TIRANË - Në protestën e pestë radhazi përpara Kryeministrisë, Sali Berisha, jo vetëm që nuk arriti të mblidhte me tepër demokratë rreth vetes, por numri i mbështetësve u tkurr edhe më shumë se në 4 herët e tjera. Pamjet me dron që përcjell Report Tv tregojnë se bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte thuaje bosh.
Në të njëjtin bulevard, më herët pati përplasje mes protestuesve të Adriatik Lapajt, i cili prej disa ditësh qëndron para derës së Kryeministrisë, dhe policisë. Blutë kërkuan të zhvendosen për të marrë masat për zhvillimin e Foltores së Sali Berishës, që të vihet perimetri i sigurisë, dhe kaq mjaftoi që situata të tensionohej.
Pak më vonë, gjithsesi, Adriatik Lapaj dhe të tijtë, pranuan të lëvizin pranë Kryesisë së Kuvendit, që sheshin t’ia linin PD-së. Akuzat ndaj policisë nuk munguan dhe këtë herë.
Në nisje të fjalës së tij, para një grushti militantësh, Sali Berisha, i doli në krah Adratik Lapajt, mbështetësit e të cilit refuzuan shtrirjen e dorës nga ana e kryedemokratit. Lideri i selisë blu mbështeti protestat e Lapajt duke akuzuar policinë se e mori zvarrë, dhe se me akte banditeske i heq çadrat dhe karriget.
Ndërsa për demokratët, Berisha pati këtë mesazh.
"Ne mblidhemi për të shpallur para jush këtu, për të shpallur para mbarë shqiptarëve se PD nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës, për fitoren e shqiptarëve",- tha Berisha.
Ndonëse në 5 të hënat radhazi përpara Kryeministrisë ai nuk arriti të mbledh rreth vetes veçse një grusht mbështetësish, Berisha këmbëngul se do ia arrij të largojë kryeministrin Rama të hënën e ardhshme.
"Data 22 është data e protestës së përgjithshme kombëtare. Data në të cilën rrugët e Tiranës do të ushtojnë, largohu hajdut se koha jote ka marrë fund. U garantoj se PD do bëjë gjithçka për frontin më të gjerë të mundshëm në këtë betejë. U garantoj se PD do të përdorë të gjitha format e qëndresës, të gjitha format e rezistencës gjer në largimin e tij",- tha Berisha.
Ambicia e Berishës është "zënia për tre javë e këtij sheshi. Kjo është. Këtu duhet të arrijmë ne. Këtu duhet të betohemi ne. Për këtë duhet të betohemi ne.'
Sali Berisha paralajmëroi bllokim të sheshit para Kryeministrisë, për 3 javë, me çadra. Përpara protestës, në mbledhjen e grupit parlamentar PD vendosi do të çojë në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e Endri Shabanit në postin e Avokatit të Popullit, i cili u zgjodh me firmat e PD si kandidat, por mori votëbesim prej 85 votash votat e mazhorancës.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla nuk harroi as sot të ironizojë protestën e PD para Kryeministrisë duke i shtuar dozat e humorit me video të përpunuar nga Inteligjenca Artificiale e cila i ka shndërruar protestuesit në dasmorë duke ia marrë valles.
Videoja, e shoqëruar me diçiturë ironike, i paraqet protestuesit duke ia marrë valles me këngë për Sali Berishën, në një atmosferë që i ngjan më shumë një dasme popullore sesa një tubimi politik. Sipas Ballës, për të marrë pjesë në këtë “festë”, duket se duhen edhe ca kushte profesionale.
“Aaaaaa sot po që kanë lezet krushqitse kohë festash jemi edhe duhet hedh ndonjë valleKush vjen si sot java të mësojë mirë vallen, ndryshe nuk lejohet në dasmë', shkruan ai.
Batutat e Ballës me pamjet nga lart të protestës, ku dallohet një numër i kufizuar protestuesish, nisën me referencën tashmë të famshme të humoristit shkodran Besnik Çinari- “Kaq në Shkodër i çojmë krushq në dasmë”, për të vijuar javë pas jave me “krushq të lodhur” apo “krushq të dehur” të një proteste që i ngjan më shumë tallavasë sesa një zhvillimi serioz politik.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar se nga protesta 22 dhjetorit, bulevardi "Dëshmorët e Kombit" para Kryeministrisë, do të bllokohet për të paktën 3 javë radhazi.
"U garantoj se PD do të përdorë të gjitha format e qendresës, të gjitha format e rezistencës gjer në largimin e tij. Por miq, në qoftë se më pyesni cila është më e mira, më kryesorja, zënia për tre javë e këtij sheshi. Kjo është. Këtu duhet të arrijmë ne. Këtu duhet të betohemi ne. Për këtë duhet të betohemi ne. Këtu duhet të vijnë njerëz të betuar për të shpëtuar vendin e tyre, për të shpëtuar Shqipërinë, për të shpëtuar familjen e tyre, për të shpëtuar të ardhmen e tyre. Si opozitë, ne paraqitëm para shqiptarëve programin më të shkëlqyer që kemi paraqitur ndonjëherë. Por natyrisht, miliardat, dhuna, terrori, policia politike e votës, të gjitha këto shkatërruan zgjedhjet dhe i shndërruan në farsë. Tani ne jemi vota, jemi guximi, jemi forca, jemi fitorja",- tha Berisha.
Sali Berisha paralajmëron protestë të dhunshme dhe të gjatë para Kryeministrisë më 22 dhjetor, deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Ky hajdut rri këtu për shkakun tonë, por kjo merr fund. Ky hajdut rri këtu sepse nuk i kemi treguar ne forcën tonë dhe do t’ia tregojmë atij. Ju jap fjalën se atë që ka përjetuar në vitin ’91, tek ikte me autoblinda nga Blloku në tunelet e Enver Hoxhës, do ta përjetojë së shpejti”,- tha Berisha.
Sali Berisha thotë se nuk do të largohen nga sheshi para Kryeministrisë pa larguar Edi Ramën nga qeverisja, të cilin e quan armik të votës së lirë.
“Këtë shesh nuk e lëshojmë pa largimin e Ramës. Rrugë tjetër përveç protestës, kacafytjes me të nuk ka dhe nuk mund të ketë. Është armik i votës së lirë, armik i demokracisë shqiptare, në të drejtën tonë, në guximin tonë, ne nuk duhet ti ndahemi asnjë minutë derisa ta largojmë nga skena këtë kriminel të votës së lirë. Me zv.kryeministren kapen në flagrancë duke vjedhur 50 mln euro me tunelin e llogarasë. Në një kryeministër të tillë se pranojmë kurrë, ky hajdut që çdo tullë të sarajeve të tij e ka drejtën e mundin e taksapaguesit shqiptar. Ky hajdut që vetëm në 2 vite ka bërë 140 fluturime transportuar privatisht para të vjedhura”, tha Berisha.
Në protestën para kryeministrisë, Sali Berisha përshëndeti edhe protestuesit e Adriatik Lapajt. Pas përplasjes me Policinë, e cila vendosi kordonin e policisë për protestën e PD, Lapaj dhe mbështetësit e tij ularguan për t’i lruar bulevardin Sali Berishës. Ndërsa ky i fundit në fjalën e tij akuzoi policinë se me akte banditësh i heq Lapajt çadrat dhe karriget që përdor gjatë protestës paqësore.
“Të nderuar protestues të partisë Shqipëria Bëhet, sonte ne mblidhemi për të shpallur para mbarë shqiptarëve se PD nis betejën e saj përfundimtare për fitoren e opozitës, për fitoren e shqiptarëve. Parafolësit këtu theksuan se Rama është hajdut i papërmbajtur por në të gjitha ligësitë e njeriut ajo që shteron guximin më shumë është vjedhja. Rama është frikacaku më i madh që ka njohur Shqipëria në atë detyrë. Shikoni se çfarë bën çdo natë, me Adriatik Lapajn në protestën e tij me qytetare, më civile, vë një karrige aty disa mjete dhe proteston në emër të çdo qytetari. Çdo ditë me orë të tëra policia, banditët ua heqin çadrat, tavolinën, ujin me akte banditeske. Pse kjo? Sepse ai është kryefrikacaku i kombit”, tha Berisha.
Përfaqësues i Partisë së Lirisë Gentian Çala gjatës fjalës së tij në protestën e PD para Kryeministrisë, tha se opozita duhet që të protestojë e bashkuar dhe jo e ndarë, duke iu referuar protestës që nismës ‘Shqipëria Bëhet’ të Adratik Lapajt që po zhvillon para Kryeministrisë.
‘Sot jetojmë në vendin ku dënohesh për 10 gramë drogë dhe nuk dënohesh nëse shet drogë në të gjithë Europën. Jetojmë në vendin e reformës në drejtësi ku qytetarëve tanë i duhen dekada që të marrin vendime në një gjykatë. Në vendin ku qeveria nuk burgos të korruptuarit e saj dhe burgos viktimat e tij. Ka nga ata që kanë vendosur që të heshtin edhe pse janë të vjedhur dhe të shtypur. Ka nga ata që frika i ka bërë që të bashkëjetojnë me të keqen. Mua më vjen keq që shikoj që opozita është e ndarë dikush në një cep dhe disa të tjerë këtu. Opozita është çështje besimi dhe ata që duan që të kenë bashkë në një shesh bashkë’, tha ai.
Deputetja Ina Zhupa ka dënuar spostimin nga policia të Adriatik Lapajt dhe mbështetësve të tij nga trotuari para Kryeministrisë, ku qëndronin prej 1 jave, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit".
Në protestën e Partisë Demokratike, Zhupa tha se sheshi është i të gjithëve, e veçanërisht i atyre që protestojnë kundër kryeministrit Edi Rama.
"Unë përshëndes edhe protestën e aktivistëve të "Shqipëria Bëhet" dhe dënoj dhunën policore ndaj tyre, sepse sheshi është i të gjithëve, për të gjithë protestuesit kundra Edi Ramës, për çdo opozitar, qytetar, sepse është një e keqe e madhe",- tha Zhupa.
Deputetja demokrate kritikoi edhe punën e Kuvendit, duke thënë se që nga shtatori, parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit nuk ka miratuar asnjë ligj që i shërben interesit të shqiptarëve.
“Jemi që në shtator që jemi mbledhur në Kuvend. Po propozon PD mocion me debat për skandalin e Onkologjikut, rrezohen ata. Kam propozuar amendim për sigurinë në shkolla. Po na vrasin fëmijët në shkolla. Nuk e miratojnë. Nuk miratojnë asgjë që çon para te mësuesit, te fermerët”,- tha Zhupa.
Në protestën e Sali Berishës para Kryeministrisë u shfaq edhe vajza e tij, Argita Berisha. Ajo u shfaq mes militantëve të paktë që iu bashkuan Berishës, të cilët nga java në javë po tkurren në numër.
Kreu i PD Sali Berisha ka shkuar në protestën që do të zhvillohet sot para Kryeministrisë.
Kjo është protesta e pestë që bëhet para Kryeministrisë, me të cilën Berisha kërkon që të rrëzojë qeverinë.
Sali Berisha duket se po braktiset çdo ditë e më shumë, jo vetëm nga qytetarët, por edhe dhe militantët e Partisë Demokratike. Në protestën e pestë të para kryeministrisë, pjesëmarrja në tubimin e krydemokratit ishte disa herë më e ulët se në 4 protestat e mëparshme, të cilat janë zhvilluar çdo të henë të 4 javëve të fundit.
Pas 1 jave para Kryeministrisë, Policia e Shtetit ka larguar me forcë Adriatik Lapajn dhe mbështetësit e tij, duke i nxjerrë jashtë perimetrit të sigurisë të caktuar në kuadër të protestës që do të mbajë këtë të hënë Partia Demokratike.
Spostimi nga trotuari para godinës qeveritare, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", shkaktoi përplasje fizike mes protestuesve të partisë "Shqipëria Bëhet" dhe bluve.
Gjatë konfrontimit mbeti i lënduar një nga mbështetësit e Lapajt, të cilin minuta më pas e transportuan me ambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.
Pas spostimit me forcë, Lapaj tha se veprimi i policisë tregon bashkëpunimin mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, pasi për protestën e kryedemokratit po sigurohen kushtet për zhvillimin e saj, si lidhja me energjinë elektrike që nevojitet për ndezjen e prozhektorëve, funksionimin e mikrofonit në podium dhe bokseve të zërit.
Ndërkohë, pas përplasjes me Policinë, Shqipëria Bëhet u largua nga bulevardi dhe u vendos pranë Kryesisë së Kuvendit për t'i liruar vendin Sali Berishës për protestën e radhës.
Komente












AKOMA KY NDYRESIRE NE BULEVARD.....TE RENTE DAMLLAJA ATY NE SHESH MOR QEN...KY ESHTE URIMI IM PER VITIN E RI...
PërgjigjuKan dale me ble gjelin e detit se misioni ka mbaru . Ska kush me u mbledhe se i kane larguar tane .
PërgjigjuGézuar festat ! Shihemi 2026
PërgjigjuGezuar dhe per shume vjet