Një protestë e dhunshme, e paligjshme, e rrezikshme dhe që goditi deri në rendin kushtetues të vendit. Kështu u shpreh një ditë pas protestës së dhunshme të opozitës, ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, teksa doli në një deklaratë për mediat. Duke bërë një krahasim me tetë protestat e mëparshme antiqeveritare të opozitës, këtë radhë -tha Lleshaj - pati më tepër dhunë, dhe më shumë persona të maskuar që nxitën dhe realizuan akte dhune. Zhvendosjen e protestës nga kryeministria, tek Parlamenti, ministri i Brendshëm e quajti një mënyrë tinëzare të organizatorëve që lejen në polici e kishin marrë për tubim vetëm para kryeministrisë.  

"Protestë e dhunshme e paligjshme dhe e rrezikshme. Ishte një devijim i rëndë nga ligji, pati shumë më pak pjesëmarrës, gjë që përbën një lajm pozitiv se tregon që shqiptarët po kuptojnë se pas kujt nuk duhet të rendin dhe pas kujt duhet të shkojnë. Por pati shumë më tepër dhunë dhe tregon dëshpërimin e organizatorëve. Pati më tepër maska, dhe ndaj solli më tepër dhunë. U zhvendos në mënyrë tinëzare nga kryeministria, drejt parlamentit që ishte i boshatisur, duke krijuar pasaoja të rënda, duke përfshirë qytetarë të palidhur me protestën, duke sjellë dëme për biznese dhe mjete", tha ministri.

Thirrje antikushtetuese per kryengritje, sa denohen pjesemarresit dhe organizatoret

Sipas tij, dhuna jo vetëm që nuk u shmang nga opozita, pro organizatorët kishin hartuar plane nga grupe sulmi kundër institucioneve kushtetuese dhe forcave të rendit.  Lleshaj theksoi se veç tentativave për të sulmuar Kuvendin e Shqipërisë pa deputetë, pati thirrje antikushtetuese për kryengritje, revolucion dhe dhunë. E kështu, sipas tij, protesta po kthehet në një problem të rendit kushtetues, ku vetë organizatorët, siç paralajmëroi ministri, nuk do t'i shpëtojnë përgjegjësisë.

"Nga ana e organizatorëve nuk ishin marrë asnjë masë për sigurimin e saj, asnjë burim që protesta të zhvillohej brenda kornizës ligjore. Përkundrazi, u pa qartë se nga organizatorët, ishin marrë masa për të hartuar plane sulmi nga grupe sulmi për të përdorur dhunë kundër institucioneve kushtetuese dhe forcave të rendit. Pati thirrje antikushtetuese për kryengritje revolucion, dhunë. U përdorën lëndë të ndaluara shpërthyese. Përshkallëzimi i protestës po e zhvendos nga një problem i rendit publik në një problem të rendit kushtetues, organizatorët dhe pjesëmarrësit mund të përballen me akuza që kanë të bëjnë me cënimin dhe sulmet e organeve kushtetues të vendit. Kjo protestë nuk po godet qeverinë, madje e forcon atë. Po godet shtetin shqiptar, imazhin e tij dhe perspektivë euroatlantike", tha Lleshaj.

Por sa vite burg mund të rrezikojnë pjesëmarrësit në veprimet e dhunshme, dhe organizatorët nëse policia ngre akuzën e për krime kundër rendit kushtetues, e konkretisht për thirrjet për kryengritje, siç ministri Lleshaj u shpreh.

Neni 221 për kryengritjen dënon deri në 25 vite burg personat që ushtrojnë dhunën, dhe me burgim të përjetshëm udhëheqësit dhe organizatorët

Neni

"Pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash apo barrikadash për të ndalur forcat e rendit, rezistenca me armë apo çarmatosja e tyre, pushtimi me forcë i ndërtesave, kryerja e plaçkitjeve, grumbullimi apo vënia në dispozicion e armëve, municioneve dhe njerëzve, krijimi i lehtësirave në favor të kryengritësve, të bëra për të përmbysur rendin kushtetues, dënohen më burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet. Marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme dënohet me burgim të përjetshëm".

"Shume me pak pjesemarres, shqiptaret po kuptojne se pas kujt duhet te shkojne"

Një ndryshim tjetër nga protestat e mëparshme të opozitës, ishte dhe pjesëmarrja e ulët në tubim, që për Lleshajn ishte një lajm i mirë: "Pati shumë më pak pjesëmarrës, gjë që përbën një lajm pozitiv se tregon që shqiptarët po kuptojnë se pas kujt nuk duhet të rendin dhe pas kujt duhet të shkojnë".

"Do gjejme origjinen nga erdhen mjetet e ndaluara pirroteknike"

Pas falenderimeve për qytetarët, që janë distancuar nga dhuna, dhe thirrjes për ta braktisur atë edhe më tej, Lleshaj u ndal tek efektivët e policisë. Disa prej tyre mbetën të plagosur, nga një tjetër shkelje e rëndë e ligjit nga ana e opozitës. Protestuesit ishin të pajisur me mjete piroteknike, kapsollë, shashka e tymuese, çka solli edhe dëmtime me djegie në fytyrë të efektivëve që ishin në rreshtat e parë të sigurisë në mbrojtje të institucioneve. Puna e policisë dhe autoriteteve ligjzbatuese në vijim do të jetë ndër të tjera edhe për të zbardhur se nga janë marrë këto mjete ilegale, pasi në Shqipëri pak para nisjes së këtij viti janë të ndaluara.

"Mjetet piroteknike janë të futura në mënyrë ilegale dhe të përdorura në mënyrë ilegale kundër policisë, nuk mund të them ende se nga kanë hyrë, por ju garantoj që strukturat e policisë janë në aktivitet të plotë të ndjekur origjinën e ardhjes së këtyre mjeteve piroteknike dhe për të vënë para ligjit që i përdorur ndaj policisë të pambrojtur për përdorimin e tyre. Janë marrë masa për të shoqëruar dhe arrestuar personat që kanë konsumuar vepra të ndryshme penale", tha Lleshaj.

"Policia reagoi me trimeri perballe njerezve qe kane vrare per mbrojtjen e gardheve te tyre"

Përmendi në mënyrë të nënkuptuar protestën e 21 Janarit 2011 kur opozitë në atë kohë ishte qeveria e tanishme, dhe në pushtet ishte kryeministër Sali Berisha me ministër të Brendshëm Lulzim Bashën. Tha se policia në protestën e djeshme u tregua dinjitoze dhe trime, përballë njerëzve që sipas tij vranë për të mbrojtur gardhet e tyre të pushtetit.

"Policia dha shembull dinjiteti në krye të detyrës, policia reagoi me trimëri përballë njerëzve që kanë vrarë njerëz për mbrojtjen e gardheve të tyre. Shpreh solidaritet me fëmijët, bashkëshortet, nënat e policëve të plagosur nga dhuna e protestës së verbër të protestës", tha Lleshaj.