TIRANË- Partia Socialiste akuzi sot kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha se me alibinë se i është bllokuar buxheti, po mundohet të justifikojë dështimet e tij.
Në një deklaratë për shtyp, deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti, tha se buxheti i Bashkisë jo vetëm që nuk është bllokuar, por në ndryshim nga e kaluara, mazhoranca në këshill, edhe pse kundërshtare e kryebashkiakut e dha votën unanimisht për miratimin e buxhetit, duke vendosur në nivel të parë nevojat e qytetarëve të Tiranës.
Sipas PS-së, nevoja e qytetarëve nuk është shqetësimi i Lulzim Bashës, i cili pasi dha ku të mundte leje ndërtimi dhe para se qytetarët ta nxjerrin nga zyra me votë, tani po mundohet të justifikojë dështimet e tij me alibinë se i është bllokuar buxheti.
Në se në të vërtetë është kështu, atëherë përse gjatë dy viteve të para të mandatit, kur kish ende Berishën kryeministër, Basha sërish nuk bëri asnjë punë, thuhet në deklaratën e PS-së. Sipas saj, kryebashkiaku nuk ka mbajtur një sërë premtimesh kur erdhi në krye të bashkisë së kryeqytetit në vitin 2011, duke filluar me hapjen e vendeve të reja të punës, tek ulja e taksave apo realizimi i projekteve të reja si linja e tramvajit. /ATSH/