TiranëKur nxënësit e gjimnazit Qemal Stafa hynin në shkollë në ditën e parë, një grup i vogël protestuesish i bënë thirrje nga trotuari të bojkotonin mësimin e të bashkoheshin me ta në tubim. Policia arrestoi 12 prej tyre, për nxitje të të miturve në krim, përfshirë organizatorë të protestës anti-qeveritare, ndërsa 15 të tjerë po hetohen të lirë.

***

Thirrjet publike në rrjetet sociale për të bllokuar rrugët dhe institucionet që në 07.00 të mëngjesit, në ditën e parë të nisjes së shkollës në Tiranë, i kushtuan prangat, njërit prej organizatorëve kryesore të protestave anti-qeveritare, Visuar Dalipit, dhe një përfaqësuesi të Diasporës, Artan Daci.

Dyshja, janë mes 12 personave që policia arrestoi pasi cenuan perimetrin e sigurisë në shkolla, teksa u grumbulluan para gjimnazit” Qemal Stafa” në një marshim nga qendra drejt Zogut të Zi

“Një grup ndaluan pranë gjimnazit duke u bërë thirrje nxënësve për bojkotimin e procesit mësimor dhe pjesëmarrje në tubimin”, njoftoi zyrtarisht policia

Për këto thirrje, policia i ka referuar në prokurori për veprën penale, “shtyrje e të miturve në krim”

Për tubimin, asnjë njoftim në polici, e rrjedhimisht pa masa të ndërmarra për mbarëvajtjen e saj. Me një trafik të rënduar, siç është në nisjen e vitit shkollor, blutë e kryeqytetit ndërhynë për lirimin e qarkullimit.

Policia thotë se thirrjet për tu larguar nga perimetri i sigurisë në shkollë dhe për të liruar trotuarin për kalimin e qytetarëve, ishin të vazhdueshme, por protestuesit i injoruan, ndërsa një pjesë kundërshtuan forcat blu edhe gjatë momenteve të shoqërimit.

15 pjesëmarrës në tubimin e paligjshëm po hetohen në gjendje të lirë, mes të cilëve edhe një grua 32 vjeçare

Një incident gjatë shoqërimeve, si ky i një efektivi të Shqiponjave që godet në barkë një protestues të ndaluar nga blutë, solli reagimin e kryepolicit Skënder Hita, i cili pezulloi policin dhe urdhëroi nisjen e një hetimi administrativ

Njoftimi i policisë së Tiranës:

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar më datë 14.09.2026: 

-u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. K., 19 vjeç; D. B., 36 vjeç; A. D., 41 vjeç; E. B., 36 vjeç; R. D., 31 vjeç; B. I., 37 vjeç; V. D., 29 vjeç; A. M., 20 vjeç; A. A., 56 vjeç; R. K., 63 vjeç; K. B., 24 vjeç dhe E. Xh., 39 vjeç;

-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. B., 32 vjeçe; B. K., 27 vjeç; A. Zh., 26 vjeç; S. E., 32 vjeç; M. R., 28 vjeç; A. P., 49 vjeç; L. B., 39 vjeç; K. N., 20 vjeç; F. K., 34 vjeç; E. N., 33 vjeç, A. D., 23 vjeç, E. P., 31 vjeç, L. P., 26 vjeç, M. P., 18 vjeç, dhe I. M., 28 vjeç.

Më datë 14.09.2026, rreth orës 07:30, një grup personash u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, për tubim, pa lejen përkatëse, dhe vijuan marshimin drejt Rrugës së Durrësit, ku ndaluan pranë një gjimnazi duke u bërë thirrje nxënësve për bojkotimin e procesit mësimor dhe pjesëmarrje në tubimin, duke cënuar perimetrin e sigurisë në shkollë.

Pavarësisht thirrjeve të punonjësve të Policisë për largimin nga perimetri i sigurisë në shkollë dhe për lirmin e trotuarit për kalimin e qytetarëve, disa prej pjesëmarrësve në tubim nuk iu bindën urdhrave dhe kundërshtuan me forcë punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shtytja e të miturve në krim”.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Xh.K/E.H/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
3.7 / 5 (3 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 15 Shtator, 12:58

    Gjykata e Lartë la në burg Erion Veliajn, si e vlerësoni?