Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, tha në një deklaratë për mediat se vizita e cila ka nisur të hënën pas dreke në Malin e Zi dhe më pas në Tiranë, ndodh në një moment kur Shqipëria ka hapur grupkapitullin e fundit të negociatave me BE. Ai bëri me dije se ka nisur puna për raportin vjetor që do të prezantohet në Parlamentin Europian të enjten e ardhshme.

“Vizita jonë është në një kohë shumë të përshtatshme duke qenë se Shqipëria e ka hapur grupkapitullin e fundit në nëntor 2025 dhe po pret raportin e vlerësimeve të standardit të ndërmjetëm. Po punojmë mbi raportin vjetor që do të prezantohet në Parlamentin Europian javën e ardhshme, ditën e enjte”, tha ai.

Gjatë vizitës, janë zhvilluar takime me kryeministrin Rama, Spiropalin, Peleshin, Hasanin etj. Teksa përgëzoi arritjet, McAllister nxiti përpjekjet e mëtejshme, por nuk e fshehu shqetësimin për polarizimin politik dhe protestat e dhunshme të Berishës, të cilin nuk e takoi. 

“Ne vazhdojmë që të mbështesim fuqimisht Shqipërinë në rrugëtimin e saj në integrimin europian dhe njohim rezultatet e forta, dëshmi e së cilës është edhe hapja e të gjithë grupkapitujve të negociatave si një arritje e fortë. Nuk ka vend për vetëkënaqësi. Shqipëria duhet të punojë edhe më fort për përmbushjen e detyrimeve dhe hapjen e negociatave. Jemi të shqetësuar për polarizimin politik. Duhet të ketë më shumë stabilitet dhe dialog politik në vend. Shumica duhet të krijojë hapësirë për opozitën dhe opozita të jetë më bashkëpunuese. Protestat e dhunshme nuk kanë vend në demokracinë funksionale”, tha ai.

McAllister e vuri theksin te tri pika kryesore:

“Dua të them tri pika që janë shumë të rëndësishme për PE sepse kanë lidhje me vlerat themelore: së parë, ka nevojë që të vijojë lufta kundër korrupsionit. Është bërë shumë në këtë fushë, por nuk jemi ende të kënaqur. Nevojitet implementim i plotë i legjislacionit, plotësim me staf të strukturave të drejtësisë, të mos ketë ndërhyrje politike dhe politikanët të japin shembullin. Së dyti, duam të shohim një reformë zgjedhore reale që të bëhet në kohë të mjaftueshme duhet të jetë gjithëpërfshirëse me opozitën dhe t’u adresohet rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Së treti, duam të shohim përpjekje të forta për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe pluralizmin mediatik. Kjo kërkon më shumë transparencë nga pronarët e mediave dhe masa garantuese për të mbrojtur gazetarët”, tha McAllister.

Kryetari i delegacionit përmbylli duke thënë se për këtë s’mjafton vetëm legjislacioni, por vendosja e plotë në jetë e reformave.

Sa për çështjen e Ballukut, tha se është një test kritik për Shqipërinë që të adresojë luftën kundër korrupsionit.

“Nuk jam në pozicion të komentoj raste individuale në detaje, por do të them se çështja që përfshin zv/kryeministren Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”, u shpreh ai.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:02
Shqipëria në Bordin e Paqes, McAllister: Vendim i mbështetur edhe nga mazhoranca edhe nga opozita, nuk mund të flas në emër të 27 vendeve të BE

Kreu i Komisionit të Jashtëm të PE, McAllister u pyet nga gazetarët mbi vendimin e Shqipërisë për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Ai tha se nuk mund të flasë në emër të 27 vendeve të BE, por shtoi se vendimi i Shqipërisë për të marrë pjesë është mbështetur edhe nga opozita dhe mazhoranca.

“Jemi në dijeni për vendimin për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Nuk mund të flas në emër të 27 vendeve të BE, është aty ka disa shtete që do marrin pjesë në bordin e paqes. Shumica e shteteve të BE nuk janë të interesuar për të marrë pjesë, i pyetëm kolegët tanë përse është marrë ky vendim dhe është kuptuar që është një vendim që mbështetet si nga shumica dhe nga opozita, edhe në delegacionin tonë ka mendime të ndryshme dhe për Bordin e Paqes ka nga ata që janë por, ka nga ata që janë kundër, teke fundit kjo është demokracia”, tha McAllister.

Ora 13:59
Parlamenti Europian "shuplakë" Berishës: Protestat e dhunshme nuk kanë vend në demokraci

Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), David McAllister komentoi dhe protestat e Partisë Demokratike duke thënë qartësisht se aktet e dhunës nuk kanë vend në demokraci.

“Protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale. Dëshiroj të ngre edhe tre argumente të rëndësishme, ekziston nevoja për ta ruajtur forcën shtytëse në luftën kundër korrupsionit, shumë është arritur, por ende s’është në nivelin e kënaqshëm”, tha McAllister.

Ora 13:52
Propozimi i PS për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, Gonzato: I ndjekim të gjitha nismat, presim që qeveria të konsultohet me ne

Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato thotë se po i ndjekin të gjitha nismat që kanë lidhje me shtetin ligjor, duke iu referuar këtu propozimeve të PS për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale. Gonzato thotë se pret që qeveria të konsultohet me.

“Siç e dini ne i ndjekim nga afër të gjitha nismat që kanë lidhje me shtetin ligjor. Edhe që të mos prekin parimet e Reformës në Drejtësi të vitit 2016. Dhe presim që qeveria shqiptare të konsultohet me ne për çdo iniciativë”, tha Gonzato.

Ora 13:51
McAllister: Jam takuar me Bardhin, Vokshin dhe Tabakun! Berishën nuk do e takoj

Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), David McAllister, në një konferencë për mediat tregoi se kishte zhvilluar takime me përfaqësues të PD-së, Gazmend Bardhin, Tabakun dhe Albana Vokshin.

Ndërkohë, ai sqaroi se kreun e PD-së, Sali Berisha nuk do ta takonte, pasi do të ikte direkt pas konferencës për shtyp drejt aeroportit.

“Kur udhëtojmë në vende të 3-ta, takohemi dhe me udhëheqës e përfaqësues të opozitës. Sot jemi takuar me 3 përfaqësues të PD dhe të tjerë të partive opozitare. U takova me Bardhin, Tabakun dhe Vokshin, por nuk do të takohem me Berishën sepse do të iki në aeroport”, tha ai.

Ora 13:44
Çështja Balluku, McAllister: Nuk është vetëm juridike, por edhe përgjegjësi politike, të zgjidhet nga qeveria

Kreu i Komisionit të Jashtëm të PE, McAllister komentoi rastin e Belinda Ballukut. Ai thotë se është në dijeni të kësaj çështje, duke theksuar se nuk është vetëm çështje juridike, por edhe por edhe përgjegjësi politike.

"Kjo çështja ka pasur një vëmendje gjatë takimeve që ne kemi pasur. Unë nuk jam në pozicionin për ta komentuar.  Por kjo nuk është thjesht një çështje ligjore por edhe e përgjegjshmërisë politike që duhet të zgjidhet nga qeveria shqiptare", tha ai.