Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë replikuar sot në distancë lidhur me arritjet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në 4 vite drejtim të kësaj bashkie.
Fillimisht ka qenë deputeti i PS-së, Ervin Bushati ai që ka akuzuar Bashën se në 4 vite nuk bëri asgjë për Tiranën. "Lulzim Basha prezantoi sot një tjetër kandidat të PD dhe siç e ka zakon bëri të tjera premtime. Sepse Luli vetëm këtë di të bëjë. Di të premtojë, por nuk di të mbajë premtimet. Në katër vjet Lulzim Basha nuk bëri asgjë për Tiranën. Nuk mbajti asnjë premtim, nuk bëri asnjë punë, por sot bredh nëpër Shqipëri duke premtuar zhvillim, punësim e investime lart e poshtë Shqipërisë", tha Bushati.
Sipas tij, "Lulzim Basha flet për përballje të opozitës me qeverinë në 21 qershor. Flet për përballje njeriu që nuk ka guxim as të përballet me qytetarët e Kryeqytetit për bilancin e punës së tij."
"Përpara se të bredhë lart e poshtë Lulzim Basha duhet të gjejë sadopak kurajo e të dalë të përballet me kryeqytetasit: le t'u tregojë atyre se ç'bëri për gjelbërimin, parqet, këndet sportive, kartën studentore, nënkalimet, mbikalimet, parkimet, tramvajin e njëmijë e një çudirat e tjera. Nuk do t'i merrte shumë kohë. Duhen veç pak sekonda për të pasqyruar se çfarë ka bërë Luli për Tiranën në katër vjet: Asgjë! Përpara se të bredhë lart e poshtë duke u prishur punë kandidatëve të Partisë Demokratike me praninë e tij, Lulzim Basha duhet të dalë sot e t'u tregojë qytetarëve të Tiranës e të mbarë Shqipërisë përse i iku si frikacak garës së Tiranës. Përse nuk pati guximin të rikandidojë për një mandat të dytë, por i bëri bisht si ndonjë frikacak përballjes me dështimet e përgjegjësitë e tij si Kryetar. I bëri bisht ndëshkimit të pashmangshëm me votë nga qytetarët e Tiranës", tha Bushati.
"Lulzim Basha e di edhe vetë se ka dështuar. Pas 21 qershorit, kur Tirana do të ketë sërish një kryetar bashkie që do t'i hapur rrugë miradministrimit, mirëqeverisjes, zhvillimit dhe normalitetit që kaq shumë ka munguar në këto 4 vjet, Lulzim Basha do ta kuptojë fare qartë edhe sesa rëndë ka dështuar", theksoi Bushati.
Koordinatorja e PD, Reila Bozdo
Ndërsa Partia Demokratike ka reaguar ndaj këtyre akuzave me anë të koordinatores së saj Reila Bozdo, e cila u shpreh se, Partia Socialiste nuk e fsheh dot dështimin në qeverisjen e vendit duke sulmuar Bashkinë.
"Eksodi, mjerimi dhe varfëria është arritja e deritanishme e kësaj qeverie. Bilanci i bashkisë është më pozitiv se i 8 viteve të qeverisë Rama. Lulzim Basha i ka dhënë Tiranës vizionin e një qyteti modern dhe europian me Bulevard të ri, Terminal multimodal, transport modern pasagjerësh me tram, 200 projekte të realizuara në infrastrukturë, kopshte, shkolla e çerdhe, 25 mijë vende të reja pune, etj", tha Bozdo.
"Turpi i Edi Ramës, i deputetëve të Tiranës dhe i anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak, është hakmarrja ndaj qytetarëve duke i privuar nga çdo investim nga hapja e vendeve të reja të punës gjatë qeverisjes së tyre. Si kryebashkiak, Edi Rama mbahet mend për betonizimin. Si kryeministër do të mbahet mend për rikthimin e eksodit dhe kriminalizimin e administrates", theksoi Bozdo.
/atsh/