Demokratët e kanë dorëzuar raportin e tyre më herët, pro kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, e bashkë me atë të socialistëve, me qëndrimin kundër heqjes së imunitetit, do të hidhen për votim seancën plenare, të enjten e 12 marsit. Në të njëjtën ditë, PD-ja paralajmëruar revoltë brenda dhe jashtë parlamentit me argumentin, se kryeministri po mbron korrupsionin e ish-numrit 2 të qeverisë

Sali Berisha e ndoqi me vëmendje qëndrimin e kryeministrit Edi Rama mbi çështjen e deputetes socialiste Belinda Ballukut.

Fill pas tij, zuri vendin në foltoren e selisë së Partisë Demokratike, duke thënë u konfirmua ajo që kishte paralajmëruar më herët, mbrojtja e Ramës ndaj Ballukut.

“Sot Edi Rama hoqi çdo lloj maske dhe doli publikisht në mbrojtje totale duke vënë në peng Kushtetutën e vendit, ligjet e vendit, ndarjet e pushtetit dhe procesin e integrimit evropian. Edi Rama iu tha shqiptarëve sot se Belinda Balluku është e paprekshme. Se Skapi është një zero me bisht. Se drejtësia nuk ekziston. Dhe se ai nuk ka ndërmend të përfillë asgjë nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit”, tha Berisha.

Ky vendim thotë Berisha, do t’i ketë pasojat edhe në Bruksel, ku përcaktohet fati i integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ai, sot dëshmoi më shumë se kurrë se është i gatshëm t’i përdorë mandatet e tij të krimit si bajoneta kundër qytetarëve shqiptarë dhe interesave të tyre në tërësi. Dhe në veçanti për mbylljen e dyerve të integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Berisha.

Kur të enjten e 12 marsit, 2 raportet e PD dhe PS të votohen si pikë e parë e rendit të ditës, e para pro arrestimit, dhe socialistët kundër, demokratët kanë thirrur edhe një protestë para Parlamentit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:27
PS kundër arrestimit të Ballukut, Bardhi: Rama po mbron korrupsionin, ky ishte test kritik në raport me BE-në

Partia Demokratike Bardhit ka reaguar pas qëndrimit të PS kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi shkruan se Rama po mbron korrupsionin dhe zgjodhi pengimin e drejtësisë. Bardho thotë se heqja e imunitetit të Ballukut nuk është vetëm çështje e brendshme politike, por një test kritik për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian.

Ndryshe nga PS, PD në raportin e saj kërkon t'i hapet rruga kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut. 

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit

MË NË FUND DEL HAPUR: I KORRUPTUARI MBRON TË KORRUPTUARIT! MË NË FUND, ZYRTARISHT PENG!

Vendimi i “Gjykatës Supreme të Republikës - PS” për të mos lejuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut konfirmon atë që kemi thënë që në ditën e parë: Edi Rama është peng i Belinda Ballukut. I kapur në kurthin e korrupsionit që ka ndërtuar vetë, Edi Rama nuk është një kryeministër i lirë për të marrë vendime në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Përndryshe, nuk do të ishte i detyruar që, pas 10 vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi, të hiqte maskën propagandistike të reformatorit, duke u kthyer në pengesën madhore të drejtësisë!

SPAK-u ka paraqitur prova për 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro, si dhe prova për presion ndaj dëshmitarëve përmes të fortëve dhe parave. Në çdo demokraci normale, Parlamenti do t’i hapte rrugë drejtësisë. Por sot pamë diçka tjetër: jo vetëm Kryeministri është peng, por edhe Parlamenti po mbahet peng për të mbrojtur sistemin e korrupsionit, me arkitekt Edi Ramën dhe zbatuese Belinda Ballukun e shumë të tjerë si ajo.

Kjo nuk është më vetëm një çështje e brendshme politike. Ky ishte një test kritik për Shqipërinë në raport me Bashkimin Europian. Europa kërkon sundim ligji dhe luftë reale kundër korrupsionit në nivelet më të larta, por Edi Rama zgjodhi korrupsionin dhe, pengimin e drejtësisë! Kur drejtësia bllokohet për të mbrojtur pushtetin, peng bëhet edhe integrimi europian.

Me qendrimin e Edi Ramës pro Belindës (korrupsionit), kundër drejtësisë (integrimit), konfirmohet e zeza mbi të bardhë: vendi qeveriset nga një kryeministër peng i një të pandehure të SPAK-ut.

Kur shteti merret peng nga korrupsioni, fjala u mbetet qytetarëve. Më 12 mars, para Parlamentit, shqiptarët do t’i tregojnë Edi Ramës se Shqipëria nuk është peng i askujt.