Pse PD e Alibeajt krijon Këshillin Euro-Atlantik? Eduard Prodani: Emergjencë kombëtare të rikthejmë vlerat në PD

Pse PD e Alibeajt krijon Këshillin Euro-Atlantik? Eduard Prodani: Emergjencë kombëtare të rikthejmë vlerat në PD

Eduard Prodani dhe kryetari i Komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj

TIRANË- Eduard Prodani, bashkë me një grup themeluesish dhe intelektualësh të Partisë Demokratike që në embrionin e saj, bëhet pjesë e Këshillit Euro-Atlantik. Pse Alibeaj dhe PD mori këtë nismë pikërisht tani dhe cili është qëllimi i kësaj strukture krah PD-së, e sqaron për Shqiptarja.com në këtë intervistë.

Prodanin e njohim më së shumti si ish drejtues i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe së fundmi si një nga analistët sportivë më akutë. Pakkush njeh historinë e tij si një ndër themeluesit e Partisë Demokratike. E rishohim në listën e një grupi intelektualësh të përzgjedhur në strukturën e Këshillit Euro-Atlantik pranë Partisë Demokratike drejtuar nga Enkelejd Alibeaj dhe kërkojmë të mësojmë më shumë rreth tij dhe kësaj strukture. 

Ato që po ndodhin sot në politikën shqiptare, sipas Prodanit në të vërtetë kanë nisur si fenomen që në fillimet e politikës pluraliste në vendin tonë: qoftë rrëmbimet e selive të partive, drejtimeve, përjashtimeve pa votime e zgjedhje, por ajo që shqetëson më shumë atë është linja anti-amerikane dhe anti-europeiste të cilën e sheh si një rrezik serioz për të ardhmen e Shqipërisë dhe të fëmijëve tanë. Ja çfarë e bindi atë të rreshtohet në krah të një grupi intelektualësh dhe ish-themeluesish të Partisë Demokratike. 

Zoti Prodani, u bë e njohur se jeni bërë pjesë e një strukture të re të quajtur Këshilli Euro-Atlantik pranë PD. Mund të na thoni diçka më shumë? 
-Mora një ftesë për t’u bërë pjesë në një trupe konsultative të krijuar pranë PD të quajtur Këshilli Euro-Atlantik. Është në praktikën e shumë partive demokratike që të krijojnë struktura të tilla. Pra, trupa këshillimore të përbëra nga individë jashtë partisë për të ndihmuar atë të orientohet sa më mirë dhe të ketë një optikë më të gjerë se ajo që ofrojnë forumet e partisë. Në takim na u prezantua që Këshilli Euro-Atlantik ka për qëllim kryesor të ndihmojë me këshilla dhe sugjerime mbi një çështje që po bëhet gjithmonë e më shqetësuese për politikën shqiptare siç është e ajo e raporteve me partnerin strategjik më të rëndësishëm të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të vërtetë, veprimi duhet kuptuar si një lëvizje politike e drejtuesve të PD që përmban një mesazh të hapur për elektoratin e PD dhe partneret euro-atlantike të Shqipërisë. Në këtë kontekst, e ndjeva për detyrë dhe përgjegjësi të marr pjesë dhe të kontribuoj me sa mundem. Në tryezë gjeta ish-themelues të PD dhe aktivistë të kohëve të para, njerëz të njohur për integritetin e tyre moral dhe patriotik të pakorruptuar nga influencat e politikave te ditës.

Flitet shumë, po çfarë konkretisht implikon ajo që quhet “orientim Euro-Atlantik”?
-Orientimi Euro-Atlantik presupozon përzgjedhjen e një modeli politik, ekonomik dhe të sigurisë kompatibël me ato të vendeve të komunitetit Euro-Atlantik, pra SHBA, BE dhe NATO. Në këtë proces detyrimisht duhet të garantohet instalimi dhe mbrojtja e vlerave të përbashkëta si demokracia, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe ekonomia e tregut. Kjo është një zgjedhje strategjike që një vend vendos të bëjë për të siguruar stabilitet, zhvillimin ekonomik dhe integrim. Shqipëria e ka bërë pa dilema këtë zgjedhje që prej ndarjes nga komunizmi, por mbajtja e këtij orientimi kërkon verifikimin dhe zgjerimin e vazhdueshëm të lidhjeve politike, ekonomike dhe të sigurisë midis vendeve partnere. Fatkeqësisht në Shqipëri sot po bëhen përpjekje të kundërta ku me kritikë janë ato të dëmtimit të marrëdhënieve politike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Mendoni se çështja është kaq serioze? Përse tani në mes të fushatës elektorale vendore? Duket si përpjekje elektorale.
-Në të vërtetë nuk e kisha menduar kurrë se do vinte dita të vihej në dyshim orientimi Euro-Atlantik i Shqipërisë. Aq më tepër duke ditur preferencën absolute të shqiptarëve nga tërë anët e kufirit për Amerikën. Po ja që fuqia e manipulimit dhe spekulimit qenka e pafund dhe po na çon të punojmë kundër vetë interesave më jetësore të kombit tonë, sigurisë kombëtare dhe të ardhmes së fëmijëve tanë. 

Kjo është një çështje që shkon shumë përtej politikes së ditës apo çështjes se kush do fitojë këtë apo atë bashki. Ngjarjet e fundit kanë provuar se Partia Demokratike e ka shndërruar qëndrimin ndaj orientimit Euro-Atlantik të vendit në një vijë demarkacioni. Kjo është një çështje ekzistenciale për të. Në rast se votuesit e saj në këto zgjedhje do të lejojnë veten të rrëmbehen nga prapësirat që kemi parë e dëgjuar këto kohëra ky mund të ishte fundi për të dhe një dëm i madh për Shqipërinë. Ndaj i duhet rënë kambanave të alarmit dhe duhen mobilizuar tërë energjitë politike dhe shoqërore sa nuk është vonë. Mesazhi për votuesit e përhershëm të PD është shumë i thjeshtë: Vota për kandidatët e Partisë Demokratike është votë për të konfirmuar aleancën tonë me Amerikën, për të ruajtur orientimin Euro-Atlantik të Shqipërisë dhe për t’i hapur rrugë proceseve të rinovimit të partisë. 

Çfarë u diskutua në takimin e parë? Cilat ishin këshillat që dha tryeza?
-Ishte një mbledhje konstituuese, por nuk ishte e vështirë të dalloje dëshirën për kthim në vlerat dhe idealet e vitit 1990, për një apel të sinqertë elektoratit, për hapje të gjerë ndaj individëve dhe ideve të frymëzimit euro-atlantik, për ndryshim radikal të retorikës politike, etj.

Së fundi, ju njiheni në publik si ish-drejtues i FSHF dhe analist i çështjeve të futbollit. Sa i natyrshëm është për ju ky kalim në çështjet politike?
-E vërtetë. Ka shumë vite që në publik flas për futboll, por unë kam edhe një të kaluar në politikë. Në 1990 firmosa si anëtar themelues i PD. Organizova krijimin e degës së PD në Laç, u bëra kryetar i parë i saj dhe drejtova zgjedhjet e vitit 1991. Më pas u bëra pjesë e iniciativës për themelimin e FRPD dhe u zgjodha nënkryetar. Po karriera në PD mbaroi shumë shpejt. Në vitin 1992, pas fitores së zgjedhjeve na përzunë. Ajo që ndodhi me kongresin në stadium për mua ishte një deja-vu. Sepse, në 1992 po për të hequr qafe drejtuesit e “bezdisshëm” të FRPD u thirr papritur një FRPD paralel. Është për të qeshur po unë i bie te jem akoma nënkryetar i FRPD sepse institucionalisht nuk kam dhënë dorëheqjen dhe nuk më ka shkarkuar njeri. Një mynxyrë tjetër politike e kam përjetuar edhe në vitin 2001 tek Aleanca Demokratike. Një grup personash të paidentifikuar na nxorën forcërisht jashtë dhe rrëmbyen zyrat e partisë. Ditën tjetër partia vijoi të funksionojë sikur nuk kishte ndodhur asgjë, kuptohet që me një grup tjetër drejtues. Këto dhe plot si këto kanë ndodhur rëndom në politikën e Shqipërisë se pas viteve ’90. Pra, ajo që ndodh sot në te vërtetë është rezultat i një procesi të gjatë kultivimi anti-vlerash. Qoftë ky fundi i marrëzisë. 

Këshilli do përbëhet nga këta anëtar
1. Edmond Trako –Deputet i PD në legjislaturën e parë
2. Eduard Prodani –Student i Dhjetorit, bashkethemelues i forumit rinor të PDSH
3. Fatos Hoxha –ish-deputet i PD 2009-2013
4. Gjergji Hani –ish i dënuar politik në moshën 16-vjeçare në 1985
5. Marcel Hila –Aktivist i degës se Partisë Demokratike Shkodër qe ne vitin 1990
6. Neli Demi –psikiatër, terapist
7. Nevila Nika – Profesoreshë, historiane, ish-drejtoreshe e Arkivit të shtetit
8. Omer Stringa –profesor i ekonomisë, ish-dekan i fakultetit ekonomik
9. Preç Zogaj –themelues i Partisë Demokratike, drejtor i gazetës së parë opozitare RD
10. Rushdi Keci –profesor, ish Prefekt i Tiranës
11. Vasil Gjika –ish deputet i PD-së ,92-96

B.K./a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Dyshoj se për 10 vjet, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën

Spahiu: Dyshoj se për 10 vjet, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën