Pse ia dha "Berisha" lejen
kompanisë së markimit të naftës

Pse ia dha kompanisë së markimit të naftës">
Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure, që përfshin grosistët e naftës në vend, ka publikuar një letër, ku përsërit kundërshtitë e saj lidhur me caktimin e kompanisë GFI për markimin e karburanteve. Sipas saj, koncesioni është dhënë në kushte anonimati të pronarëve, me kosto tejet të lartë, si dhe më kushte teknike të papranueshme. Të gjitha këto flasin për një aferë korruptive nga ana e qeverisë ‘Berisha’.

Sipas reagimit të kompanive, arsyet se përse ato e kanë kundërshtuar koncensionin e markimit të karburanteve, që prej fillimit dhe në të gjitha instancat, janë:
Së pari- Në fillim u përdor kompania kanadeze “Global Fluids”, çka erdhi si një emër i madh, të cilës qeveria ‘Berisha’ i dha dhe 6% bonus për meritën e madhe, se solli ofertën pa ia kërkuar. Kjo kompani ka bërë emër në sektorin e prodhimit të kimikateve, po në asnjë vend të botës nuk ka një koncension si ky që po pregatitej në Shqipëri.

Në çdo vend të botës qeveria, bashkë me ligjin e akcizave cakton markuesin sipas destinacionit të përdorimit të karburantit dhe kompanitë vetë, pa kosto shtesë, në rafineri porosisin produktin. Sot në vendin tonë në këtë mënyrë markohet nafta që përdoret në peshkim.
Së dyti- Meqënëse formalisht duhej bërë një tender, në ofertat e paraqitura në Ministrinë e Financave pati një të tillë, që markimi të bëhej me 200 lekë/1.000 litra, por kjo, siç duket, nuk iu mjaftonte fantazmave që fshiheshin pas koncesionit.

Së treti- Papritmas në tender del një zarf i vetëm me ofertë të përbashkët të tri kompanive: “Global Fluids International”, “Cotecna Inspections”, “Petroleum Consulting Partners”. Tashmë markimi nuk do të realizohej me 200, por me 614/lekë për 1.000/litra plus TVSH-në. Kompanitë e shtuara nuk janë gjë tjetër, veçse maskimi i aksionerëve të vërtetë.
Së katërti- Ministria e Financave, në mënyrë të habitshme, lidh kontrata me këtë bashkim kompanish për markimin e karburantit me 614/lekë për 1.000/litra.

Kjo ndodh në mungesë të konkurencës dhe informacionit se kush janë aksionerët e vërtetë, e duke mos patur përvojën e ndonjë vendi në botë ku markimi bëhet në këtë mënyrë, pikërisht nga këto kompani. Sepse është fakt që nuk ekziston një e tillë përvojë.  

Së pesti- Qeveria e kohës, duke qenë se po hynim në kohë zgjedhjesh, shpejton ta bëjë sa më të ligjshëm këtë koncesion, duke miratuar kontratën me një bashkim të përkohshëm, edhe pse bëhej fjalë për një shërbim të rëndësishëm dhe të kushtueshëm për ekonominë e vendit. Miratohet - në ndryshim nga eksperienca botërore - që markimi do të kryhej për produktet që paguajnë akcizë dhe rentë, pra nafta, benzina, solari, mazuti, nafta bruto.

“Pas të gjithë këtyre veprimeve, Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure, si grup interesi, u injorua nga të gjitha instancat e qeverisjes, askush nuk guxoi të ulej me neve dhe të diskutohej mbi koncensionin, sepse çdo gjë ishte paracaktuar”.

Sipas operatorëve të tregut, roli i këtij koncesionari në rregullimin sadopak të tregut është zero. Ngritja e tarifave mbi karburantet nga viti 2013 deri sot dhe rritja e konsumit çdo vit sipas rritjes ekonomike nuk mund t’i njihet si meritë këtij koncesioni, siç kërkon vetë ai t’ja shesë publikut, sëbashku me shumë të tjerë përfitues të pamerituar koncensionesh.

Së fundmi Shoqata thotë se nuk di kujt t’i drejtohet. “Fituesit e koncensionit nga qeveria janë njohur si bashkim i përkohshëm dhe GFI e krijuar prej tyre s’dimë kë përfaqëson”, thuhet në letër. 

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Veliaj vizitë në Tokio, do përfaqësoj presidencën e B-40, si dhe takime me kryetaren e bashkisë dhe një grup deputetësh

Veliaj vizitë në Tokio, do përfaqësoj presidencën e B-40, si dhe takime me kryetaren e bashkisë dhe një grup deputetësh