Pse Berisha është kthyer përsëri patericë e Bashës

Pse Berisha është kthyer përsëri patericë e Bashës

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Nuk ka dyshim që deri dje Berisha ishte paterica  kryesore e Bashës. Pa mbështetjen e doktorit ai as nuk do ish zgjedhur dhe as nuk do kish mbetur në krye të PD-së, sidomos pas humbjes së qartë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Kaq gjë e pranojnë edhe vetë mbështetësit e Bashës. Por nëse dje Berisha e mbante Bashën në krye të PD-së, duke e mbështetur, sot bën të njëjtën gjë duke e luftuar. Pas një katalogu të gjatë dështimesh dhe një mungese të theksuar lidershipi, e vetmja mënyrë si si mund të justifikohet qëndrimi i Bashës në krye të PD-së sot është si e keqja më e vogël përballë Berishës.

Ndaj Berisha sot është aseti politik më i madh i Bashës. Është fat i madh të mbrosh aleancën e PD-së me SHBA-të përballë dikujt që është refuzuar familjarisht dhe publikisht prej tyre si i korruptuar dhe pengesë për demokracinë. Është komoditet që i njëjti person që të vuri dhe mbajti në krye të PD-së të akuzon sot si peng i Ramës. Përballë inkoherencave dhe kontradiktave histerike të Berishës me veten dhe SHBA-të, Basha shfaqet si një lider racional, perëndimor, i matur dhe koherent.

Madje, Berisha arriti të sfumonte edhe gafën më të madhe politike të Bashës, deklaratën sa antidemokratike edhe antistatutore se Kuvendi i PD-së nuk do mblidhej. Me mënyrën se si i mblodhi dhe i dorëzoi firmat, me vendosjen arbitrarisht të datës 11 dhjetor për mbledhjen e Kuvendit, dhe me refuzimin e Kuvendit të datës 18 dhjetor, Berisha tregoi se ia kalon Bashës si në shkeljen e statutit, edhe në atë të demokracisë.

Nëse qëllimi i lëvizjes Berisha dhe i mbështetësve të saj ishte mbledhja e Kuvendit të PD-së, atëherë përse e refuzojnë pjesëmarrjen në të? Përse nuk prezantojnë aty mocionet dhe vërejtjet e tyre? Përse një kuvend i shpallur nga Berisha në mënyrë personale është më legjitim se ai i shpallur nga kryesia e PD-së në mënyrë kolegjiale?

Juristët e doktorit u lodhën nëpër studio duke thënë se përjashtimi i Berishës nga grupi ishte i paligjshëm sepse u mor në mënyrë personale dhe jokolegjiale. Atëherë përse Kuvendi duhet mbledhur më datë 11 dhjetor sipas vendimit personal të Berishës dhe jo më 18 dhjetor sipas vendimit kolegjial të kryesisë?

E vetmja arsye se përse sot në PD nuk debatohet realisht mundësia e rinovimit të lidershipit aktual është sepse Berisha ka shpallur ambicien për kryetar. Dikotomia Basha – Berisha shërben për të eliminuar zgjidhjen më racionale për tejkalimin e krizës në PD, një kryetar dhe kryesi që nuk është as e Bashës dhe as e Berishës.

Kjo është e vetmja alternativë që e rrezikon Bashën, sepse përballë Berishës ai e ka të siguruar kryetarllëkun, qoftë edhe të një PD-je të reduktuar. Qëllimi i Berishës nuk është aspak rrëzimi i Bashës, por marrja e një llokme sa më të madhe të PD-së për të mbetur faktor në skenën politike. Prandaj ai nuk do të marrë pjesë në Kuvendin e PD-së, por në Kuvendin e Sali Berishës që do themelojë një parti të re, që ka po aq të ardhme politike sa dhe themeluesi i saj.

Natyrisht Berisha mund ta largonte shumë lehtë Bashën si kryetar. Mjaftonte që të mos i shpallte luftë, të tërhiqej vetë nga grupi parlamentar dhe nga jeta politike pas shpalljes non grata. Pra, të tregonte se as nuk do ta përdorte dhe as nuk do ta përçante PDnë për hallin e tij me SHBA-të.

Mjaftonte që në mënyrë të qetë, pa e shapllur Bashën poliagjent, në intervista mediatike të deklaronte se PD-ja duhet të rinovonte lidershipin dhe të analizonte humbjen e 25 prillit. Kaq do mjaftonte që pozitat e dobëta të Bashës të tronditeshin brenda PD-së dhe aty të krijoheshin rryma të reja për rinovimin e lidershipit.

Por qëllimi i foltores së Berishës nuk ishte përmirësimi dhe aq më pak demokratizimi i PD-së. Ajo shërbente si platformë force ku Berisha u tregonte amerikanëve se është faktor i rëndësishëm në vend. Ndaj i duhej të mobilizonte militantët me të vetmen mënyrë që ai di, duke abuzuar si me kundërshtarin edhe me procesin demokratik brenda partisë.

Akuzat që ai i bën kryetarit aktual për pengmarrje nga Rama, për djegien e mandateve apo moshyrjen në zgjedhjet lokale janë aq absurde saqë thjesht forcojnë pozitat e Bashës në krye të PD-së. Nëse Rama e kish marrë Bashën peng këto tetë vitet e fundit në opozitë dhe Berisha nuk bëzani, atëherë ose është krejt i verbër, ose gjithashtu është peng i Ramës. Në të dyja rastet, nuk përbën alternativë për lidership, edhe sikur mos të ishte refuzuar nga SHBA-të.

Është akoma më qesharake akuza se Basha gaboi në radikalizimin e opozitarizmit me djegien e mandateve dhe moshyrjen në zgjedhjet lokale. Këto janë akte që u nxitën personalisht nga Berisha dhe u frymëzuan politikisht nga filozofia politike e berishizmit që e transformon kundërshtarin politik në armik total, përballë të cilit nuk ka garë, por vetëm përmbysje. Ndaj Berisha sot nuk mund të jetë alternativë ndaj berishizmit të Bashës dje.

Dhe këtë ai e ka shumë të qartë, ndaj po përpiqet të krijojë partinë e tij. Ajo që të habit është se si mjaft anëtarë të PD-së, disa syresh edhe me mend në kokë, i janë bashkuar Berishës për inat të Bashës, me shpresën se ai do ta rrëzojë kryetarin aktual dhe do demokratizojë e rinovojë PD-në.

Ndërkohë që lufta e Berishës në PD sot është alibia më e mirë për qëndrimin e Bashës në krye të saj. Ashtu si dje, Berisha vazhdon të jetë edhe sot një patericë e Bashës që bllokon rinovimin e PD-së. Ky është një ndër absurditetet e shumta të foltores, transformimi i një burri të moshuar në patericën e një djali të ri që është vjetëruar si lider.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër