PS dhe LSI dakord të presin 
Venecian për Byronë e Hetimit

PS dhe LSI dakord të presin <br />Venecian për Byronë e Hetimit
TIRANË - Koalicioni qeverisës ka vendosur të presë opinionin e Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi në 12 mars, përpara se të vendosë për Byronë Kombëtare të Hetimit. Ky ka qenë konkluzioni i mbledhjes së djeshme të njësisë së koordinimit të koalicionit qeverisë. E premtja nisi me një takim 20 minutësh mes  presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe kreut të Kuvendit Ilir Meta. Takimi i zhvilluar në Presidencë zgjati vetëm 20 minuta dhe nuk pati asnjë njoftim për çështjet e diskutuara, por referuar çështjes më të nxehtë politike, besohet të jetë diskutuar për Byronë Kombëtare të Hetimit.

Mazhoranca
Më pas Meta i është drejtuar Vilës 30 në Tiranë, ku kanë shkuar edhe kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri Arben Ahmetaj dhe sekretari i grupit socialist Taulant Balla. Në takim kreu i LSI shoqërohet nga ministrat Manjani e Haxhinasto, si dhe kreu i grupit të deputetëve të LSI, Petrit Vasili. Në përfundim të mbledhjes, nuk pati deklaratë per median, por burime për “Shqiptarja.com” kanë mësuar se është marrë angazhimi që të komunikohet në mënyrë të vazhdueshme me opozitën, në mënyrë që pas rekomandimit të Komisionit të Venecias në 12 mars, të garantohet dhe dakordësia e tyre me votë.

E-maili
Ministri i Brendshëm Samir Tahiri ka sqaruar se në 8 shkurt, palët janë dakordësuar për draftin final të Byrosë. “Unë e kam me shkrim, me email-e, të shkruara. I kam në email-in tim me shkrim se si keni rënë ju dakord. Çfarë doni tani, t’ja u nxjerr dhe të them ja ku keni rënë dakord”, deklaroi Tahiri në Parlament.  Mësohet se paraditen e 8 shkurtit, një email ka mbërritur në kabinetin e ministrit të Brendshëm.

Ky email përmbante draftin e projektligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit, i cili më pas do të kalonte në mbledhjen e qeverisë. Këtë e pohoi dhe vetë ministri në Kuvend. Top Channel raporton se e ka parë këtë email si dhe adresën nga ai ka ardhur, nga Ambasada Amerikane. Email-i përmban si material projektligjin dhe shoqërohej ndër të tjera nga këto fjalë: “Në këtë email gjeni projektin final të ligjit për BKH-në, hartuar nga OPDAT dhe me dakortësinë e Partisë Demokratike”. Deri më tani, kanë folur të dy palët politike, por Ambasada Amerikane, me gjithë interesimin e medias, nuk ka mbajtur qëndrim nëse drafti i miratuar nga qeveria, është apo jo drafti i dakordësuar përmes saj.

Prokurorët
Unioni i Prokurorëve në vend ka dalë kundër projektligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit, jo vetëm sepse nuk reflekton vendimin e qershorit 2015 të Gjykatës Kushtetuese, por edhe sepse bie ndesh me Kodin e Procedurës Penale, si edhe sepse ka paqartësi. Në qëndrimin kundër, Unioni i Prokurorëve thekson se nuk është parashikuar se cila është veprimtaria e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Qëndrimi i LSI, Vasili: Drafti është i dakordësuar, gati ta votojmë
Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbështesë dhe votojë në Kuvend projektligjin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, u shpreh dje për “Report Tv” de drafti i mbërritur në komisionin ad hoc për reformën në drejtësi, ka marrë edhe dakordësimin e opozitës. “Qëndrimi ynë ka qenë në mbështetje të këtij draftit. Kur ne të dëgjonim që partnerët kishin shqetësime, ne do të mendonim për të ridiskutuar rezervat.

Duke qenë se partnerët s’kanë rezerva ne e mbështesim dhe do e votojmë në Parlament. Ne do e votojmë dhe jemi të lumtur që drafti i dakordësuar mbërriti dhe do miratohet Byroja e Hetimit”, u shpreh Vasili. Sa i takon çështjes së negociatave mes Partisë Socialiste, ose më saktë qeverisë dhe Partisë Demokratike, për Byronë, Vasili ka deklaruar se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka qenë pjesë e këtyre negociatave.

“Ne s’kemi qenë të përfshirë në këtë negocim, ne kemi shprehur politikisht që çdo dokument që do hartohet nga qeveria dhe ndërkombëtarët, do ketë mbështetjen tonë”, theksoi ai duke shtuar se, është dakordësuar dhe me ndërkombëtarët që ky draft të miratohet në qeveri në mënyrë që të jetë në tavolinën e politikës. Duke u ndalur tek qeverisja dhe kryeministri Rama e Ministrat, Petrit Vasili është shprehur se ka besim të plotë tek ta. Pas deklaratës së Ilir Metës se mund të jetë kandidat për President në 2017-ën, Vasili thotë se zgjedhja e kreut të shtetit duhet të kalojë përmes një procesi konsensual. Sipas tij, Meta mund të jetë një kandidat për kryetar shteti.
  
“Mua do më vinte mirë që Meta të shërbejë me këtë eficencë në shërbim të vendit dhe politikës, ka qenë kontribut i çmuar dhe i ka shërbyer politikës dhe institucioneve. Rëndësi ka që Presidenti i vendit të jetë konsensual”, shtoi ai.
 
Byroja, Pikat që ndajnë PD-PS, debati për varësinë e strukturës
Miratimi i draftit të Byrosë Kombëtare të Hetimit në qeveri të mërkurën përplasi sërish mazhorancën dhe opozitën, në vijim të debatit për reformën në drejtësi. Pikat ku kontestohet projektligji i qeverisë nga pakica parlamentare, kanë të bëjnë varësinë dhe emërimin e përbërjes së strukturës hetimore. Sipas ligjit, drejtori i këtij institucioni emërohet dhe shkarkohet nga ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, me propozimin e drejtorit të Policisë së Shtetit dhe pëlqimin paraprak, me shkrim, të Prokurorit të Përgjithshëm për një periudhë 5­vjeçare, me të drejtë riemërimi. Por kundër kësaj formule është Partia Demokratike.

Demokratët kërkojnë që Byroja të funksionojë pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe të jetë tërësisht në varësi të këtij institucioni të pavarur, sikurse edhe përbërja e saj t’i takojë Prokurorisë. Këtë pretendim opozita e lidh me rekomandimet e Venecias, konkretisht në pikën 90, ku thuhet se Byroja Kombëtare e Hetimit nuk duhet t’i nënshtrohet ndonjë drejtimi të jashtëm dhe që roli dhe kompetencat e saj duhen specifikuar, të paktën shkurtimisht në Kushtetutë. Për opozitën, ky është qëndrimi i ndërmobëtarëve që nënkupton se Byroja duhet të jetë e pavarur dhe jo në varësi të qeverisë.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat