Ministri Ervin Demo gjatë një konference për shtyp  tha se policia nuk është në protesta për t'u përballur me qytyetarët, por për sigurinë e tyre.

"Policia e Shtetit nuk është aty, për t'u përballur dhunshëm me qytetarët. Është aty për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Dhe këtë, ne duhet të jemi të gjithë të qartë, por në të njëjtën kohë duhet të jemi të gjithë mbështetës, për sa i përket rolit të Policisë së Shtetit.  Ne kemi konstatuar gjatë këtyre javëve një dhunë, e cila nuk ka qenë e drejtuar vetëm kundrejt institucioneve shtetërore, por ka qenë kundrejt subjekteve private, kundrejt institucioneve të pavarura, por dhe individëve, kalimtarëve të ndryshëm të cilët kanë qenë në protestë.  Unë jam i bindur që ky standard do të fuqizohet dita ditës dhe ne do të jemi shumë të qartë që roli jonë është për garantimin e sigurisë dhe rendit publik, ruajtjes së proporcionalitetit dhe patjetër, ku ka vend për ndërhyrje, ne do të përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë për të garantuar transparencën dhe përgjegjësinë e secilit", tha Demo.

Ai shtoi se Policia ka referuar disa raste, përsa i përket kërcënimeve që i janë bërë drejtuesve apo punonjësve të caktuar të Policisë. Ministri nënvizoi se këto akte janë të paprecedentë dhe nuk do të tolerohen.

"Në të njëjtën kohë, do më duhet të përmend një fakt shqetësues: presionin e ushtruar kundrejt Policisë së Shtetit, jo thjesht në ushtrimin e detyrës si rrjedhojë e dhunës, por mbi të gjitha patjetër dhe sulmeve mediatike, por edhe atyre në rrjetet sociale.  Policia e Shtetit ka referuar raste specifike, përsa i përket kërcënimeve që i janë bërë drejtuesve të caktuar apo punonjësve të caktuar të Policisë së Shtetit nga individë të caktuar, të cilët kanë përdorur kanalet e komunikimit publike për identifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe organizimin dhe bërjen thirrje të sulmeve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. 

Ky është një akt i paprecedentë, është një akt i cili nuk do të tolerohet dhe ne do të ndjekim të gjitha hapat e duhura ligjore, për të garantuar që çdo punonjës i Policisë së Shtetit ta ushtrojë detyrën dhe përgjegjësitë që ka, duke pasur mbrojtje të plotë ligjore. Do më duhet ta përmend rëndësinë që në fakt ka, dënimi i dhunës nga e gjithë shoqëria, nga partitë politike. Dhuna nuk mund të jetë një instrument negociimi, nuk mund të jetë një instrument shantazhi, dhe nuk mund të pranohet kurrsesi si një mekanizëm, i cili sjell ndryshim, për sa i përket çfarëdolloj kërkese që mund të kenë protestues të ndryshëm", tha Demo.


Lajmi kryesor:

Protestat e dhunshme, Demo: 347 të lënduar, prej tyre 201 policë! U përdorën të miturit, 269 të shoqëruar! Kemi identifikuar ‘maskat’, së shpejti kamera trupi për efektivët