Policia e Shtetit ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp në lidhje me protestat e dhunshme të 5 ditëve të fundit në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodjan Rasha nga efektivi i policisë më 8 dhjetor.
Përmes një njoftimi policia shkruan se është e vetëdijshme për ndjeshmërinë popullore që shkaktoi vrasja e të riut nga dora e një efektivi, por tashmë që protestat kanë degraduar nuk do të lejojë asnjë tubim që shkel masat kundër koronavirusit.
Ndërsa bëjnë me dije se duhen respektuar masat e caktuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, ku mes të tjerash ndalohet grumbullimi i më shumë se 10 njerëzve, uniformat blu theksojnë se në të kundërt vendi do të shkojë drejt një mbylljeje më të madh. Në apel policia paralajmëron marrjen e masave administrative dhe atyre penale në rast të shkeljeve dhe mos-zbatimit të masave të veçanta në periudhën e pandemisë.
Pas vrasjes së Klodjanit, vendi u përfshi në protesta të cilat agravuan në dhunë. Në Tiranë dje u zhvillua dita e 5 e protestës, e cila ishte më e zbehtë, krahasuar me ditët e tjerë, megjithatë as këtu nuk munguan situatat e tensionit, ku janë hedhur gurë e sende të forta në drejtim të policisë, por nuk kanë shpëtuar as semaforët, sinjalistika rrugore e stacionet e autobusëve.
Gjatë ditës së 5 të protestës në Tiranë policia ka arrestuar 4 persona, duke e çuar në 93 numrin në total të arrestimeve që prej ditës së parë. Një punonjës policie u plagos për shkak të dhunës, duke e çuar numrin e të plagosurve në 26. Policia po ashtu ka proceduar në këtë protestë të pestë 46 persona, ndërsa në total numri i tyre ka shkuar në 314. Protestat kanë vijuar prej 5 ditësh për Klodjanin, ndonëse familja e tij ka bërë thirrje përmes një letre publike që të ndalet dhuna, duke theksuar se ajo nuk ndihmon në vënien e drejtësisë por vetëm ua shton dhimbjen për humbjen e djalit.
Të arrestuarit dhe të proceduarit akuzohen për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës ” , ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’.
Njoftimi i policisë:
Në zbatim të Aktit Normativ, me qëllim respektimin e masave kundër COVID-it për shkak të gjendjen shqetësuese të shkaktuar nga pandemia, nga të gjithë shtetasit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për rritjen e sigurisë publike në tërësi nisur edhe nga protestat e fundit, kërkohet zbatimi i masave dhe i protokolleve të miratuara nga Komiteti i Ekspertëve dhe urdhrat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Policia e Shtetit është shumë e vetëdijshme për të drejtën e protestës dhe lirinë e pacenueshme të tubimit. Në kushtet e sensibilizimit të madh të shoqërisë pas tragjedisë së djalit njëzetepesë vjeçar që humbi fatalisht jetën, nga dora e një efektivi policie, Policia e Shtetit e ka pasur të pamundur ta anashkalojë ndjeshmërinë popullore për të mos lejuar asnjë tubim. Por tanimë kur drejtësia po kryen detyrën e saj ndaj autorit të vrasjes dhe kur protestat kanë degraduar në organizime që kanë për qëllim cenimin e rendit publik dhe pronës publike, Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë grumbullim që bie ndesh me kornizën aktuale të masave shtrënguese.
Bëjmë apel të mbahen parasysh nga të gjithë, kërkesat e akteve që i përcaktojnë masat shtrënguese për:
Ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, konferenca, tubime, mbledhje partiake, ceremoni festive etj. Mbajtjen e detyruar të barrierave mbrojtëse (maska), në ambientet jashtë shtëpisë;
Ruajtjen e distancimit fizik gjatë veprimtarisë së përditshme;
Zbatimin e masave nga administrata publike dhe në automjetet e transportit publik;
Ndalimin e muzikës pas orës 20:00;
Ndalimin e aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve e ‘fast food’ pas orës 22:00 deri në orën 06:00;
Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 22:00 deri në orën 06:00;
Zbatimin e protokolleve në institucionet arsimore, në të cilat vazhdon kryerja e mësimit;
Marrjen e masave administrative dhe atyre penale në rast të shkeljeve dhe mos-zbatimit të masave të veçanta në periudhën e pandemisë së COVID-19.
Në mënyrë që të mos kalojmë në një etapë tjetër të një mbylljeje përtej kufijve të deritanishëm, nga të gjitha institucionet që kanë detyrime, të vazhdohet me seriozitet maksimal zbatimi i Aktit Normativ për zbutjen e efekteve të pandemisë.