Pas përplasjes së regjistruar mbrëmjen e djeshme përpara kryeministrisë mes kryetarit të "Shqipëria Bëhet" Adriatik Lapaj dhe anëtarëve të partisë së tij me policinë, për disa çadra kampingu të vendosura përpara godinës, këta të fundit kanë referuar materialet në prokurori. 

Meqenëse është një protestë pa ndalim, mbrëmjen e djeshme protestuesit me në krye Lapajn kishin ngritur përpara kryeministrisë disa çadra kampingu me qëllim për të kaluar natën. Në këto rrethana ka ndërhyrë policia duke hequr çadrat pasi ishin të vendosura në hapësirë publike ku dhe ka ndodhur përplasja.

Lapaj proteston nën zyrën e kryeministrit Rama që prej 2 ditësh tashmë, fillimisht i vetëm e më pas i janë bashkuar dhe anëtarë të partisë së tij. 

“A. L., pasi dyshohet se ka bërë grumbullime dhe ka zaptuar hapësirën publike përpara godinës së Kryeministrisë, duke penguar qarkullimin e lirë të lëvizjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas referimit të rastit nga Policia e Tiranës në Prokurori, është në dorën e këtyre të fundit nëse do të nisë hetim lidhur me çështjen në fjalë osë jo. Adriatik Lapaj reagoi pas kësaj situate në rrjete sociale duke u shprehur se nuk do të tërhiqen dhe se qëndrimi përpara godinës së kryeministrisë do të vijojë pa ndalim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:23
Policia e çoi në prokurori, reagon Lapaj: Ky procedim është dekoratë në gjoks për mua! Nuk trembemi nga zarat e Edi Ramës, vijojmë protestën

Kryetari i “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj ka reaguar live në facebook pasi policia e Tiranës referoi në prokurori rastin e mbrëmjes së djeshme ku Lapaj dhe anëtarë të partisë së tij, kishin ngritur përpara godinës së kryeministrisë çadra kampingu për të kaluar natën.

Lapaj thotë se ky procedim është një dekoratë në gjoks për të dhe se kjo nuk e intimidon, ndërsa bën thirrje qytetarëve për tu grumbulluar pasditen e sotme nën zyrën e Ramës për të vijuar protestën e nisur dy ditë më parë.

“Përpara se të kthenin përgjigje për lejen e kërkuar erdhën e hoqën çadrat pa u vënë. Prap do jemi sot pasdite, po kanë letër dhe një nesër. Për turpin e madh të tyre, në një kohë që janë në akuzë se kanë vjedhur 53 mln euro në tunelin e Llogorasë, qenka problem e unë protestoj këtu. Paskan letër, bojë dhe kohë për të më proceduar mua penalisht se protestoj. Ajo është dekoratë në gjoksin tim q kam protestuar përballë regjimit më komik në botë. Janë dhe hajdutë dhe komik. Nuk më intimidojnë. Në 5 ftoj qytetarët tek kryeministria, shkresën e kemi dorëzuar. Ka zot kjo punë nuk ngeli ta vendosin këtu të Edi Ramës. Do trembemi ne se na procedojnë penalisht zarat e Edi Ramës. Kë paskam bllokuar unë të ma nxjerrin me emër e mbiemër”, tha ndër të tjera Lapaj.