Report Tv ka pyetur disa qytetarë të cilët ishin në protestën e organizuar në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë, për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në Hagë.

Ata u shprehën se Pavarësia e Kosovës nuk është e plotë pa ta dhe se mbahen padrejtësisht në burg.

“Liri çlirimtarëve. Padrejtësisht mbahen në burgje. Liri çlirimtarëve, është historia e popullit tonë.

“Unë jetoj në Gjermani, dhe çdo protestë jam përkrahëse e krerëve të UÇK, luftuam për lirinë tonë që sot po e gëzojmë, nuk është e plotë pa ta. Nëse nuk lirohen ata, ne nuk jemi të lirë. Pa ta nuk ka liri. Ata e sollën lirinë përkrah me Europën dhe Amerikën. Nëse ata dënohen, duhen dënuar edhe ata që ndihmuan për këtë liri. Ata duhet të ishin serbët që bënë masakra dhe jo ata që luftuan për vendin e tyre.", thanë disa qytetarë.

Të tjerë qytetarë deklaruan se ish-krerët e UÇK-së janë të pastër si loti dhe vetë UÇK-ja është historia e Kosovës.

“Ja uroj festën e Pavarësisë gjithë shqiptarëve, për këtë ditë u derdh shumë gjak. Ne jemi të pastër si loti, katërshja që është në Hagë, janë të pastër si loti. Shpresoj të lirohen. Nëse ata dënohen, vetëm drejtësi nuk është.

Drejtësi, jo politikë. E padrejtë, ata kanë luftuar për ne. Duhet të jemi të fortë dhe të vazhdojmë kështu. Jemi të gjithë në një mendim, UÇK është historia e Republikës së Kosovës.", thanë ata.


Lajmi kryesor:

Festë dhe protestë, Kosova 18 vite shtet i pavarur! Mijëra shqiptarë kërkojnë drejtësi për liderët e UÇK-së: Jo politikë! U bashkohet edhe Osmani