Akuzave për dhunë nga policia drejt protestuesve, kryeministri Edi Rama u është përgjigjur me statistika. Ai ka renditur disa prej vendeve ku po zhvillohen protesta të dhunshme si Franca, Gjermania, Rumania e Spanja ku ka numër më të lartë protestuesish të lënduar sesa efektivësh.
Kryeministri nënvizon se në Tiranë raporti është i përmbysur, përkatësisht me 191 policë të lënduar dhe 93 protestues. Sipas tij, raporti wshtw pasqyra e turpit e ekraneve televizive, që thonë e studentët u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit.
Për kreun e qeverisë në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik.
"Ja pasqyra e turpit të ekraneve televizive, ku “studentët” u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit u bë monstra mizore që masakronte orë e minutë të reja e të rinj të pafajshëm. Shikojeni raportin mes policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në protesta të dhunshme në vendet e tjera demokratike, ku flama e terrorit të ANTIFA-s ka kohë që po djeg e shkatërron në qytetet e Europës:
Kudo ka shumë më tepër protestues të lënduar se sa policë të plagosur, siç është krejt normale të ketë. Ndërsa në Tiranë bilanci është i përmbysur. Sepse në realitet, Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik. Por realiteti i Tiranës është zëvendësuar me një realitet tjetër në ekranet e kësaj flame dhune e terrori psikologjik antishtet.
Që nga lajmet e mëngjesit deri te emisionet e VIP-ave të mbrëmjes, duke kaluar përmes direkteve të mbushura me patetizmat e një revolucioni studentor imagjinar, u heroizua një turmë e larmishme prej 1500 vetësh në kulmin e vet, me 500 maska e kapuçë të zinj në ballë, e cila s’kishte asnjë fije gjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, dhimbjet e shpresat e studentëve apo familjeve shqiptare, ndërkohë që u shënjestrua me një paturpësi kriminale Policia e Shtetit.
Këta të ekraneve, ku pjesa më e madhe jeton me korrupsion, me paga marramendëse, renta javore, reklama instagrami e deri edhe podkaste të ushqyera me para nën dorë, një armatë grabitësish të pensionistëve që deklarojnë pak e fitojnë qamet duke përzier ditë e natë një çorbë të shpifur urrejtjeje, vulgariteti e banaliteti, ndërkohë që gazetarë e kameramanë terreni trajtohen si skllevër për bukën e gojës, janë edhe më fajtorë për ditët e terrorit mbi popullin e Shqipërisë, se sa ata që hedhin qorrazi gurët e dhunës", shkroi Rama.
Në fund kryeministri shkruan se shumë shpejt do t’i dalin me fytyrë e me fakte, plot prej atyre që i quan heronj të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ‘97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e me jetën studentore.
"I vura studentët në thonjëza në krye të fjalëve, sepse shumë shpejt do t’i shikoni me fytyrë e me fakte, plot prej heronjve të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ‘97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e me jetën studentore. Studentët e vërtetë janë ata që duan ta sfidojnë politikën dhe qeverinë pa ngritur dorën kundër pronës publike e private, po duke treguar me gisht plagët që kërkojnë shërim me dialog dhe angazhim të përbashkët", shkruan Rama.
-
Protestuesit e demtuar kane frike te shkojne per kurim ne spitale qe te mos arrestohen nga policia. Eshte procedure standarte e njohur. Shifrat e publikuara jane te njeanshme dhe totalisht te paverteta. Mjafton te shohesh vetem ato raste video te dokumentuara te dhunes policore ndaj njerezve protestues ose jo, dhe peshorja ndryshon ne menyre drastike.
Përgjigju










Komente
Komento