrisë, protestuesit shtyjnë dhe lagin gruan: Je patronazhiste! Qytetarja: Jam gazetare dhe edukatore në Athinë! (VIDEO)

Momenti tensioni u shënuan në protestën që u zhvillua sot para Kryeministrisë. Një qytetare u dhunua verbalisht nga një pjesë e turmës, që dyshuan se ajo ishte aty si e infiltruar e Partisë Socialiste.

Dyshimet lindën pasi gruaja u pa teksa filmonte si shumë të tjerë të pranishëm. Një grup djemsh e ndoqën këmba-këmbës në bulevard, duke e ofenduar, teksa zonja përpiqej t'i shpëtonte keqkuptimit.

Teksa u sqaronte dhjetëra djemve dhe burrave agresivë, se është thjeshtë një gazetare dhe edukatore shqiptare që punon në Greqi, një person i afrohet dhe i zbraz shishen me lëng frutash mbi kokë.

"Jam shqiptare. Gazetare, eudkatore, në Athinë:,- thotë gruaja.

Pas ngjarjes, gruaja sqaroi se në protestë po merr pjesë si qytetare e thjeshtë dhe mohoi kategorikisht akuzat se është "patronazhiste".

Ora 20:36
Mjeku Ilir Allkja nga protesta para Kryeministrisë: Rama ka dështuar të mbajë premtimet, duhet të japë dorëheqjen

 

Mjeku Ilir Allkja mbajti një fjalim në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama për mosmbajtjen e premtimeve elektorale dhe kërkoi dorëheqjen e tij.

“Sot Rama e shthuri gjuhën dhe u bë mashkulli më i padenjë në karrigen e kryeministrit. Unë jam sovrani dhe kam të drejtë t’i kërkoj llogari Edi Ramës”, u shpreh ai.

Mjeku renditi një sërë premtimesh që, sipas tij, nuk janë mbajtur nga qeveria. Ai tha se premtimi për shëndetësi falas ka dështuar, duke pretenduar se shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi.

Allkja kritikoi gjithashtu situatën me furnizimin me ujë të pijshëm, duke deklaruar se shumica e qyteteve nuk kanë ujë 24 orë në ditë, pavarësisht premtimit të bërë nga qeveria. Ai ngriti shqetësime edhe për rritjen e çmimeve të ushqimeve, gjendjen e arsimit duke iu referuar rezultateve të testit PISA, si dhe për mbrojtjen e territorit.

Në përfundim të fjalës së tij, Allkja kërkoi largimin e kryeministrit nga detyra, duke e akuzuar se nuk ka përmbushur premtimet e dhëna gjatë katër mandateve në qeverisje.

Ora 20:19
Aksidenti në Tiranë-Durrës, 1 minutë heshtje në protestën para Kryeministrisë! Kokaj: Nëse Policia s’do ishte duke bërë rolin e rojës private të Ulajt në Rrjoll, ngjarja s’do kishte ndodhur

 

Gjatë protestës së organizuar sot para Kryeministrisë, të pranishmit mbajtën 1 minutë heshtje, për të nderuar viktimën e aksidentit tragjik të ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë, ku u plagosën edhe 12 persona të tjerë.

Ishte aktivistja Luçiana Kokaj që i kërkoi të pranishmëve të mbanin 1 minutë heshtje, teksa theksoi se nëse Policia nuk do të ishte e angazhuar duke u marrë me protestuesit, ndoshta aksidenti tragjik nuk do të kishte ndodhur. Po ashtu Kokaj tha se ditën e sotme, efektivët e Policisë bënë rolin e rojeve private të biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj në Rrjoll.

“Sot ndërkohë që Policia e Shtetit ishte shumë e zënë duke tërhequr zvarrë protestuesit para Parlamentit dhe një pjesë tjetër e Policisë ishte stacionuar në Rrjoll ku po bënte rojën private të Bashkim Ulajt për të vjedhur pronën tonë, kemi pasur një fatkeqësi shumë të madhe në vendin tonë. Një fatkeqësi që edhe mund të ishte evituar nëse Policia do të ishte duke bërë punën e vetë. Kanë humbur jetën 4 qytetarë në autostradën Tiranë-Durrës. Ndaj në shenjë respekti, do ju kërkoja që të mbanim 1 minutë heshtje. Tani ne vazhdojmë me kërkesat tona që janë:

Dorëheqja e Ramës, e qeverisë dhe e kësaj klase politike. Një thirrje do të kisha për gjithë deputetët e opozitës, që thonë se mbështesin protestën. ‘Ku ishit sot kur u shoqëruan protestuesit? Pse nuk e ngritën zërin në Parlament, por ikët ashtu si ikni gjithmonë?’. Sot Policia u bë palë me krimin, duke na tërhequr zvarrë ne”, tha mes të tjerash Kokaj.

Ora 19:36
Organizatori Arben Kola: Deri më sot protestat kanë qenë paqësore se ne nuk kemi dashur dhunë, por tani nuk mbajmë përgjegjësi

Një nga organizatorët e 31 tubimeve që janë zhvilluar në Tiranë, Arben Kola, tha se deri sot protestat kanë qenë paqësore edhe falë menaxhimit të tyre nga Grupi Koordinues, por tashmë, sipas tij, populli kërkon përshkallëzim, dhe për këtë ai thotë se nuk mban përgjegjësi.

“Deri më sot populli ka protestuar në mënyrë paqësore ne nuk kemi qene per dhune, prej sot populli duhet te protestojnë ne mënyre te pavarur ne nuk mbajmë më përgjegjësi. Nuk mbajmë përgjegjësi për arsye se sot atyre u hyri tmerri kur panë koshin, dhe në atë kosh kandidati i parë ishte Tao Balla., Tao plehra, ballukja që është candidate për burg, kryemafizoni Edi Rama, dhe i zuri tmerri”,- tha Kola