Situata kaotike që përjetoi Tirana më 14 tetor 2026, nga mesdita deri në orët e vona të mbrëmjes, ndër të tjera, ngriti dyshime për mungesën e një pranie të fortë të Policisë së Shtetit. Një ditë më parë, policia ishte bërë objekt sulmesh online pas publikimit të dy pamjeve me dy të rinj, njëri që përleshej me policët dhe tjetri me një këmbë të lënduar.
Nuk po them se kjo ishte arsyeja, dhe këtu po flas vetëm në nivel hipoteze, sepse situata është ende e freskët dhe shumë gjëra mbeten për t'u sqaruar. Por, nisur nga mënyra si u zhvilluan ngjarjet, nuk përjashtohet mundësia që policia të ketë pasur informacione për një situatë që mund të dilte jashtë kontrollit. Jo domosdoshmërisht për shkak të pjesëmarrësve në protestë, por për shkak të atyre që mund të përpiqeshin ta shfrytëzonin protestën për të luajtur me ndjenjat e njerëzve që i ndiqnin ngjarjet nga televizori.
Në fund të majit, mjaftoi një individ në Zvërnec, i cili u tërhoq për disa metra nga dy punonjës të policisë private, që të nesërmen ajo pamje të krijonte një ndjesi pështjellimi dhe solidariteti me të dhe njerëzit vërshuan në bulevard.
Është e mundur që informacionet paraprake të kenë qenë të tilla që organizimi i 14 tetorit të konsiderohej me rrezik të lartë për përshkallëzim dhe viktima të mundshme. Nga pamjet televizive vihej re prania edhe e adoleshentëve, vajzave e madje edhe e fëmijëve. Mes turmës së mbledhur fillimisht te Ministria e Arsimit, sipas asaj që u pa dhe u raportua, kishte edhe grupe që dyshohej se ishin organizuar më herët dhe që dispononin shishe me benzinë në sasi të konsiderueshme.
Po të shikoje trajektoren që mori protesta nëpër rrugët e Tiranës, krijohej përshtypja se kishte një itinerar të përcaktuar. Ndërsa dhuna ndaj godinave publike dhe private dukej se i lihej në dorë grupeve drejtuese dhe individëve që vepronin aty për aty. Për shembull, një vajzë tek Ministria e Drejtësisë, sapo bëri thirrje: “Digje, digje”, drejt godinës u hodhën shishet me benzinë.
Do të ishte e pamundur për Policinë e Shtetit që të ndiqte me forca policore dhe zjarrfikëse çdo grup të dhunshëm gueril që do të shkëputej nga turma e protestuesve. Në një situatë të tillë, ndërhyrja në çdo pikë të qytetit do të ishte shumë e vështirë të organizohej me trupa e mjete.
Nëse do të kishte një përballje fizike frontale mes Policisë së Shtetit dhe protestuesve, të cilët, për etikë, nuk po i quaj huliganë, rreziku që dikush të mbetej i vdekur do të ishte real. Dhe jo domosdoshmërisht nga ndërhyrja e policisë, por edhe si pasojë e dhunës brenda vetë turmës. Derisa të sqarohej e vërteta, propaganda online mund ta kishte bërë punën e saj, duke përhapur kudo informacionin se viktimën e kishte vrarë policia. Kjo nuk është një frikë pa bazë, sepse gjatë ditës qarkulluan lajme të rreme se në QSUT kishte të vdekur mes protestuesve.
Menaxhimi i emocioneve të njerëzve që mund të ndikohen në kohë reale nga narrativa të rreme online, mund të sjellë pasoja shumë më të rënda sesa dëmet materiale, të cilat, sado të mëdha, janë të rikuperueshme.
Mbase ka nga ata që do të donin që ky skenar të bëhej realitet, që ta besonin se ekzistonte si i tillë. Por, pavarësisht se pamjet e dhunës, sidomos ndaj bizneseve, janë të dhimbshme, jam i bindur se pasojat do të kishin qenë shumë herë më të rënda nëse një përplasje frontale do të kishte përfunduar me viktima, me të fajshëm apo të pafajshëm qofshin./Tema









Komente
Komento