Protesta qytetare para Kryeministrisë në Tiranë ka hyrë në ditën e 62-të, ndërsa aktivistët përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj u shpreh se protesta ka tejkaluar çdo pritshmëri dhe, sipas saj, u ka rikthyer shpresën shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Ajo tha se, pavarësisht më shumë se dy muajve protesta, qeveria nuk ka reflektuar ndaj kërkesave të qytetarëve, por ka zgjedhur t’i etiketojë protestuesit me terma përçmues.

"Ne jemi flamingo, sepse na detyruat të shtegtojmë pasi keni vjedhur për katër mandate. Por dimë të jemi edhe korba e sorra që luftojnë ata që grabisin shtetin dhe i detyrojnë shqiptarët të largohen", deklaroi ajo.

Në tubim foli edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj, i cili ka qenë pjesë e protestës që nga dita e parë. Ai bëri thirrje për mobilizim kundër qeverisë dhe kundër ndryshimeve të propozuara për reformën territoriale, duke u kërkuar banorëve të bashkive të vogla të reagojnë.

Një tjetër protestues deklaroi se synimi i lëvizjes është rrëzimi i sistemit politik që, sipas tij, është kapur nga Edi Rama dhe Sali Berisha. Ai tha se reforma territoriale po nxit shpopullimin e vendit dhe se protesta synon një Kushtetutë të re dhe rikthimin e lirisë dhe të drejtave të qytetarëve.

lajm në përditësim...