Kreu i Partisë Ilir Meta ka reaguar për protestën e studentëve duke akuzuar qeverinë për shkelje të marrëveshjeve dhe premtimeve, rritjen e kostos së jetesës dhe shpopullimin e vendit.
Në reagimin e tij, Meta u ka bërë thirrje studentëve, familjarëve dhe gjithë shoqërisë që të kundërshtojnë politikat e qeverisë, të cilat sipas tij po ndikojnë në largimin e shqiptarëve nga vendi dhe në përgjysmimin e numrit të studentëve gjatë tetë viteve të fundit.
"Pas 8 vitesh besëprerje ndaj Marrëveshjes dhe premtimeve të bëra nga i njëjti Kryeministër, studentët po i japin kushtrimin e tyre të gjithë shoqërisë dhe sidomos familjarëve dhe të afërmve të tyre për t’i thënë MJAFT kolonizimit të vendit përmes shpopullimit të tij të qëllimshëm; përmes rritjes skandaloze të kostove të jetesës të familjeve të tyre; përmes dhurimit të burimeve të naftës oligarkëve rusë, miq të McGonigalit dhe Rosinit; përmes grabitjes së gazit të Delvinës nga Ronët e punëve të pista të Edi Ramës; përmes grabitjes së konvikteve të studentëve në Tiranë për t’i bërë qoka prej 20 milion eurosh një ish-komisionere të Bashkimit Europian, që me mashtrimet e saj, jo vetëm na “futi” 5 herë për hatër të Ramës në BE, por që në fshehtësi u përfshi për gjymtimin e kufijve të Kosovës sipas agjendës së shefit të madh të tyre, George Soros."- ka reaguar Meta.
Sipas Metës, përgjysmimi i numrit të studentëve gjatë tetë viteve të fundit është dëshmi e shpopullimit të vendit, ndërsa ka akuzuar qeverinë për një projekt që sipas tij, synon “kolonizimin e Shqipërisë”.
"Projekti Soros për kolonizimin e Shqipërisë duhet të marrë fund tani dhe asnjë ditë më vonë! Kush nuk do të shikojë se si është përgjysmuar numri i studentëve në këto 8 vite ose është i shitur (patronazhist) ose është analfabet funksional. Një pedagog dje deklaroi publikisht se para disa vitesh kishte 94 studentë ndërsa këtë vit ka vetëm 3. Nëse projekti genocidal i shpopullimit nuk ndalet tani, nesër për 1 student do kemi 10 pedagogë nga të cilët 9 do jenë padyshim patronazhistë. Por e dyshimtë do të mbetej nëse studenti do të ishte shqiptar apo i ardhur nga vendet më të varfra të Azisë dhe Afrikës."-ka thënë ai.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve t’i thonë “MJAFT kolonizimit”, duke kundërshtuar politikat e Edi Ramës dhe vendimet e Kuvendit, të cilat i konsideron të dëmshme për të ardhmen e vendit.
"Ndaj duke i thënë sot PO integrimit, duhet t’i themi MJAFT kolonizimit. Akti diktatorial i 85 “diellave” në Kuvendin e Shqipërisë për të përzënë nga trojet e tyre edhe 300 mijë shqiptarë të tjerë, mjafton jo vetëm për të mos i dhënë më besën, por për t’i dhënë fshesën Akrepit, njëherë e përgjithmonë. Toka e jonë nuk duhet t’i tolerojë më çibanët e huaj."- thuhet në përfundim të reagimit të tij.










Komente
Komento