Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis njoftoi në parlament një paketë 150 milion euro për fermerët ndërsa masa të tjera lehtësuese do të njoftohen në rast të një takimi mes qeverisë dhe një përfaqësie të protestuesve. 

Qeveria greke do ta shpërndajë me hyrjen e vitit të ri fondin tek fermerët, duke e argumentuar atë si një fitim i munguar i prodhuesve.

Mitsotakis pranoi se qeveria është vonuar në reagimin e saj për të stabilizuar situatën dhe gjithashtu tha se disa masa të tjera do të njoftohen si pjesë e lehtësimeve për fermerët që protestojnë prej rreth 3 javësh.

CNN grek raporton se qeveria synon një takim ballë për ballë të Mitsotakis me përfaqësuesit e fermerëve të cilëve pritet t’u propozohen edhe mekanizma lehtësues për energjinë elektrike dhe çmimin e karburantit që do të pasqyrohet që në pompat e stacioneve.

Kreu i ekzekutivit grek ndërkohë, përjashtoi shkrirjen e agjencisë së subvencioneve me një tjetër që do të ofrojë më shumë transparencë, sidomos pas skandalit me subvencionet që çuan në vonesat e pagesave dhe si rrjedhojë edhe në protestat e fermerëve.

Këta të fundit kanë nisur një fushatë bllokadash mes tyre rrugë dogana dhe porte që kanë futur në kaos vendin, duke kërcënuar me shtrirjen e tij edhe përgjatë festave në rast të mos plotësimit të kërkesave që i kanë dërguar ekzekutivit disa ditë më parë.