Ish-deputeti Azgan Haklaj dhe avokati Idajet Beqiri kanë diskutuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, mbi protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, ish-deputeti Haklaj tha se protestuesit kanë dalë në shesh për të larguar kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Sali Berisha, të cilët sipas tij kanë shitur Shqipërinë.

Haklaj tha gjithashtu se Rama dhe Berisha janë bashkë dhe përmes oligarkëve kanë marrë vendet më të bukura të vendit tonë.

Më tej Haklaj tha se Rama dhe Berisha kanë rrënjohur korrupsionin në Shqipëri, teksa shtoi se përmes marrëveshjes së vitit 2008 i bënë një ‘atentat’ Kushtetutës së vendit, duke mos lejuar zgjedhjet e lira.

“Rama dhe Berisha janë bashkë. Protestuesit kërkojnë Ramën dhe Berishën për t’i larguar si binomin e konstruktimit të republikës së korrupsionit. Atentatin që i bënë Kushtetutës në vitin 2008 dhe asgjësimin e votës së lirë. A të thashë që krejt ultësirën perëndimore e kanë marrë ata? Dhe po dalin njëri pas tjetrit. Të gjitha bukuritë shqiptare i kanë marrë oligarkët që i kanë prodhuar dyshja Rama-Berisha”, tha mes të tjerash Haklaj.

Nga ana tjetër, avokati Beqiri tha se shqetësimet e ngritura nga disa protestues janë të drejta, por shtoi se në protestat që po zhvillohën në Tiranë, ka edhe njerëz me axhenda të tjera anti-shqiptare.

Beqiri theksoi se protestat gjatë ditëve të fundit kanë marrë drejtime të tjera, pro-serbe, pro-greke e pro-ruse.

“Protesta që ka këto shqetësime, janë të drejta. Por këta po humbasin. Po humbasin sepse brenda protestës ka axhenda të tjera, që janë antishqiptare, kundër interesave shqiptare. I dhanë kahje të tjera protestës, pro-serbe, pro-greke, pro-Islamizmit Shiit të Iranit, i dhanë kahje pro-ruse dhe e shkatërruan protestën. Derisa kemi hapur negociatat me BE-në dhe tani do të fillojmë mbylljen e tyre, nuk bëhet mbyllja e negociatave, në rast se ne nuk do reflektojmë për ligjin e pronave”, tha mes të tjerash avokati Beqiri.