Debati me ndërkombëtarët pasi Kuvendi nuk i hapi rrugë kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, nuk u cilësua si frenues nga kryeministri Rama si frenues për rrugëtimin europian. Ai i bëri thirrje SPAK që të vijojë hetimet duke i shprehur mbështetjen për të gjetur korrupsionin.

Nën ‘lupën’ e avokatit Alfred Duka, i ftuar në “Studio Live” në Report Tv, veprimi i Kuvendit ishte politik dhe i paralajmëruar. Sipas gjykimit të tij, kjo do të prodhojë pasoja nga ndërkombëtarët, të paparashikuara.

“Mendoj se me refuzimin që Kuvendi i bëri kërkesës së SPAK për të mos lejuar organin e akuzës për të vepruar me masa sigurimi më represive, mendoj se është një veprim politik ku Kuvendi, sigurisht e ka në kompetencë mosdhënien e lejes për të caktuar një masë më të ashpër sigurimi ndaj Ballukut, por duke qenë se ky është një veprim politik i paralajmëruar, i ditur prej kohësh që do të mbante atë qëndrim shumica, të formalizuar ditën e djeshme, ka sjellë që në krye të herës, por do të sjellë me ç’mendoj, në ditët në vazhdim, pasoja nga më të paparashikuarat deri më sot nga institucionet ndërkombëtare sepse PS ka premtuar mbajtjen e një qëndrimi luajal ndaj kërkesave të SPAK për t’i lënë dorë të lirë për të hetuar çdo zyrtar të lartë. Mirëpo erdhi një moment kur si duket kjo vijueshmëri u ndërpre, pikërisht me Ballukun për shkak të fuqisë së saj politikë, për shkak se përfaqëson një prej pushtetarëve më të rëndësishëm në vendin tonë dhe kryetari i PS paralajmëruan para 3 ditësh se nuk do të votohej për dhënien e këtij mandati”, tha Duka.

Avokati mendon se SPAK nuk do ta rikërkojë masën për Ballukun sepse tashmë e njeh qëndrimin e PS. Por, ai nënvizon se SPAK ndodhej në pozitën e duhur për të bërë kërkesën sepse e parashikon edhe ligji lehtësimin ose rëndimin e masës së sigurisë kur ka rrethana të reja.

“Unë nuk mendoj se SPAK do ta rikërkojë një masë për shkak se çfarëdo që të paraqesin me ato materiale në Komisionin Parlamentar, tashmë dihet qëndrimi i tyre dhe i grupit parlamentar të PS dhe s’mendoj se mund të kemi një situatë të re me ribërjen e një kërkese për një masë më të ashpër sigurimi ndaj saj. Motivimi i kërkesës së SPAK ka qenë i drejtë për shkak se pasi është marrë e pandehur Balluku, sipas informacioneve të SPAK, kemi një rëndim të pozitës së saj dhe ligji procedurial e parashikon se masa e sigurimit mund të ndryshohet me daljen e disa rrethanave të reja”, u shpreh Duka.

E vetmja rrugëzgjidhje, sipas Dukës, është përshpejtimi i hetimeve që çështja të shkojë në gjyq, ndërsa parashikon kosto jo të mirëmenduar nga ana e Ramës.

“Prokurorisë së Posaçme i mbetet vetëm të përshpejtojë hetimet dhe të kërkojë ta çojë çështjen në gjyq. Nuk mendoj se ka rrugë tjetër sepse tashmë parlamenti, kryeministri e ka marrë mbi vete koston e rrëzimit të kësaj kërkese që them se nuk do të jetë një kosto që kryeministri e ka menduar mirë. Refuzimin s’e ka menduar mirë, por edhe retorikën në forumet e PS që ishte i tepërt ose ai ishte në pozitë tëv vështirë për ta lëshuar Ballukun në duart e drejtësisë saqë u pa në të gjithë elementët e reagimit të tij”, tha Duka.

Në përmbyllje të diskutimit për këtë çështje, avokati tha se do të jetë një pikë kthese. Ai mendon se ndërkombëtarët s’do e falin refuzimin e kërkesës, por pasojat u përkasin shqiptarëve.

“Çështja Balluku është pika e kthesës që në vlerësimin tim do të sjellë pasoja të shpejta sepse institucionet perëndimore që kanë ideuar dhe financuar këtë strukturë të posaçme nuk do t’ia falin kryeministrit Rama refuzimin e kërkesës së SPAK. Në mënyrë absolute! Pasojat do t’i vuajnë shqiptarët. Do të vonojnë integrimin tonë në Europë, mund të ketë edhe pasoja të tjera”, përfundoi Duka.