Debate dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës shoqëruan sot diskutimet për reformën territoriale tek Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ndërsa deputetët e opozitës kërkuan ndryshimin e rendit të ditës dhe shqyrtimin edhe të propozimit të tyre.
Deputeti Saimir Korreshi kundërshtoi bashkimin e bashkive, duke ngritur shqetësimin për shërbimet që, sipas tij, do të marrin qytetarët në bashki më të mëdha.
“Ne kemi plehrat mullar, ne jemi të mbaruar, ju doni të na bashkoni e të na bëni një. Po njerëzit, çfarë shërbimesh u ofroni? Do pyesë kryetari i bashkisë së madhe për fshatin e humbur? Bie roli specifik i qytetarit. Do presë dy orë për të mbajtur radhën. Ju nuk ofroni shërbim tani, jo po kur të jenë bashki më të mëdha”, tha Korreshi, duke propozuar ndryshimin e rendit të ditës dhe përfshirjen e propozimit të PD-së.
Debati u ndez gjatë fjalës së Tedi Blushit, i cili iu drejtua deputetes Aulona Bylykbashi dhe hodhi akuza për mënyrën se si janë zhvilluar konsultimet.
“Shoh që keni thirrur për konsultim aktorë të filmave të Ergys Agasit apo aleatë të bandave. Meqë kolegia Bylykbashi ka marrë përsipër të mbrojë një akt jokushtetues, dua ta pyes: kur bëtë fushatë në Cërrik e në Belsh, a u premtuat që do ua shkrini bashkitë? Kam një pyetje edhe për z. Komici, të cilin banorët e Prrenjasit e përzunë nga takimi”, tha Blushi.
“Mos u merr me kolegët, dil tek procedura”, e paralajmëroi kreu i komisionit, Ulsi Manja.
Blushi vijoi duke thënë se po sillte shembuj konkretë nga konsultimet publike.
“Po sjell shembuj konkretë të konsultimeve publike që ju si mazhorancë keni bërë në terren. Këtu është i pranishëm kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit. Kurrë nuk ka pasur konsultime atje”, tha ai.
“Vazhdo me procedurën tani. Mbylleni fjalën se i keni marrë kolegët me radhë. Ti ke orarin tani se sa është ngritur nga gjumi kryetari i partisë”, iu përgjigj Manja.
Blushi vijoi me thumba duke iu referuar Ergys Agasit dhe ish-kreut të shkarkuar të SHISG Vlora Hysenit e vendosur në arrest shtëpie për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekreteve shtetërore.
“Tani është ora që Gysi është në ajrim. Gysi ju sheh të gjithëve sot, edhe Vlora. Është për të ardhur keq që, ndërkohë që keni propozimin e opozitës së bashkuar, do t’ju kërkoja të mos avanconi me një projekt që i ngjan tenderave të paracaktuar të Edi Ramës. Nëse Roni Yeffet do jetonte në Fushë-Arrëz, do ta kishin lënë bashki më vete. Nëse Gysi do jetonte në Memaliaj, do kishte një status special. Ta ndërpresim këtu procesin për të vlerësuar propozimin e opozitës. Në të kundërt po më ngjasoni me Vlora Hysenin, doni t’i fikni radarët e shtetit”, tha Blushi.
Manja i tërhoqi vëmendjen për përdorimin e gjuhës dhe etiketimin e kolegëve në komision.
“Herë tjetër do të kërkoja t’i përmbahesh rregullores dhe Kodit të Etikës”, tha Manja.
Në debat ndërhyri edhe Olsi Komici, i cili hodhi poshtë pretendimin e Blushit se ishte përzënë nga një takim në Prrenjas.
“Nuk e di çfarë librash të Andersonit ka lexuar. Nuk më kanë dëbuar nga asnjë takim që kam kryer në Bashkinë e Prrenjasit. Do të shtyjë minutazhin në komision. Mbase dikush ia mban shënim minutat që flet. Unë jam larguar nga ai takim me dorën në qafë me të gjithë, kam shtrënguar dorën edhe me kundërshtarët. Tani të sfidoj publikisht: nxirr video”, tha Komiçi.
“Kam parë filmat me Gysin”, replikoi Blushi, duke insistuar në ndryshimin e rendit të ditës.
Deputetët e mazhorancës kërkuan ndërkohë vazhdimin e seancës sipas rendit të ditës.
Duke iu referuar demokratëve, Manja tha: “Edhe këta do mbarojnë minutazhin e vet dhe do ikin, siç ndodhi herën e parë. Ju duhet vetëm të duroni dhe të vijojmë me rendin e ditës. Këta të vazhdojnë rrugën, ne do vazhdojmë punën”.
Në diskutim u përfshi edhe Xhelal Mziu, i cili tha se reforma territoriale ka sjellë efekte negative, pasi sipas tij paratë nuk kanë shkuar më te qytetari, ndërsa administrata jo vetëm që nuk është zvogëluar, por ka arritur në 41 mijë të punësuar. Ai gjithashtu kërkoi ndryshimin e rendit të ditës dhe diskutime për draftin demokrat.
Teksa Manja po e pyeste për çështjen procedurale, Mziu reagoi jashtë mikrofonit, duke sjellë një tjetër përplasje.
“S’më fyen dot kush mua në komision. Fyerje personale s’pranoj nga askush”, tha Manja duke mbyllur përkohësisht seancën
Në vazhdim, Manja u tha demokratëve se nisma e mazhorancës i është njoftuar seancës së parlamentit me 8 shtator dhe u është përcjellë bashkive dhe ministrive që kanë akses në këtë proces dhe është miratuar më 25 shtator në procedurën e Kuvendit.
"Nëse nisma juaj që është depozituar të premten... po më kërkoni të shprehem për një nisëm që nuk e kam një tryezë. Kur të ndjekë procedurën parlamentare do vijë në tryezën e komisionit përgjegjës. Kërkesa juaj për ndërprerjen e kësaj mbledhjeje, duhet hedhur më votë. Nëse doni të ndryshojmë rendin e ditës e të fusim nismën tuaj unë sërish duhet ta hedh në votim" sqaroi Manja.
Debatet vijnë në një moment kur mazhoranca po avancon me propozimin e saj për reformën e re territoriale, që parashikon kalimin nga 61 në 46 bashki. Opozita, nga ana tjetër, ka depozituar draftin e saj me 100 bashki dhe kërkon që ai të futet në diskutim, duke kundërshtuar vijimin vetëm me nismën e mazhorancës.












Komente
Komento