Plator Nesturi: Protesta që nuk i shërben PD-së, por ekstazës para turmës

Plator Nesturi: Protesta që nuk i shërben PD-së, por ekstazës para turmës

Sali Berisha

Ishte paradoksale dhe në kufijtë e pandjeshmërisë shpërfillëse me çfarë ka ndodhur rreth tij, deklarata e fundit e Berishës ku shpreh pëlqimin e vet që Suedia e Finlanda do të jenë pjesë e NATO-s. I vetëndjerë i pushtetshëm dhe influent, aktor politik e makiavelist i sukseshëm në kapërcyellin midis dy shekujve, gjithçhka pra që e rethon atë, të jep përshtypjen se  ish-kryeministri që dominoi në 30 vjet, nuk e ka kuptuar ende se ato ditë të lavdishme kanë perënduar. Askush nuk i mori në refene këto qëndrime. Madje dhe për tregun e brendshëm mediatik përcjellja ishte e vakët, pasi për këdo është e qartë që sidomos në planin ndërkombëtar e të politikës së madhe, askush nuk do t’ia verë veshin Berishës.

Askush nuk do humbte një minutë të vetme e t’i kushtonte rëndësi deklaratave për më tepër për ardhmërinë e NATO-s, të një personi të shpallur “Non Grata” nga Departamenti i Shtetit. Pavarësisht se ky person pretendon të jetë kryetari i një partie dikur të madhe e pavarësisht se u rikthye në krye të saj për të përdorur për herë të fundit pikërisht pasi u shpall “non grata”. Në të gjitha aspektet nga ta kapësh, përpjekja për tu dukur si një partner i NATO-s ishte një guxim i tepruar, nga ato që thuhen “guxim prej të marri”, pasi këtë qëndrim as nuk ta kërkon kush dhe aq më pak kanë dëshirë të të degjojnë. Në rastin më modest, mund të konsiderohet si përpjekje për tu paraqitur si i barabartë me kryeministrin aktual, si alter pari i tij, i cili ish-present në Samitin e NATO-s në Madrid.

Duket si një obsession ky, që të mbetet si figura e vetme alternative e konkuruese ndaj Ramës, obsesion pas të cilit Berisha ka humbur ftohtësinë e të reagojë në mënyrë të paqetë. Ndoshta për imazhin idilik e plot ngjyra fantazie të liderit të përjetshëm e përherë frymëzues, fajin e ka dhe shpura e Rithemelimit, që e ka rrethuar me përkujdesje lajkatuese dhe plat dashuri hipokrite deri në aktin e testamentit politik të Berishës për zëvendësuesit e dytë të tij. Por, thellë në vetevete, ish-lideri i demokratëve e ka aq përvojë sa të kuptojë se nuk mund të jetë i fuqishëm si dikur, ku tashmë i ka mbetur një gjysëm partie, kur ndërkombëtarët e shmangin dhe e kanë izoluar në konakun e vet, dhe kur vetë ish-aleatët poltikë të dikurshëm mundohen t’i rrinë larg gropës thithëse në të cilën po bie PD-ja.

Ndaj i vetmi mjet për të mos u dukur si i marrë fund përfundimisht është aksioni, dhe me aksion Berisha preferon më saktë protestën, mjet të cilin e njeh më mirë se kushdo. Dhe kësaj ndërmarrjeje ai është i gatshëm ta ndërmarrë ndonëse vetë ndihmësit e tij i raportojnë se nuk janë gati dhe se u mungon mbështetja njerëzore për të vajtur deri në inisiativën e protestave. Berisha gjithmonë ka nxituar, sidomos përgjatë këtij viti që sa u shpall “non grata”. Nxitoi të hapë luftë me këdo, nxitoi të bëjë kongreset e tij, nxitoi të shpallet në krye të partisë pa pritur që më parë ta bashkojë atë, dhe tashmë po nxiton për tu paraqitur si altenativa e vetme e pushtetit kur votat i kanë firuar. Është si nxitimi i një karroje me rrota të pavajosura dhe në tatëpjetën e nisur diku do të përmbyset a do të përplaset.

Problem është se në këtë të tatëpjetë po tërhiqet një parti e tërë. Askush nuk i dha kohë PD-së që të marrë frymë nga dështimet e njëpasnjëshme. Askush nuk po i jep kohë të shërojë plagët e të gjejë drejtpeshimet e reja për tu shndërruar si një parti triumfuese në të ardhmen. Askush nuk i dha kohë të analizojë se çfarë është bërë gabim, të largojë dështakët për të mos i zëvendësuar me dështakë të rinj por me kulturë të re politike. Askush nuk po i jep kohë të shndërrohet në një opozitë në shërbim të qytetarit dhe jo si alternativë për të zëvendësuar karriget e pushtetit. Në të kundërt të kësaj, PD-në po e fusin sërish në një mobilizim tjetër paramilitar kur boll e drobitur është nga trillet aventureske të lëvizjeve dështake të së shkuarës. Pyetja që shtrohet është nëse vërtet i shërben një protestë PD-së në kushte anemie, apo kjo është thjesht në shërbim të imazhit të liderit që nuk ka më ide për të shëndoshur e mbarëvajtur partinë tashmë të përçarë. Dihet që Berisha ndien frymëzim kur ndodhet para një turme njërëzish, çka mund ti shkaktojnë efekt haluçinant se gjërat për të e për PD nuk janë aq zi sa duket dhe se kushedi fati mund ti ketë rezervuar fat më të mbarë. Por e gjitha kjo mbetet në botën vegimtare të ekstazës, dhe ku luga mbetet sërish bosh. Edhe nëse në këtë rrugëtim Berisha mund të inspirojë idhtarët e tij drejt aventurave të reja nëpërmjet protestave, për qytetarin e thjeshtë kjo është e pamjaftueshme. Jo se nuk një mijë probleme të cilat ndeshet, jo se gjithçka shkon vaj dhe nuk ka pakënaqësi dhe me qeverisjen. Por sepse shikon që dhe opozita nuk jep shpresë se me të diçka ndryshon. Qytetarit nuk i duhet një opozitë që thjesht do të vijë në pushtet, por të jetë e vetëndjerë se është e gatshme në kohën e duhur për të qeverisur vendin, se ka plane dhe që do të jetë kontribuese për zhvillimin. PD-ja është shumë larg këtij imazhi që duan qytetarët. Kur nuk jep shenja të ndryshimit dhe të pjekurisë politike, kur nuk arrin të frymëzosh besim dhe të përgjegjësise për vendin, askush nuk të ndjek. Madje dhe në një stinë të tërë protestash.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja