Protesta u zhvillua para Parlamentit në të njëjtën kohë që Kuvendi zhvilloi seancën plenare ku u diskutua për mbi dy orë mbi trafikun e drogë, e cila u ndoq nga protestuesit përmes ekraneve të vendosura jashtë ambjenteve të godinës së seancave plenare. Një pjesë e deputetëve merrnin pjesë në seancë, ndërsa një pjesë e tyre ndodheshin mes protestuesve duke mbajtur fjalime.
Në fjalën e tij mes protestuesve, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se opozita nuk mund të pranojë që vendi të qeveriset nga karteli i drogës. Sipas Bashës, "përgjegjësi kryesor i narkotrafikut në vend është kryeministri Edi Rama", prandaj sipas tij qëllimi i protestës është dorëheqja e kryeministrit.
Para ambjenteve të Parlamentit, veç mbështetësve të Partisë Demorkatikëve dhe qytetarëve, u mblodhën edhe drejtuesit e furgonëve 8+1, nëpunësit e larguar nga puna, ish-policët e të tjerë.
BASHA: NUK PRANOJME TE QEVERISEMI NGA KARTELI I DROGES
Kretari i PD, Lulzim Basha duke folur nga protesta, tha se opozita nuk do ta lejojë që vendin ta qeverisë pushteti i kartelit të drogës. Në fjalën e tij Basha kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si përgjegjës kryesor dhe të implikuar në trafikun e drogës.
“Sot nuk dua të ndalem gjatë me gjëmën e rëndë të narkotrafikut, të drogës me avionë, të drogës që nuk zvarritet më, nuk hipën më as në mushka, makina e gomone, por ka kapur qiellin e shqipërisë dhe për ta bërë këtë ju deshën vetëm 9 muaj. Plani i kartelit të drogës është të blejë zgjedhje pas zgjedhje, të blejë tokën, ujin, të blejë liritë, të blejë demokracinë e shqiptarëve. Plani i tyre ogurzi është të rrënjosin dhe të konsolidojnë përmes mashtrimit të atyre që janë brenda oligarkinë e drogës në vend të demokracisë. Por nuk do të mundin sepse shqiptarët janë më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë. Një përgjegjës ka këtu, është vetëm Edi Rama.” u shpreh Lulzim Basha
Sipas kreut të PD, qeveria po përpiqet të fshehë të vërtetën e ngjarjes së Divjakës.
“Jemi përballur me të për të mbrojtur ligjin, për mashtrimet dhe dështimin e tij, që në 8 muaj ja ka dalë të nxjerrë më shumë njerëz nga puna se në 10 vitet e fundit. Sot do përballemi me të jo si opozitë por si shumica absolute, dhe kemi detyrën e shenjtë, dhe të drejtën ti themi dorëhiqu dhe ik. Shqiptarët nuk mund të pranojnë të qeverisen nga një njeri i kapur fund e krye nga karteli i drogës. Shqiptarët nuk ja kanë borxh të ardhmen e fëmijëve të tyre një njeriu që i ka borxh kartelit të drogës. A do ta pranojmë ne këtë qeveri e cila sot ka 1 javë hallin se si t’i ikë përgjegjësisë dhe të fshehë të vërtetën, apo do të përcojmë shqetësimin mbarëpopullor për të mos lënë shqipërinë në dorë të drogës. Ndaj sot e nisim këtë betëjë, për ta vazhduar çdo ditë javë e muaj deri sa Rama të mbajë përgjegjësinë dhe të largohet.” tha Basha
DEPUTETET E PD: RAMA IK!
Ndërkohë deputetë të Partisë Demokratike kanë dalë përkohësisht nga salla e Kuvendit për të përshëndetur protestuesit. Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka tha se kjo qeveri ka rënë sëbashku me avionin e drogës.
“Nuk janë më qeveria e shqiptarëve, edhe pse qëndrojnë në ato karrige. Do qëndrojnë aty për të vjedhur shqiptarët por s’mund të na përfaqwsojnw më, ndaj opozita jemi këtu, nuk mund të vazhdosh më sepse ti zoti Rama je imazh i trafikut, i trafikantëve ndaj nuk mund të jesh aty ku je. – u shpreh Noka
Ndërsa deputeti Arben Ristani tha se “Fqinjët tanë po nxjerrin ushtrinë në kufi për të mbrojtur nga Droga. Eskobari jonë duhet të largohet.” “Mos u largoni deri në momentin e fundit. Ky kryeministër duhet të japë dorëheqje, mushkonja janë ata që fshihen atje, jemi qytetarë të këtij vendit jo vetëm demokratë. Këta mendojmë se do lodhemi ose do gënjehemi. Rroftë shpirti i demokratëve, nuk jemi të humbur.” -u shpreh koordinatorja e PD, Grida Dume
"Ajo që ndodhi të shtunën është kapja e shtetit"- nisi fjalën e saj deputetja e PD, Jorida Tabaku duke shtuar se “Kjo nuk është betejë mes të djathtës dhe së majtës një betejë e njerëzve për të hedhur një pushtet të kapur nga droga. Ne nuk do të ndalemi deri kur Rama të ikë, nuk ka më kuptim një qeveri e kapur nga krimi. "
“Ky kryeministër e mohoi çështjen e armëve kimike dhe ajo i plasi në dorë, mohoi drogën, tha mushkonja dhe i ra në kokë avioni. Ramës i ka ardhur koha të ikë, pasi është i paaftë për të qeverisur shqiptarët.-tha deputeti tjetër i PD, Gert Bogdani
Mesila Doda u shpreh se duhet të rezistojmë derisa kjo qeveri të largohet. “Kjo klikë oligarkësh nuk mund të ndali rrugën tonë drejt BE. Rama zëvendësoi forcat e policisë me forca kriminele. Të gjithë bashkë duhet të rezistojmë derisa kjo qeveri të largohet, nuk do ndalemi në parlament derisa të dëgjohet zëri juaj”- tha deputetja Doda.
Deputeti i PD, Aldo Bumçi u shpreh se ata do t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje. “Ju e korrët fitoren e parë. Rama dhe Meta kanë frikë të nisin seancën parlamentare prej jush, prandaj kanë 1 orë që nuk e nisin se nuk duan të përballen me të vërtetën. Por ne do i shkojmë kësaj ccështje deri në fund, deri në largimin e Ramës.” tha deputeti Bumçi
Ndërsa deputeti Gent Strazimi tha se PD do të kërkojë zbardhjen e së vërtetës për ngjarjen e Divjakës.
“Kemi dalë këtu si përfaqësues të PD por aty jemi zëdhënësit tuaj. Do të kërkojmë të vërtetën dhe asgjë nuk shpëton nga e vërteta. Jemi këtu për t’ju garantuar, për të ngritur zërin në emër tuaj, se nuk pranojmë të qeverisemi nga një qeveri narkotrafikantësh. Ky është vetëm fillimi, fitoren e parë e korrëm.” tha Stazimiri
MASAT E POLICISË PËR PROTESTËN
Policia e Tiranës ka marrë masat për protestën e Partisë Demokratike, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në rrugën George W.Bush para parlamentit ku u zhvillua protesta. Sipas policisë, rruga do të bllokohej për dy orë, nga ora 10:00 dhe në 12:00.
(Në foto: Masat e policisë për protestën që zhvillohet para Parlamentit të Shqipërisë) Foto të tjera
DY PROTESTAT E OPOZITES
Protestën e parë kreu i PD-së, Lulzim Basha e zhvilloi menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Në tubimin para kryeministrisë në 11 nëntor të vitit të shkuar, Basha kërkoi menjëherë marrjen e përgjegjëgjësisë nga qeveria për vjedhjen e votave në zgjedhjet lokale në Korçë.
Vetëm 3 muaj më vonë në 23-vjetorin e vdekjes së ish-diktatorit Enver Hoxha, opozita u mblodh sërish në shesh për të kërkuar rrëzimin e qeverisë duke e krahasuar me një diktaturë të kohëve moderne.
(Në foto: Pankartat e mbajtura sot nga protestuesit në protestën para Parlamentit) Foto të tjera
Redaksia Online
(e.s/gre.m/shqiptarja.com)