Ministria e Shëndetësisë ka bërë publike bilancin paraprak të personave të lënduar gjatë protestës së dhunshme të 24 tetorit 2026 në Tiranë, ku gjithsej 23 persona kanë mbetur të lënduar.
Sipas njoftimit të Ministrisë, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 16 persona, mes tyre 12 protestues, dy përfaqësues të medias dhe dy efektivë policie.
Problematike mbetet gjendja e 28-vjeçarit Erion Vishkulli që pësoi dëmtim në sy, dyshohet nga një fishek gome i gjuajtur nga Policia, i cili sipas Ministrisë iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente gjatë ditës së djeshme.
Për këtë rast, Ministria njofton se sot do të zhvillohet një konsultë e zgjeruar me një ekip të përbashkët specialistësh nga Spitali Universitar i Traumës dhe QSUT, për të përcaktuar vijimësinë e trajtimit.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur pesë persona të lënduar: një deputet i Kuvendit (dyshohet për Gjin Gjonin, i cili u lëndua nga gazi lotsjellës), një protestues, dy efektivë policie dhe një përfaqësues i medias. Sipas Ministrisë, të gjithë kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe janë larguar nga ambientet e spitalit.
Dy efektivë të tjerë policie janë paraqitur në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë, ku kanë marrë trajtimin përkatës dhe më pas janë larguar.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
PËRDITËSIM informacioni mbi të lënduarit gjatë protestës së djeshme, 25 tetor 2026, oa 09:15
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore dhe poliklinikat informon se gjatë protestës së datës 24 tetor 2026 në strukturat shëndetësore janë paraqitur 23 të lënduar:
*Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 16 të lënduar:
- 12 protestues. Njëri prej të cilëve i lënduar në sy.
- 2 përfaqësues të medias.
- 2 efektivë policie.
Për protestuesin e lënduar në sy: është kryer dje ndërhyrja kirurgjikale e urgjencës. Sot do të zhvillohet një konsultë e zgjeruar, me ekip të përbashkët profesionistësh të SUT dhe QSUT për të përcaktuar vijueshmërinë e trajtimit.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë paraqitur:
- 1 deputet i Kuvendit
- 1 protestues
- 2 efektivë policie
- 1 përfaqësues i medias
Të lënduarit kanë marrë mjekimin dhe kanë lënë ambjentet e QSUT.
Poliklinika e Specialiteteve Nr.2, Tiranë janë paraqitur:
- 2 efektivë policie, të cilët kanë marrë trajtim e nevojshëm dhe janë larguar.







Komente
Komento