Duket sikur shumë nga shqiptarët që kanë mbetur këtu janë të ndarë në dy grupe të mëdha: Ata që janë mbështetës të Partisë Demokratike dhe flasin vetëm keq për çdo gjë që bëhet në Shqipëri dhe mbështetësit e Partisë Socialiste që flasin vetëm mirë. Një pjesë tjetër, që dinë të flasin mirë për një gjë të bukur, e të flasin keq për një gjë që nuk shkon, sa vjen e tkurret mes përplasjeve që nga dy ekstremet bëhen gjithnjë e më të ashpra.Ata pak njerëz që flasin dhe përdorin logjikën janë më të izoluarit. Të veçuar nga ekstremistët, të strukur nën habinë e ulërimave të palëve të kundërta, presin ditë më të mira. Ditët kur logjika, shteti e ligji, të mirësevijë edhe në Shqipëri.
E nisim nga e fundit ndodhi: Astiri ishte një problem për Tiranën. Mbështetësit e PD-së i bënë banorët në protestë heronj, mbështetësit e PS-së i bënë kriminelë. Kush këtë problem e shihte si delikat, social, njerëzor, ligjor, nuk pati hapsirë mes "plumbave" virtualë. Logjika, buonsensi, ligji, janë ende të trembur nga zhurma e "të fortëve" në një pozicion.
Nga ana tjetër, që të shohim se Shqipëria dhe Tirana po ndryshon dhe përmirëson pamjen, duhet të presim vetëm reportazhet dhe opinionet e të huajve. Nëse dikush shprehet që "pa një lagje të bukur, një natyrë të admirushme, një park frymëmbajtës", është patjetër "i shitur". Kush shan e poston më të shëmtuarën kudo që lëviz, nga disa kategorizohet si "intelektual" i vlefshëm.
A ka një të mesme të ndershme në opinionet e të përditshmes shqiptare? Marrim disa kategori, për shembull arkitektë. Disa prej tyre janë të impenjuar përditë të tregojnë anën më të shëmtuar të Shqipërisë. Nuk ka foto, trafik, pallat, lagje, plehra që të mos marrin vëmendjen e tyre. Nuk u pëlqen asgjë, as Sheshi Skëndërbej, as Pazari i ri, as Parku i Liqenit, as Stadiumi, as Teatri. Fjalët janë të rënda, pamjet gjithashtu. I vetmi matës është të shohim se çfarë kanë bërë dhe bëjnë ata individualisht për të përmirësuar vendin. Shpeshherë qëllojnë arkitektë godinash të tmerrshme në kryeqytet: pallate, objekte biznesi pa logjikë, nga ato që çdo qytet në botë do të donte t'i fshinte me gomën e një lapsi, nëse do të kishte mundësi.
Edhe gazetarët nuk shpëtojnë nga kjo retorikë: Të vendosur në dy llogore, do të shohësh të njëjtat karakteristika. Nxijnë ata që përfituan e u përkëdhelën nga PD, ndriçojnë kush mbështetet nga PS. Më me fat janë gazetarët që kanë projekte nga Soros, Usaid, Be, e të tjera shoqata, të cilët nuk varen as nga bizneset lokale për reklama, as nga pushtetarë apo opozitarë për t'i patur me "sy të mirë" për një lajm a intervistë.
Shqipëria, si çdo vend i pasur apo i varfër qoftë në botë, ka të mirat dhe dobësitë e veta, por që tek ne të bëhet një luftë kaq e fortë për të shprehur një qëndrim që përputhet me të vërtetën dhe logjikën, duket puna më e vështirë.
Jeta në një vend ende pa një Shtet dinjitoz e të barabartë, siç është akoma i yni, është shumë e ndërlikuar, por ama, negativiteti ekstrem shpesh i pasinqertë dhe i sponsorizuar nga interesa të ngushta, është më e keqja që mund të bëjmë për veten, familjen dhe Shqipërinë.