Partia Socialiste u shpreh kundër kërkesën së SPAK për arrestimin e Ballukut në raportin e saj, të prezantuar një ditë më parë. Sipas PS, Prokuroria e Posaçme nuk provoi domosdoshmërinë e kërkesës për arrestimin e ish-zv/kryeministres.
Në “Sot Live në Shqipëri”, deputeti i PS për Sarandën, Ardit Bido, mbrojti qëndrimin e partisë se “SPAK s‘po pengohet” dhe “mund të vijojë hetimet”.
“Pa PS nuk do të kishte SPAK”, tha Bido duke shtuar: “Besoj se dhënia e masës arrest me burg dhe arrest shtëpie është bërë bukë e djathë në këtë vend”.
Ndërsa avokati Leonard Karaj thotë se drejtësia për të cilën aq shumë flet kryeministri, është sulmuar prej vetë atij.
“Njeriu që e ka sulmuar jashtëzakonisht shumë, po shumë fare dhe u ka hedhur hi syve gjithë shqiptarëve sikur ai ishte Skënderbeu i mbrojtjes së drejtësisë e ka emrin Edvin Kristaq Rama. Nuk iki larg, në vitet 2014-2016 ku fjala burg ishte një në 5 fjalë të Edi Ramës”, tha Karaj.
Avokati sqaroi se Balluku është e pandehur që do të thotë se prokuroria e cilëson fajtore, edhe pse kjo, sipas parimit të prezumimit të pafajësisë, provohet ose jo në gjykatë.
“Po ta kisha bërë unë atë që ka bërë Balluku, sipas SPAK-ut, sepse Balluku është e pandehur, jo nën hetim, ka një status totalisht ndryshe, pra për të kuptuar, statusi i pandehur prezumon që për organin e akuzës Balluku është fajtore. Sigurisht, fajësia dhe pafajësia vendoset në gjykatë, por për organin e akuzës në momentin kur merret e pandehur, është fajtore. Tani kthehem mbrapsht dhe them, larg qoftë, të kisha bërë unë 1/10 e atyre akuzave që ka Balluku, 9 herë shkelje të barazisë në tendera, 9 herë! 35 vjet në mënyrë akumulative të veprës penale”, sqaroi avokati.
Sipas avokatit, tashmë grupi parlamentar i PS është shkalla e pestë e drejtësisë. Më tej, ai tha se raste si Veliaj e Beqaj kanë ngarkesë më të vogël penale, por janë dërguar në burg, ndryshe nga Balluku.
“Personi që ka qenë kundërshtari kryesor ndaj reformës në drejtësi, sot e ka fakt të kryer që Rama dhe grupi parlamentar i PS e ka vendosur me standard. Tani kemi një shkallë të pestë në drejtësi, grupin parlamentar të PS. Personalisht, për shkak të avokatisë, po të isha avokat i Ballukut do ta mbroja dhe për këtë mos ki dyshim, përtej bindjeve të mia qytetare, por s’mund të pranoj që të tjerët të shkojnë kokrra e plumbit në burg, Ilir Beqaj, Erion Veliaj, Ilir Meta, Lefter Koka e 1001 të tjerë që për mendimin tim, kanë ngarkesë penale shumë herë më të madhe sesa Belinda Balluku dhe kjo zonja, sepse preket Edi Rama, do të duhet të mbrohet me istikam. Kjo është gafa më e madhe që keni bërë. Keni për t’ia parë hajrin deri në qershor sepse do të keni përpara Brukselin zyrtar dhe Uashingtonin. Rama është mësuar me pirueta, por do të jetë me kosto për shqiptarët, jo për ju”, tha avokati.
Duke iu referuar rasteve të përmendura nga avokati, Bido tha se ky rast nuk përmbush kushtet për autorizimin.
“Në rastin konkret, nuk plotësohet asnjë nga kushtet për autorizimin. Dhënia e masës arrest me burg dhe arrest shtëpie është sipasGgjykatës së Strasburgut, Kushtetuese dhe Këshillit të Europës, një anormalitet në Shqipëri”, tha ai duke dhënë edhe një qëndrim personal: “Për mua Kuvendi nuk duhet të japë asnjë autorizim”, tha ai.
Por sipas avokatit, qëndrimi i qeverisë përbën një standard të dyfishtë pasi ndërsa 200 mijë dosje janë stok, kryeministri nuk thotë asnjë fjalë për to. Nga ana tjetër, thotë se Balluku është nën mbrojtjen e tij, ndonëse Rama u shpreh se “nga tani e tutje, është vetëm”.
“Për reformën e drejtësisë kam 1001 të zeza se e vuaj përditë me qytetarët. Ka 200 mijë qytetarë që vuajnë përditë! Rama del vetëm për Ballukun, jo për stokun e dosjeve!”, tha avokati i revoltuar: “Keni merakun se mos preket Balluku!”
Sa për 3 dorëheqjet e Ballukut që Rama u shpreh se nuk i ka pranuar, Karaj e pyeti drejtpërdrejt Bidon pse kryeministri vendosi ta shkarkonte pa shfrytëzuar një prej dorëheqjeve.
Leonard Karaj: Ka dhënë 3 herë dorëheqjen, s’ka nevojë ta japë 3 herë, 1 herë e jep robi dhe ikën! Pse s’pranoi një nga dorëheqjet, por e shkarkoi?
Ardit Bido: Në rastin konkret kemi pasur një pretendim që për mua qëndron personalisht dhe politikisht që s’mund të pezullohet një ministër, organ kushtetues e me radhë. I është lënë kohë Gjykatës Kushtetuese që të shprehet dhe në momentin që u la në fuqi rasti konkret, atëherë patjetër u pranua dorëheqja, Balluku u zëvendësua.
Komente











