Me grumbullimin e zakonshëm te sheshi ‘Skënderbej’ dhe më pas nisjen e marshimit drejt kryeministrisë, protesta ka hyrë në ditën e saj të 34-t.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj lexoi edhe një deklaratë lidhur me protestën e dhunshme të një dite më parë para parlamentit ku dënohej përdorimi i forcës nga Policia.

“Dënojmë fuqimisht përdorimin e forcës jo proporcionale nga Policia e Shtetit gjatë ditës së djeshme, ushtrimi i dhunës ndaj personave të neutralizuar. Policia e Shtetit nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në një instrument politik.

Dhuna e ushtruar nuk mund të përdoret si instrument frikësimi. Lironi çunat! Shprehim shqetësim për informacionet mbi kontrollet e imtësishme në pikat doganore”, thuhet në deklaratë.

Një ditë më parë, në protestën e mbajtur paradite para parlamentit, pati përplasje mes protestuesve e policisë. Ministri Lamallari tha për Report Tv se policia reagoi ndaj agresorëve me rekorde kriminale.

Në tubimin e mbrëmjes, protestuesit theksuan përmes një deklarate se arrestimet e disa prej tyre dhe përplasjet me deputetin Ulsi Manja ishin provokime. Ata marshuan edhe drejt komisariatit nr. 3 me kërkesën për të liruar protestuesit e arrestuar.

Megjithatë, qytetarët thanë se do të vijojë protesta paqësore dhe do të rezistojnë e qëndrojnë. Pretendimi i tyre është se qeveria u përpoq ta bënte pis protestën.

Thirrjet e protestuesve mbeten për dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie teknike me afat një-vjeçar dhe ndërhyrjet që grupi koordinator i protestës kërkon në Kushtetutë.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:24
Paralajmëron aktivisti Lika: Nesër do të kemi një dasmë të madhe në këtë shesh!

1783103274_xfyhkk.JPG

Aktivisti Edison Lika, gjatë fjalës së tij në protestën e sotme para Kryeministrisë, paralajmëroi se ditën e nesërme shqiptarë nga e gjithë botë do të vijnë në Tiranë për t’ju bashkuar tubimit.

‘Nesër do të kemi një dasmë të madhe në këtë shesh’, paralajmëroi Lika.

“Shqiptarët po i kërcënojnë përmes gazit lotsjellës dhe mbylljes së kufijve, sepse e dijnë se nesër do të jemi shumë. Shqiptarët janë nisur nga shtete të ndryshme të të gjithë botës, do nisen edhe nga qytete të Shqipërisë dhe të gjithë bashkë nesër kemi një dasëm të madhe në këtë shesh”, tha aktivisti Edison Lika.

Ora 20:22
Protestuesi me ‘provën e krimit’ në dorë: Bombat e Edi Ramës i bëra varëse, një ditë do ta bëjmë nuse

Një protestues që u ngjit në podiumin para kryeministrisë me fishekët e gazit lotsjellës të përdorura nga policia gjatë protestës së dhunshme para parlamentit të enjten, tha se ato janë “bombat” e Edi Ramës.

“Prova e krimit. Edi Rama ka lekë të blejë nga Serbia bomba për të qëlluar popullin e tij, por jo t’ua japë pensionistëve. Këto janë bombat që Edi Rama përdori dje kundër popullit të tij. Unë ia bëra në mënyrë simbolike varëse se një ditë do ta bëjmë nuse!”, tha protestuesi.

Ora 20:21
Ish-minatori nga protesta: Rama është tallur me moshën e tretë! Fermerët të marrin traktorët e zetorët e të bllokojnë rrugët e Shqipërisë

1783102900_srtyuui.JPG

Një ish-minator, që i është bashkuar protestës së sotme para Kryeministrisë, është shprehur se të gjithë pensionistët duhet të kishin dalë në shesh, pasi sipas tij, kryeministri Edi Rama është tallur me moshën e tretë.

Më tej ish-minatori u bëri thirrje gjithë fermerëve që të bllokojnë rrugët me autokombajnat dhe traktorët e tyre, si dhe të gjithë pronarëve të autobusëve të bëjnë të njëjtën gjë.

“Jam ish-minator. Dua të them për moshën e tretë që pensionistët duhet të ishin të gjithë këtu. Rama mblodhi nja 30 vetë nga ata që kishte para fushate në 11 maj, që unë vajta u prisha një takim te piramida. Rama u tall me moshën e tretë, u tall me ne. Ai është faqezi. Tani do bëj një thirrje, ne kemi gjithë fermerët e Shqipërisë që prodhimet e tyre i hedhin në kanal. Tani u bëj thirrje fermerëve që të marrin zetorë, traktorë, autokombajna që të bllokojnë gjithë rrugët e Shqipërisë. Pronarët e autobusëve të marrin autobusët dhe të bllokojnë gjithë qarkullimin. Sepse pronarët e linjave i kanë oligarkët këtu në Tiranë dhe nuk e bëjnë ata”, tha ish-minatori.

Ora 20:16
Protesta e dhunshme te parlamenti, deklarata: Dënojmë përdorimin e dhunës jo proporcionale nga Policia, cenoi lirinë themelore

Aktivistja Sidorela Vatnikaj lexoi edhe një deklaratë lidhur me protestën e dhunshme të një dite më parë para parlamentit ku dënohej përdorimi i forcës nga Policia. Sipas deklaratës, policia cenoi të drejtën kushtetuese për të protestuar, ndërsa iu bë thirrje të distancohej nga dhuna gjatë protestës së nesërme.

“Deklaratë kundër dhunës së ushtruar ndaj protestuesve ditën e djeshme. Protesta është një nga mjetet themelore kushtetuese dhe mjet i qytetarëve për të kërkuar llogari nga pushteti. Çdo përpjekje për ta shtypur, përbën cenim të demokracisë dhe lirive themelore.

Dënojmë fuqimisht përdorimin e forcës jo proporcionale nga Policia e Shtetit gjatë protestës së djeshme, si përdorimi i gazit lotsjellës pa paralajmërim, shtyrja e protestuesve ushtrimi i dhunës ndaj personave të neutralizuar. Monitorimi i kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka evidentuar shqetësime serioze duke shprehur shqetësime të forta për tejkalim kompetencash dhe përdorim të forcës. Përdorimi i forcës nga një numër i kufizuar individësh s’mund të përdoret si justifikim për qytetarët paqësorë. Policia e Shtetit të hetojë. Çdo punonjës policie që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi. Policia e Shtetit nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në një instrument politik për të trembur qytetarët që protestojnë paqësisht.

Dhuna e ushtruar në Zvërnec u përsërit edhe dje, kur një grup protestuesish dje u përballën me përdorim jo proporcional nga Policia. Kjo cenon të drejtën themelore për të protestuar paqësisht. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të protestuesve të arrestuar. Lironi çunat! Shprehim shqetësim për informacionet mbi kontrollet e imtësishme në pikat doganore. Ndalni dhunën dhe represionin policor. I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit që në protestën e ditës së nesërme të distancohet qartë nga çdo akt dhune”, thuhet në deklaratë.

Ora 19:41
FOTO/ Provokime dhe kërcënime, ky është protestuesi që sulmon gazetarët

Teksa në sheshin ‘Skënderbej’ ka nisur grumbullimi, ndaj mediave e gazetarëve ka pasur qëndrime armiqësore.

Një protestues, i cili është me hundën e fashuar, ka shkuar deri në pikën sa t’u vërë ngjitës lenteve të kamerave, ndërsa edhe kërcënon gazetarët. Raportohet se kjo nuk është hera e parë pasi veprimet e tij vijojnë prej disa ditësh.

Aktivisti Arben Kola u ka bërë thirrje të tjerëve për të shmangur sjellje të tilla.

“Mos sulmoni mediat dhe gazetarët, nëse keni ndonjë gjë me mediat bëni pankarta”, është shprehur ai.

Edhe ditën e djeshme, protestuesit sulmuan gazetaren e Top News, Keida Muka gjatë raportimit duke e shtyrë dhe lagur me ujë.

Edhe më 30 qershor, një grua që u prezantua si gazetare shqiptare në Athinë u bë objekt i dhunës nga protestuesit, vetëm sepse dikush e etiketoi si “patronazhiste”.

Ndërsa e ndiqnin me gisht, mes turmës, një nga pjesmarrësit i derdhi asaj mbi kokë një shishe me lëng frutash. U desh ndërhyrja e një pjesmarrëse në protestë, për të shmangur linçimin e mëtejshëm të emigrantes.