'Na lini muzikën pas orës 22:00'/ Pas protestës me Himnin Kombëtar, lokalet në Lungomare të Vlorës pezullojnë sot shërbimin, në kulmin e sezonit turistik! Leli i thërret në takim

VLORË- Në kulmin e sezonit turistik, mbi 90 pronarë biznesesh në Lungomare kanë vendosur që të pezullojnë shërbimin, pasi kërkesa e tyre për të mos ndaluar muzikën pas orën 22:00 nuk është pranuar. Pas protestës së djeshme paqësore, por që në fund përfundoi me disa të shoqëruar në Komisariate, pronarët kanë vendosur që t’u vënë kyçin bizneseve për 24 orë, një masë kjo e cila ishte paralajmëruar më herët prej tyre.

Ky vendim erdhi pasi mbrëmjen e djeshme Policia ‘zbarkoi’ në Vlorë duke gjobitur dhe shoqëruar disa punonjës të cilët nuk kishin respektuar mbylljen e muzikës pas orës 22:00. Disa prej pronarëve kanë kundërshtuar policinë, e për pasojë janë shoqëruar në Komisariat. Kjo solli për agravim të situatës, duke bërë që një numër i madh pronarë biznesesh të mblidheshin para Komisariatit të Vlorës duke kërkuar lirimin e tyre.  “Lironi punëtorit”, ishin këto thirrjet që u dëgjuan para Komisariatit të shoqëruara me duartrokitje dhe fishkëllima. Vasil Bedinaj, kreu i operatorëve turistik në qytetin e Vlorës i ka bërë thirrje Policisë që t’i lirojë pasi ato janë thjeshtë punëtor.

“I bëjmë thirrje drejtorit të Policisë, meqenëse është dhe i ri, dhe duhet të mësojë disa gjëra më shumë për qytetarët vlonjatë, këtu përpara policisë po vijnë të gjithë pronarët e bizneseve këtu në Vlorë që t’i lirojë ato 2 kamarierë se kanë punuar gjithë jetën dhe gjërat t’i shohin më me qetësi ditën e nesërme. Nëse nuk e bëjnë s’do të jetë jashtë kontrollit pak minuta, jemi kundër dhunës, drejtori të mos të ikë, jemi ne përgjegjës si administrator dhe jo punonjësit tanë, nëse dikush nga ne ka gabuar, ne do të mbajmë përgjegjësi, jo ato dy punonjës që paguhen me rrogë minimale”, tha ai.

Protesta pati edhe momente tensioni, ku në momentin që drejtori i Policisë së Vlorë, Olton Bistri, i emëruar pak javë më parë,  po largohet, në kor janë dëgjuar thirrje “Ik, Ik, Ik”, si edhe Bedinaj pati edhe një debat me tone të ashpra me një nga policët. Nisur nga fakti që nuk ka pasur asnjë reagim nga autoritet, ato kanë vendosur që të mbyllin lokalet për 24 orë.

Prej muajsh pronarët e bizneseve po kërkojnë që të mos ndalohet muzika pas orën 22:00  pasi po ndikon negativisht te të ardhurat e tyre. Ato e kanë konsideruar absurde kur në një kohë lejohen koncertet, grumbullimet në shesh apo edhe në ambiente të tjera, muzika të ndalohet vetëm për bizneset. Kjo kërkesë i është bërë herë pas here autoriteteve, e ndërsa këto të fundit e kanë argumentuar se kjo është një masë e cila qëndron në fuqi për shkak të frikës së variantit të ri të COVID-19, atij Delta.

VIDEO/ Momenti i shoqerimi te administratores se nje lokali

 

VIDEO/ Himni dhe momentet e shoqerimeve

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:03
Bizneset në Lungomare pezullojnë shërbimin për 24 orë, Leli i thërret në takim: Muzika afron njerëzit, ndikon në përhapjen e COVID! Skenat e mbrëmshme nuk na nderojnë

Pronarët e bizneseve në Vlorë janë thirrur në një takim nga kreu i Bashkisë, Dritan Leli, në lidhje me protestën e tyre kundër orës policore. Gjatë takimit, Leli foli 'si mjek', ndërsa tha se muzika ndikon në përhapjen e COVID, për shkak se i afron njerëzit dhe i bën të flasin me zë të lartë për shkak të volumit të muzikës, gjë që do të përhapte më shumë spërkla pështyme. Në lidhje me protestën mbrëmjen e djeshme, Leli tha se ato nuk ishin skena që nderojnë Vlorën në pikun e sezonit turistik, ndërsa kërkoi mirëkuptim.

"Kam ndjekur shqetësimin tuaj. Është përcjellë edhe në media problematika e shprehur prej jush, është një shqetësim i madh i juaji, por unë do ju shpjegoj disa gjëra si mjek. Sot kam folur me një nga ekspertët e komitetit teknik dhe duket sikur muzika me zë të lartë, i afron më shumë njerëzit më shumë me njëri-tjetrin dhe për shkak të muzikës së lartë, njerëzit flasin me zë më të lartë dhe përhapin më shumë spërkla. Kryeministri dha lajmin për zgjatjen me një orë, që nuk është pak. Kërkoj që të gjithë të jemi mirëkuptues, skena që kemi parë dje nuk na nderon, jemi në kulmin e sezonit turistik. Ju keni të drejtë, por mjekësia ka disa rregulla. Duhet të jemi mirëkuptues, sepse është diçka që nuk varet nga ne, jemi përball një situate me të cilën do të përballemi", tha Leli.

Ora 11:52
Bizneset në Lezhë: Shtyni orën e muzikës të paktën deri në 01:00!...Kërcënojnë se do ulin qepenat si në Vlorë

 

Bizneset e zonës turistike të Shëngjinit dhe organizimit të eventeve në Lezhë, kane dale në protestë duke kundërshtuar orën policore. Ata kërkojnë zgjatje të orarit të muzikës, pasi sipas tyre kjo situatë po i penalizon rëndë për të dytin vit radhazi. Nëse nuk do kenë reagim, ato kërcënojnë se do ulin qepenat siç kanë bërë bizneset në Vlorë. 

“Kërkojmë që të shtyjë orarin e të paktën deri në orën 01:00.Ky kufizim na ka dëmtuar edhe moralisht dhe ekonomikisht, dasmat e darkës nuk bëhet, na fusin në ngatërresë dhe me klientët”, tha një pronar.

“Papërgjegjshmëria e këtij shteti po na ballafaqon me njerëzit që kanë prerë biletet janë nisur nga jashtë shtetit dhe na vijnë këtu dhe na gjejnë të papërgatitur, është i vetmi muaj që munojnë, penalizohen shumë zinxhirë pas nesh, të mos mendojmë se jemi e vetmja palë e dëmtuar, janë dyqanet e mishit, ushqimoret, bulmetoret. Nuk merremi kush punon e kush punon, qeveria të tregohet e përgjegjshme ndaj nesh”, tha një tjetër.

 

Ora 11:10
Protesta kundër orës policore në Vlorë, flet pronari i një lokali: Ishim më të lirë vjet që kishte më shumë raste me COVID! Policia na provokon

Ervin Sota është një prej 90 pronarëve në Vlorë, i cili ka vendosur të mbyllë biznesin, në shenjë proteste kundër orës policore për mbylljen e muzikës në lokale në orën 22:00. Në një prononcim për mediat, ai thotë se ishin më të lirë sezonin e kaluar, ku rastet me COVID ishin më të larta. Po ashtu Sota akuzon Policinë se i ka provokuar, ndërsa thekson se muzika nuk sjellë COVID.

"Mbrëmë ne vendosëm Himnin Kombëtar dhe ndodhi ajo situatë e pakëndshme me policinë e Shtetit dhe kemi vendosur bashkë që lokalet t'i mbajmë mbyllur në shenjë proteste. Vlora nuk është një qytet me orare mortore, por qytet turistik, ka bërë maksimumin për turizmin, ku biznesmenët sakrifikojnë dhe mundohen të kualifikojnë stafet e tyre. Ne kemi vendosur 24 orë blacout dhe në mbrëmje të gjithë bizneset do të nxjerrin. Hapur në Vlorë kanë mbetur vetëm disa biznese me administratorë Tirane. Vjet kishte më shumë raste COVID dhe ne ishte shumë më të lirë, dhe nuk ishim kurrë të provokuar nga Policia, këtë vit ka provokime nga Policia. Në Lungomare ka njerëz, ndërsa në biznese qenka e ndaluar të rri klienti në tavolinë. Muzika nuk sjellë COVID, ne duam të punojmë brenda rregullave", thotë ai.

Ora 09:54
Protesta në Lungomare të Vlorës kundër orës policore, në hetim 3 pronarë lokalesh, njëri prej tyre gjobitet me 1 mln lekë

Klodian Xhafa, Seldi Xhafa dhe Edlira Tahiraj, tre pronarë lokalesh në Lungomare të Vlorës, të cilët u ngritën në protestë mbrëmjen e djeshme, kundër ndalimit të muzikës në orën 22:00, janë proceduar penalisht.

Po ashtu, Klodian Xhafa është gjobitur edhe me 1 mln lekë, për shkak se nuk fiku muzikën pas orë 22:00, duke 'protestuar' me Himnin Kombëtar.

Të tre personat akuzohen për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.

Ora 09:32
Pronarët e lokaleve në Lungomare vijojnë protestën kundër fikjes së muzikës në orën 22:00, mbyllin bizneset për 24 orë

 

Pronarët e 20 lokaleve në Lungomare të Vlorës vijojnë të protestojnë kundër ndalimit të muzikës në orën 22:00. Bëhet me dije se ata kanë vendosur të mbyllin bizneset e tyre për 24 orë. Ata u ngritën mbrëmjen e djeshme në protestë, që duket se do të përshkallëzohet edhe më tej ditën e sotme, një situatë që nuk favorizon aspak sezonin turistik në Vlorë.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 19/07/2021 21:49

    Ja dhe injorantet!Kujt i beni dem vec vetes tuaj me mbylljen e lokaleve?! Dhe e quajne absurde mbajtjen e koncerteve dhe grumbullimeve te tjera! Nje koncert apo nje grumbullim nuk zgjat me shume se pak ore,kurse ju doni gjithe naten e mundesisht dhe diten.Jo qe eshte e rrezikshme per shkak te Covidit,por kemi te bejme dhe me ndotje akustike me pasoja te renda per shendetin.Mire do te ishte, qe shteti t'a bente muziken me license neper lokale.Do qe te vesh muzike ? O.K.paguaj license e rinovohe cdo vit;gjithashtu lokalet qe duan te vene muzike te jene me mure te veshura me soundproof materials,qe te mos besdisen njerezit jashte lokaleve dhe banoret perreth.Gjithashtu do te ishte mire qe te behet diferencim mes atyre qe vene muzike jashte ne amb.te hapura,nga ata me muzike ne amb.te mbyllura.Te paret duhet t'a kene shume me te shkurter orarin e muzikes ,se te dytet.Shteti ka akoma pune e detyra per te bere.

    Përgjigju
  • Belinda: 19/07/2021 08:04

    Kta të lokaleve i ka lën mendja. Lokalet pas orës 10 të natës në lungomare janë plot e përplot. Nuk ka gjë më të bukur se të shëtitësh dhe të shikosh lokalet plot me njerëz që bisedojnë, jo të dëgjojnë tallavatë me volum të lartë që vendosin pronarët. Kur ka muzikë, bëhet vetëm nji zhurmë e paparë kakofonie, se dëgjon tre deri katër këngë që përzihen me njëratjetrën. Dhe kta pallat kujtojnë se po kënaqin klientët.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

G7 rikonfirmon mbështetjen financiare dhe ushtarake për Ukrainën

G7 rikonfirmon mbështetjen financiare dhe ushtarake për Ukrainën