1./Beni, Beni ma laj

Një lavire e përdalë, kokallë e gjallë veshur firmato binte në sy plot rrudha dhe e super plakur. Me tanga mbi bythë, bythë të fishkura e gjokse të varura. Herë dukej si femër e pështirë, e herë si transeksual i lodhur prej profesionit të pallimit. U shfaq të hënën e parë të majit nëpër ekrane dhe ua rrëmbeu logjikë e ndjenjë shqiptarëve hamshorë. Parakalonte si një Miss inoçente dhe e paprekur, përkëdhelej plot hojna dhe si virgjëreshë amatore tërhoqi goxha vëmendje. U harbuan taksapagues e dembela, rini e pleqëri u araks, madje edhe Ndue Gjini në Laç priti orën 12 të mesnatës e pasi u dorëzuan listat te këqëzëja e Lefterisësësë ngriti pushkë dhe vrau Dedë dhe Luigj Vukën. Kurrsesi Ndue-ja nuk mund të linte pa parë sfilatën e radhës së asaj lavires karaputanë me emrin Politika Shqiptare.

Të hënën mbrëma as Vera Grabocka, as Ardit Gjebrea, as Petri Bozo, as Zhaneta Ciko e as Pali Kuke nuk kishin orkestruar asgjë. Spektakli mbante për regjisorë pengmarrës profesionistë dhe ne, ne bastexhinjtë e fateve të këtij vendi argëtoheshim si syleshë pa pikë sedre dhe brohorisnim e mallkonim mbi nominimet që politika i pillte si me frymë të shenjtë nga sqetullat ku leshi dhe era e djersës kimikatonion e helmonin përtej ekraneve.

Përsëri politika na tërhoqi vëmendjen, na tërhoqi madje edhe veshët e ne iu bindëm. Në spektakël nuk kishte të ftuar të huaj specialë por spontanisht, “spontanisht” pra zbriti në skenë Ben Malaj, i cili shfryu rreth dy minuta për diktatorët e rinj e iu sul me vrap këqëzësë se i skadonte afati të çonte dokumentacionin si i pavarur. Fat që gjeti krejt rastësisht një taksi para selisë së pësësë, fat që ato minuta të mbetura mblodhi rreth 3 mijë firma zgjedhësish, fat që gjeti hapur një zyrë noterie buzë Lanës së Lulit dhe pasi mbaroi punë siç ia kërkon Kodi Zgjedhor spanjoll i kaçtriotit mallakastriot mbajti frymën te dera e Lefterisë së Jozefinës.

Ndërkohë që Politika Shqiptare përdridhej e sfilonte, pa ftesë e pa biletë u pa të hynte në sallën e spektaklit edhe Tosi, Tos Nano. Si qejfli femrash e haremesh nuk ndenji dot pa komentuar dhe pasi krejt rastësisht Tur Zheji treqindegjashtëDHJETë gradëshi e mori në telefon, vetë Tosi i lyer me këna më të ndezur këndoi këngën e radhës.



2./Tosi, Tosi plot trishtim

Moskandidimi i Ben Malajt ia kishte plasur zemrën dhe po e vutë re porsi Berisha, edhe Tosit i ishin ënjtur qeskat poshtë syve. Njeriu që burgoste i qeverisur dhe qeveriste i burgosur kishte kohë që kishte humbur. Pas dështimit për t’u mustaqezuar si nishan në presidencë, pas nismave halabake për ka-thar-is, pas aventurave të një adoleshenti të vonuar, pas kompromiseve me xhelatin e burgosjes së tij dhe pas një hakmarrjeje të gjatë ndaj partisë që vetë e lindi e vetë e abandonoi, kapardisur dje dhe sot veç tymnaja shpërndahu.

Ky çun Blloku e ky çun Bënçe nuk u pa kurrë të fliste për dhimbjet e varfërisë së këtij vendi. Nuk u shfaq kurrë i revoltuar të atakonte atë sistem drejtësie që si dikur i është kthyer hakmarrjes politike si më 1993-shin. Nuk pati kurrë kohë që si akademik të pshurrte mbi arsimimin universitar vendas që po gangrenizon mendjet e gjeneratave dhe si pacient i spitaleve vieneze asnjëherë nuk u pa t’i ofronte një dozë të vetme viagre shëndetësisë shqiptare impotente.

Daljet e befta të këtij ish- burri shteti në kohë delikate, shfaqin më së mirë kapacitetin e vakët të tij financiar. Sa herë kumarxhiu Nano shënon emrin në lista kazinosh i avitet Berishës si kaç i zi për të marrë shpërblimin e radhës me shpresë se aty përballë në ish shtëpinë e tij do të bëjë gjëmën.

Nuk kërkoi as privatisht e as publikisht të kontribuonte në hartim listash sepse e di tashmë që dera e pësësë i mbyllet në fytyrë. Nuk besoj se kanë garanci te ish- idoli i tyre as Gramozi, as Edi, as Fatmiri, as Arta, as Vali, as Bashkimi, as Beni. Lojërat e marionetave të Tosit morën fund me llokmat berishiane të bamirosura të 2007-ës dhe ecejaket spontane të ndonjë rezistenti të fundit mbeten të mekura.

Tos Nanon e vlerësoja dikur për batutat, për perversitetin e sforcuar, për liberalizmin dhe finesën në të bërin e politikës por kurrsesi nuk mund ta fal pse i fali burgosjen Berishës dhe pse u konvertua nga një hetero në një homopolitik. Ai vazhdon flejë në një krevat e të pallohet me një pensionist të kamur si Berisha duke menduar se ia hedh edhe gruas edhe partisë. Këtu të ndalemi pak. Partia Socialiste nuk është më si Xhoana Nano.

Marre nga Tema
(ad.ti/shqiptarja.com)