Presidenti Ilir Meta pak ditë më parë u bëri apel palëve, shumicës dhe opozitës që të bëjnë një hap pas për të zgjidhur krizën politike në prag të vendimit të qershorit për hapjen e negociatave. Basha e refuzoi ftesën e kreut të shtetit, ndërkohë që edhe kryeministri Rama sot i ktheu përgjigje Metës nga Fieri gjatë një takimi me qytetarët në kuadër të turit 'Bashkia që duam'. Rama u shpreh se qeveria dhe Partia Socialiste nuk do të bëjnë asnjë hap pas, por vetëm përpara. "Një gjë është e sigurt, ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne, as nuk ka dhe as nuk do të ketë. Kjo shumicë kurrë nuk bën gabime të qëllimshme për të tradhtuar interesat e atdheut. Iu garantoj që PS-ja dhe qeveria jonë nuk bën asnjë hap mbrapa, por vetëm përpara" deklaroi Rama.

E ndërsa kryeministri Rama vijonte takimin me qytetarët një grup simpatizantësh demokratë protestuan duke kërkuar largimin e tij nga pushteti. Rama i cilësoi si '100 petritat e Saliut' që po kërkojnë që të bëjnë revolucion. "Atje ku  ishim, ku duan të na kthejnë ata pas. Në Fier ka edhe demokratë dhe njerëz të zakonshëm që asnjëherë nuk e kanë vlerësuar PS-në, por jam i bindur që ata nuk kanë asnjë lidhje me ata 100 petritat e Saliut atje te kthesa, të cilët përfaqësojnë ekzakësisht dëshpërimin e madh të Saliut dhe çetës së tij që tani ka mbetur aty ku i takon rrugëve.
Sikur la rrugët, rrugëve e nxori PD-në rrugëve" tha Rama. Në fund të fjalës së tij ai rikonfirmoi edhe njëherë rikandimin e Armando Subashit për bashkinë e Fierit në zgjedhjet e 30 qershorit, për të cilat tha se opozita do të marrë pjesë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:44
'Të marrshin të keqen, u bëfsh 100-vjet kryetar shteti'/ Rama batuta: Hyri ilegalisht (VIDEO)

Gjatë takimit në Fier disa qytetarë treguan rastet e tyre të zgjidhjes së problemeve në kohë rekord përmes platformës së bashkëqeverisjes. Rama u shpreh se "deputetët ankohen se ndonjëherë ministrat nuk u hapin telefonin, ndërsa me qytetarët nuk kanë asnjë shans" tha ai.

Ndërkohë që nuk munguan batutat. Një grua, pasi falenderoi kryeministrin për punët e mira që sipas saj ka bërë në qeverisje tha "Jam anëtare partie, votën do ia japim këtij, kush e ka inati i marrë të keqen, u bëfsh 100 vjet kryetar shteti, sikur të kishe ardhur 10 vite më parë, Shqipëria do të ishte më mirë. Edhe Armando (kryetari i bashkisë) e ka bërë qytetin Amerikë)" tha ajo.

E ndërsa të pranishmit shpërthyen në të qeshura dhe duartrokitje, Rama tha "Nuk është e platformës, ka dalë vetë, ka hyrë në mënyrë ilegale, nuk është nga ata të platformës. O zot si na hyrë kështu. Po si hyrë kështu, apo pe ato në parlament, prandaj ikën ata që donin të merrnin fjalën pa leje" tha ajo.


Ora 12:12
'Votim elektronik o lale'/ Rama: Kur Luli takonte fshehurazi doktoreshën në kohën e çadrës

Kryeministri Edi Rama tha sot se në kohën kur PD-ja ishte në çadër, Basha takonte fshehurazi Monika Kryemadhin, që sot është kryetare e LSI-së. "Kemi përgatitur reformën zgjedhore. Por, Luli varet ca kasete fut, atëherë kishte atë 'votim dhe numërim elektronik o lale se ndryshe nuk bëhet gjë'. Dhe ne kemi studime dhe jemi gati ta testojmë, por ai ka ndërruar kasetën ndërkohë. Tani është kaseta e re. Kur këndonte kasetën e vjetër doktoreshën e takonte fshehurazi, ndërsa tani doktoresha e mban për krahu nuk e lë" tha Rama.

Ora 12:06
Rama: Opozita do të futet në zgjedhjet e qershorit, i pret humbja

Me apo pa opozitën zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen deklaroi kryeministri Rama nga Fieri. "Nuk e di nëse do të futen në zgjedhje apo jo, unë them do të futen, por si të duan dhe ta duan ata. Por ata nuk fitojnë dot asnjë nga bashkitë që ne kemi dhe nuk mbajnë as gjysmën e atyre që kanë. Dhe po vijuan kështu edhe më keq do të jetë, sikur e bënë me çadrë dhe në fund thonin nuk jemi të përgatitur" tha ai.

Ora 11:55
Protestat e opozitës/ Rama: Po ngushtohet laku i drejtësisë

Edhe nga Fieri, kryeministri Rama u shpreh se opozita proteston pasi ka hallin e drejtësisë së re. "Kujt ti dorëzohemi? Atyre te kthesa? Që në kthesë, janë do të mbeten dhe nuk kanë për ta marrë dot nëse kohët nuk do të ndahen nga kush i ka marrë peng. Peng i ka marrë koka që nuk di ku i çon. Ne iu kujtohet shumë mirë. U lodh nëpër Shqipëri dhe gjithë verën fjeti gjumë. Ndërsa tani prapë nga e para, jo në çadër, por rrugëve. Kur duan të vijnë në Tiranë mbyllin bashkitë e Kamzës, Shhkodrës, Kavajës dhe të tjerë. Vijnë edhe ata që u mbyllën lojërat e fatit se kushedi mund të na dalë fati rrugëve. Se po vijnë zgjedhjet, se do të vijnë në Fier, do të kandidojnë Luanin, me ata 100 veta atje? Cfarë do të thotë, se do e kthejmë Gjanicën sikur ishte? Duan të krijojnë gjithë alibinë se zgjedhjet janë kot, blihen dhe shiten. Kanë edhe një hall tjetër, ajo e shkreta reforma në drejtësi, se po ngushtohet laku. Disa halle ata i kanë ua di tërë populli" tha ai.

Ora 11:55
'Bleve deputetët e rinj'/ Rama: S'i mbajta dorën Lulit, por ata nuk janë budallenj

Opozita ka akuzuar kryeministrin Rama se ka blerë kandidatët nga listat e tyre vijuese që të pranojnë mandatin e deputetit. Por, Rama sot iu përgjigj Bashës dhe Kryemadhit nga Fieri. "Po kur thonë këta që vijnë në parlament janë të Ramës, po unë ua vura në listat e deputetëve? Unë ia mbajta dorën Lulit, unë Lulin e mbajta për dore, por nuk i mbajta dorën. Ata të tjerët nuk janë të gjithë budallenj, u vjen mundësi të vijnë në parlament të marrin rrogë, pension. Pse do të rrijë pas Luanit. Mirë që nuk kanë ide në parlament, por kanë edhe Saliun dhe thanë po ikim. Keni parë ju që kandidati për kryeministër i Shqipërisë vjen me xhup me vezë në xhep dhe ai tjetri vjen edhe m'i hedh mua.

Shumica këtu janë normalë jo si këta që po bëjnë revolucion aty jashtë. Pak e nga pak ata po treten rrugëve" tha ai.