Që prej qershorit të vitit 2024, pedagogëve të Universitetit të Arteve u janë njohur tituj të rinj akademikë. Por ky akt duket të ketë mbetur thjesht një vendim në letër, pasi praktikisht, siç shprehen, për ata nuk ka ndryshuar asgjë, as pagesat dhe as statusi administrativ.
Këtë të enjte, pranë Universitetit të Arteve, ata dolën në një deklaratë për mediat, ku ngritën shqetësimet për situatën e krijuar në këtë institucion të arsimit të lartë.
“Që nga data 12 qershor 2024, këto vendime nuk janë zbatuar në mënyrë të plotë, sidomos në aspektin financiar dhe administrativ, duke bërë që pedagogët të vazhdojnë të trajtohen sipas statusit të mëparshëm.”, tha artisti Josif Gjipali, pedagog në Universitetin e Arteve.
Por ky nuk është shqetësimi i vetëm. Sipas pedagogëve, paralelisht po u kërkohet të ndjekin doktoratura të kushtueshme dhe jo në përputhje me profilin artistik.
Ata kundërshtojnë kërkesën për ndjekjen e doktoraturave dhe theksojnë se kjo krijon një kontradiktë të qartë: nga njëra anë njihen titujt akademikë të bazuar në praktikën artistike, ndërsa nga ana tjetër kërkohet një model klasik akademik që nuk përputhet me natyrën e institucionit.
“Kjo ka krijuar një situatë kontradiktore, ku nga njëra anë njihen titujt në bazë të praktikës artistike, ndërsa nga ana tjetër kërkohet një model klasik akademik.”, vijoi Gjipali.
Pedagogët shprehen se prej më shumë se dy vitesh nuk kanë marrë një përgjigje të qartë nga institucionet përgjegjëse, duke e cilësuar situatën të tejzgjatur dhe të papranueshme. Sipas tyre, kjo gjendje ndikon drejtpërdrejt në standardet dhe funksionimin e Universitetit të Arteve, duke rrezikuar cilësinë akademike dhe vetë mbarëvajtjen e institucionit.
Në mbështetje të tyre është rreshtuar edhe sindikata e pedagogëve.
“Mbështesim plotësisht kërkesat e tyre dhe kërkojmë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtyre vendimeve, pasi kjo është çështje thelbësore për vetë ekzistencën e Universitetit të Arteve.”, tha Sandër Kovaçi, kryetari i sindikatës.
Nëse do të vijohet pa një zgjidhje, pedagogët nuk përjashtojnë si formë reagimi edhe bojkotin e mësimit.
Komente









