Si i tillë, ky epos ka mbetur nën hijen e eposit serbokroat, apo më mirë të themi të atij mysliman boshnjak, me të cilin, pa diskutim, ka afërsi. Studiuesi homerik Milman Parry (1902-1935 (dhe ndihmësi i tij, Albert Lord (1912-1991), nga Universiteti “Harvard” tërhoqën vëmendjen e një brezi të tërë dijetarësh, me zbulimin e tyre të bardëve të pashkollë të Bosnjës dhe Sanxhakut, të cilët, me një zotësi të vërtetë homerike, mund të recitonin vargje epike me orë të tëra.
Pas një vizite të parë në Jugosllavi në vitin 1933, Parry u kthye në Ballkan, për një qëndrim më të gjatë, nga muaji qershor 1934 gjer në shtator 1935, kësaj here me ndihmësin e tij Albert Lord-in. Gjatë qëndrimit në Bosnjë, Hercegovinë, Mal të Zi dhe Sanxhakun e Novi Pazarit, ata regjistruan 12500 tekste, shumë prej të cilëve i ruajtën në formën e regjistrimeve zanore në disqe alumini.
Ky material përbëri bazën e botimit të tyre shumë të rëndësishëm me dy vëllime Serbocroatian Heroic Songs (Këngët heroike serbokroate – Kejmbrixh, Masaçusets & Beograd 1954, 1953). Është interesante të vihet re se katër, prej pesë këngëtarëve që përmenden në këtë vëllim, qenë shqiptarë: Sali Uglani (Salih Ugljanin), Xhemal Zogiq (Djemal Zogić), Sulejman Makiq (Sulejman Makić) dhe Ali Fulani (Alija Fjuljanin). Këta këngëtarë nga Sanxhaku i Novi Pazarit qenë të gatshëm, dhe të aftë, të recitonin përmendësh të njëjtat këngë në gjuhën boshnjake (serbokroate) dhe shqiptare.
Në vitin 1937, pas vdekjes së parakohshme të Parry-t, Albert Lord-i u kthye i vetëm në Ballkan, ku filloi të mësojë shqip dhe të udhëtoi nëpër malësinë e Shqipërisë, ku mblodhi një pjesë të madhe të vargjeve heroike shqiptare, të cilat ruhen në Koleksionin “Milman Parry” pranë Universitetit “Harvard”. Lidhur me këtë veprimtari, ai shkruante: “Në Novi Pazar, Parry kishte regjistruar disa këngë shqiptare nga njëri prej këngëtarëve që këndonte në të dyja gjuhët.
Vegla muzikore e përdorur për t‟i shoqëruar këto këngë është gusle (shqip, lahutë) por vargu është më i shkurtër se dhjetërrokëshi serb dhe nëpër to vihet re një lloj rime primitive. Duket qartë se do të ishte me vlerë një studim i shkëmbimit të formulave dhe pjesëve tradicionale midis këtyre dy grupeve poetike, duke qenë se kjo do të tregonte se çfarë ndodh kur poezia gojore kalon nga një grup gjuhësor në një tjetër, i cili ndodhet ngjitur me të parin.
Mirëpo, në vitin 1935 nuk kishte kohë të mjaftueshme për të mbledhur shumë material apo për ta mësuar shqipen. Kur ndodhesha në Dubrovnik gjatë verës së vitit 1937, mu dha mundësia të mësoja shqip dhe, në shtator dhe tetor të po atij viti, udhëtova nëpër malet e Shqipërisë së Veriut, nga Shkodra deri në Kukës, nëpër Bogë, Theth, Abat dhe Tropojë, prej ku u mora për nga jugu.
Mblodha rreth njëqind këngë tregimtare, shumë prej të cilave të shkurtra, por disa qenë diku te pesëqind deri njëmijë vargje të gjata. Zbuluam se ka disa këngë të përbashkëta të traditës serbokroate me atë shqiptare dhe se një sërë heronjsh myslimanë të eposit jugosllav, si, për shembull, Mujo dhe Halil Hërnjica dhe Gjergjelez Alija, gjenden edhe në këngët shqip.
Mbetet shumë për të bërë në këtë fushë, përpara se të mund të themi me saktësi se cila është marrëdhënia midis të dyja traditave. 1 ” Përkundër këtij materiali të begatë, i cili tani është botuar në shqip në Prishtinë, Tiranë dhe gjetkë, pengesa gjuhësore e ka bërë të vështirë njohjen e eposit shqiptar mes publikut të huaj. Për pasojë, vëmendja e të huajve është përqendruar thuajse tërësisht te eposi boshnjak.
Megjithatë, kanë dalë disa monografi prezantuese për eposin shqiptar, në gjuhën angleze. Libri Albanian and South Slavic Oral Epic Poetry (Poezia epike gojore shqiptare dhe jugosllave - Filadelfia 1954, Nju Jork 1969) me autor Stavro Skëndin (1905-1989) na jep një informacion të përgjithshëm të mjaftueshëm, mirëpo duket qartë që është i vjetruar. Mendoj se kontakti i Skëndit me eposin shqiptar ishte i kufizuar.
Librat Albanian Folk Verse: Structure and Genre (Vargu popullore shqiptare:, strukturë dhe zhanër - Mynih 1978) i të ndjerit Arshi Pipa (1920- 1997) dhe The Bilingual Singer: a Study of Albanian and Serbo-Croatian Oral Epic Traditions (Këngëtori dygjuhësh: një studim i traditave epike gojore shqiptare dhe serbokroate - Nju Jork 1990) me autor John Kolsti-n (l. 1935) nga Universiteti i Teksasit në Ostin, përqendrohen kryesisht në metrin dhe strukturën e eposeve dhe nuk shohin në ndonjë thellësi kuadrin kulturor dhe historik të këngëve dhe këngëtarëve.
Botimi im dygjuhësh me titull Songs of the Frontier Ëarriors: Këngë Kreshnikesh, Albanian Epic Verse in a Bilingual English-Albanian Edition (Këngë Kreshnikesh: Poezi epike shqiptare në një botim dygjuhësor anglisht-shqip - Ëauconda, Illinois 2004) është përkthimi i parë i madh në anglisht i këtij materiali.
Me kënaqësi kam mësuar se Gjekë Marinaj (l. 1965) dhe Frederick Turner (l. 1943) nga Universiteti i Teksasit në Dallas kanë përgatitur tani një përmbledhje në anglisht të folklorit shqiptar e cila do të përfshijë edhe një pjesë të materialit epik dhe kreshnik.
Sigurisht, vazhdojnë të kenë vlerë libri në gjermanisht “Die Volksepik der Albaner” (Epika popullore e shqiptarëve - Halle 1958) i autorit Maximilian Lambertz (1882-1963), i cili ofron një përkthim në gjermanisht të këngëve, krahas një shpjeguesi filologjik, dhe punimet në italisht të Ernest Koliqit (1903-1975) si “Poesia popolare albanese” (Poezia popullore shqiptare - Firence 1957).
Ka edhe përkthime në frëngjisht të këngëve epike, të krijuara në Tiranë, në vëllimet Chansonnier des preux albanais (Këngë kreshnikesh shqiptarë - Paris 1967) të botuara nga Zihni Sako dhe Trésor du chansonnier populaire albanais (Visari i këngëve popullore shqiptare - Tiranë 1975), përkthyer nga Kolë Luka. Eposi boshnjak, si traditë e gjallë, duket se nuk ekziston më pas ditëve të Parry-t dhe Lord-it.
Nuk gjenden më këngëtarë të pashkollë në kafenetë e Novi Pazarit apo Bijelopojës dhe askush nuk është më në gjendje ta vazhdojë traditën e rapsodisë së sllavëve të jugut. Por, për çudinë e shumëkujt, eposi shqiptar është ende më se i gjallë. Edhe pas agut të shekullit XXI-të, mund të gjesh ende jo pak lahutarë në Kosovë, sidomos në malësinë e Rugovës, në perëndim të Pejës, dhe në Shqipërinë e Veriut, krahas atyre pak rapsodëve që jetojnë në Mal të Zi, të cilët janë në gjendje të këndojnë dhe recitojnë bëmat e Mujit dhe Halilit dhe tridhjetë agëve të tyre.
Këta janë këngëtarë të cilët e kanë trashëguar repertorin e tyre si pjesë e traditës së pakëputur gojore, të kaluar nga brezi në brez. Pa frikë, mund të arrish në përfundimin se këta pleq përbëjnë grupin e fundit të këngëtarëve tradicionalë të eposit në Evropë! Është shkruar shumë për lashtësinë dhe origjinën e eposit shqiptar dhe për marrëdhënien e tij me 1 „Homer, Parry and Huso,‟ në: American Journal of Archeology 52.1 (1948), f. 43. Ribotuar në: The Making of Homeric Verse, The Collected Papers of Milman Parry. Ed. Adam Parry (Oksford 1981), f. 477. 3 eposin boshnjak.
Nga ana tregimtare, dhe për arsye të tjera, ekziston tashmë një konsensus i përgjithshëm se “Këngët e kreshnikëve” janë kristalizuar në shekujt XVII-të dhe XVIII-të, në zonën kufitare të Ballkanit ku ndaheshin krishterimi dhe bota islame, edhe pse në këngë ka të pranishme edhe shtresa shumë më të vjetra. Kemi të bëjmë, pra, kryesisht me një pasqyrim letrar të Luftërave kundër Turqve (Türkenkriege) midis Perandorisë Osmane dhe derës të Habsburgëve.
Heronjtë tani janë rebelë myslimanë që jetojnë në krahinë, dhe të cilët për zemër kanë të kalojnë malin për të bërë plaçkë në krajli, në Mbretërinë e të Krishterëve, dhe t‟ua hedhin mbretit dhe luftëtarëve sllavë. Toponimet e përmendura në këngë janë identifikuar se ndodhen në luginat e Likës dhe Kërbavës dhe rreth tyre, në lindje të Zarës (Zadar) në Kroaci, jo larg prej kufirit të Bosnjës së sotme.
Jutbina, vendi i Mujit dhe Halilit, është qyteti i vogël i Udbinës në rrugën që të çon nga liqenet e Plitvicës në drejtim të Zarës. Jutbina ndodhet në skajin jugor të Luginës së Kërbavës. Klladusha, vendlindja e Gjeto Basho Mujit, është Velika Kladuša, një qytet 35 kilometra në juglindje të Karlovacit dhe vendi i udhëheqësit të dikurshëm Fikret Abdiq (l. 1939). Ky vend ndodhet në zonën e Bihaçit, në skajin veriperëndimor të Bosnjë-Hercegovinës.
Sinja është porti i vogël i Senjit në detin Adriatik, midis Rekës (Rijeka) dhe Zarës. Ky port ka qenë bastioni i kaçakëve dhe piratëve të njohur me emrin uskoci të cilët u kanë bërë rezistencë të ashpër forcave osmane. Zahara mund të jetë shumë mirë Zadari, që në shqipen dhe italishten e sotme njihet me emrin Zarë/Zara. Është sidomos interesant toponimi Kotorri i Ri.
Në pamje të parë duket se ka të bëjë me Gjirin e Kotorrit në Mal të Zi, duke qenë kështu shumë më pranë me territorin shqiptar, mirëpo shumë më larg se toponimet e tjera në Dalmaci. Mirëpo, studiuesi shqiptaro-amerikan Stavro Skëndi me shumë zotësi e ka identifikuar Kotorrin e Ri me Ravni Kotari apo Kotarin e Rrafshët, një varg kodrash 15 kilometra në lindje të Zarës, ku prodhohet një verë shumë e mire dalmate.
Fjala serbokroate “ravni” (i rrafshët) me sa duket këngëtarëve shqiptarë u shkonte me fjalën i ri, sh. të rinj, duke arritur kështu në fjalën Kotorri i Ri. Mes toponimeve të tjera në këngët shqipe që kanë toponime përkatëse në versionet boshnjake janë: Lugje të Verdha (Zeleni Lugovi) Gurrët e Bardha (Beli izvori, Beli kamenje) Podrume të Jutbinës (Udbinski podrumi) Bjeshkët e shkreta (Jadne planine) Edhe protagonistët e këngëve tona në shqip kanë paralelet e tyre në lëndën boshnjake.
Gjeto Basho Muji apo Muji dhe Sokol Halili, të përmendur më lart janë Çetobasha Mujo (= Mustafa, udhëheqës i çetës) dhe Halil Hërnjica në versionet sllave. Muji dhe Halili duket se janë mbështetur në figura historike.
Një dokument në gjermanisht i shkruar në Karlovac më 20 nëntor 1641, me një listë toponimesh dhe rebelësh myslimanë, duket qartë se i përmend edhe ata. 2 Më 2 Dragutin Mićović: “Severnoarbanaške i srpskohrvatske deseteračke junačke narodne pesme.” në: Stanovništvo slovenskog porijekla u Albaniji. Zbornik radova sa međunarodnog naučnog skupa održanog na Cetinju, 21, 22 i 23. juna 1990. godine. Cf. ëëë.rastko.rs/rastko-al/zbornik1990/dmicovicpesme_1.php 4 poshtë, citoj: “Von Gross Kladuscha, da am maisten tschettiert ëürdet: der Haram-Bassa Mustaffa, dess Hernizo Brueder, sonsten Khasslitschitsch Musstaffa genandt.”
(“Nga Kladusha e Madhe, ku çetohej më së shumti: Mustafa Harambasha dhe i vëllai Hërnjico, i njohur ndryshe me emrin Mustafa Hasliçić”) Gjergj Elez Alia ynë ka për paralel emrin sllavo-boshnjak Alia Gjerzelez (Alija Djerzelez) dhe emrin turk Gürz Ilyas. Kjo figurë del për herë të parë në kadastrat turke si pronar toke në vitin 1455. Sipas studiuesit boshnjak Rashid Gjuriq (Rašid Djurić), kronikani dhe historiani turk Ibn Kemal (1468-1534) e përmend heroizmin e Gürz Ilyas-it në vitin 1479-1480 dhe popullaritetin e tij në folklorin e Bosnjes.
Sidoqoftë, Gjergj Elez Alia është shumë i njohur te boshnjakët dhe shqiptarët si një hero legjendar dhe si simbol i besnikërisë vëllazërore. Shumë protagonistë të tjerë të këngëve shqiptare i gjejnë paralelet e tyre në lëndën boshnjake: Dizdar Osman Aga (Disdar Osman Aga) Zuku Bajraktari (Zuk Barjaktar) tridhjetë agët (trideset aga) Tanusha e Krajlit (Kraljeva Tanuša) agët e Jutbinës (Udbinske age) Vuku Harambashi (Vuk Harambaša) Ajkuna (Hajkuna) Bud Aline Tale (Budinalina Tale) Llabutani i Krajlit (Kraljev Labutane) Krajli i Talirit (Talirski kralj) Maxhar Jabanxhija (Madžar Jabandžija) Osman Qehaja (Osman ćehaja) Ymeri i Mujit (Mujov Imer) Halil aga i ri (Mladi Halil aga) Ganiqe Galani (Ganiće Galjani) Plaku Mehmet aga (Stari Mehmet aga) Deli Mehmet aga (Deli Mehmet aga) Plaku Qefan aga (Stari Ćefan aga) Rushja e Kralit (Kraljeva Ruža) Krajli i Mehorjes (Krajl iz Merohje) Arnaut Osmani (Arnaut Osmani) Në këngët shqiptare përmenden edhe Lumi i Danubit dhe rojat e kostumet hungareze, të cilat janë shumë të largëta nga trojet ku kanë jetuar historikisht shqiptarët.
Nga këto paralele dhe nga terma të tjerë të dukshëm sllavë në këngët shqiptare, duket qartë se kemi të bëjmë me një lëndë gojore e cila, mbase pas një periudhe të gjatë zhvillimi, u kristalizua në një hapësirë sllave jugore në trojet kufitare midis Perandorisë Osmane dhe trojeve të Habsburgëve të Austrohungarisë, pa dyshim në zonën e luginës së Likës dhe Kërbavës, dhe e cila pastaj u transmetua nga këngëtarë dygjuhësh në një hapësirë shqiptare.
5 Nga fillimi i shekullit XVII-të, Bosnja, Kosova dhe Shqipëria qenë të përfshira dhe të bashkuara nën Perandorinë Osmane dhe një pjesë e mirë e popullsisë vendase shqiptare dhe sllave qenë kthyer në myslimanë. Lindi një kulturë e përbashkët në trojet osmane të Evropës Juglindore, ku ndarjet kombëtare dhe gjuhësore kishin me më pak rëndësi nga sa kanë sot.
Territori mysliman shtrihej nga zona e lartpërmendur e Bihaçit drejt juglindjes nëpër Bosnjë e deri në Sanxhkun e Novi Pazarit. Si Sanxhaku ashtu edhe Kosova fqinje po përjetonin një rritje të ndjeshme të popullsive shqipfolëse e cila ishte në kontakt të afërt me folësit sllavë myslimanë të kësaj zone.
Të paktën, në gjysmën e dytë të shekullit të XIX-të, shumica e popullsisë në Kosovë ishte shqiptare dhe shqiptarët përbënin një numër të konsiderueshëm edhe në Sanxhak, duke përbërë, mbase, shumicën edhe atje. Për shembull, studiuesi rus Aleksandër Fedoroviç Giferding raportonte në vitin 1856 se shqipja ishte e vetmja gjuhë e folur në Sjenicë. Pra, nuk është rastësi që pikërisht në Sanxhak Albert Lord-i takoi këngëtarët dygjuhësh.
Sidomos interesante është historia e përmendur në librin e Albert Lord-it The Singer of Tales (Këngëtari i tregimeve - Kejmbrixh, Masaçusets, 1960) lidhur me bashkëbisedimin që kishte bërë me Sali Ugljanin ku ky i dyti i shpjegonte për aftësinë që kishte për t‟i kënduar këngët si në gjuhën e vet shqipe ashtu edhe në gjuhën boshnjake. Rrjedhimisht, duket qartë se ka shumë paralele midis eposit shqiptar dhe atij boshnjak.
Ato kanë një origjinë të përbashkët dhe, në thelb, pasqyrojnë një kulturë të përbashkët. Mirëpo, pas procesit të transmetimit, eposi shqiptar u zhvillua vetëm në hapësirën shqiptare dhe mori shumë karakteristika, vlera dhe forma gjuhësore të shprehjes që janë tërësisht shqiptare, dhe është pikërisht kjo ajo që e bën sidomos mbresëlënës. Edhe pse nuk u hoqën toponimet, konflikti bazë i rrëfimit u zhvendos nga lufta midis myslimanëve dhe të krishterëve te lufta midis shqiptarëve dhe shkijve, domethënë sllavëve.
Studiuesit shqiptarë, me dëshirën e përhershme për të konfirmuar paraardhjen e kulturës së tyre përpara asaj të sllavëve, evidentojnë elemente të vjetra të kulturës heroike shqiptare të cilat mund të kenë ndikuar në zhvillimin e këtyre vargjeve shumë kohë përpara periudhës së kristalizimit të tyre.
Ata theksojë se vargu epik i këtij lloji u zhvillua vetëm mes fiseve sllave që jetonin në zona gjeografike shumë pranë popullsisë vendase parasllave të Ballkanit, domethënë pranë paraardhësve të shqiptarëve, dhe ka disa vëzhgues të cilët kanë menduar për një shtresë parasllave. Mirëpo, fatkeqësisht, diskutimi për fillesat e vargjeve epike ballkanike kanë marrë një drejtim tipik ballkanik, sipas avazit “Isha unë i pari!”
Pas kaq shumë shekujsh zhvillimesh paralele dhe kontaktesh, nuk ka të ngjarë që do të kemi ndonjëherë një pamje të qartë dhe të prerë të shtresëzimit të eposit. Përkundër transmetimit nga një hapësirë sllavoboshnjake, Këngët e Kreshnikëve nuk janë aspak përkthim i eposit boshnjak.
Ato i janë nënshtruar një zhvillimi të vazhdueshëm dhe të pavarur që pas periudhës së kristalizimit dhe nuk janë, pra, as boshnjake, as kroate, as malazeze, as serbe, dhe as gjithë-shqiptare, por janë produkt i gjeniut krijues të malësisë së Shqipërisë së Veriut. Mbetet shumë për të bërë që kjo trashëgimi e jashtëzakonshme kulturore të njihet dhe vlerësohet si një traditë alternative ndaj këngëve boshnjake, të cilat njihen më shumë. Tubimi ynë këtu, sot, nuk përbën gjë tjetër përveç se një hap të bërë në drejtimin e duhur.
Lautari nga Kosova Is Muriqi
(D.T/Shqiptarja.com)