Ministri i Jashtëm i Greqisë ka njoftuar se janë vënë në dijeni për çështjen Beleri të gjithë organizmat evropianë, madje edhe shefi i NATO-s, Stoltenberg.
Me siguri pyetja e tyre e parë drejtuar Gerapetritis ka qenë: Kush dreqin është ky Fred Beleri? Dhe e dyta: Ku në djall bie Himara?
Me siguri Gerapetritis ka hequr të zitë e ullirit t’ua shpjegojë evropianëve dhe nuk i ka hyrë kësaj aventure me amerikanët që shumica nuk e dinë ku bie Ballkani.
Greqia po bëhet qesharake me synimin e saj që kërkon të kthejë në “kauzus beli” atlantik një fshat të humbur të Shqipërisë dhe një kryetar komune që vjedh vota nën shembullin e kleftëve dhe llafoset si në kohën e Kollokotronit. Është dritëshkurtësi që Greqia kreditet e saj të aleancave i harxhon për interesa lokale dhe harron ato madhore si përplasja me Turqinë.
Nëse mendon që mund t’i japë një mësim Shqipërisë dhe Shqipëria të tërhiqet me bisht ndër shalë, duhet thënë se në Athinë u ka ngecur ora në vitet ‘90-të. Por kjo është puna e tyre. Plani për të trembur Ramën vështirë se do arrihet. Ndërsa Greqia vazhdon e zihet për punë fshatrash me fqinjët, Brukseli ka halle më thelbësore kurse Rama nuk do të bëjë hap pas dhe kjo lidhet me mbijetesën e tij, e cila nuk ka lidhje me politikën dhe nacionalizmin, por me ekonominë.
Konkretisht, Shqipëria i ka drejtuar të gjitha përpjekjet e saj nga turizmi. Investimet e shtetit në rrugët drejt rivierës, aeroporti i Vlorës, janë sforco e madhe për kapacitetet shqiptare, por janë edhe një zar i hedhur nga Rama që ky vit filloi t’i japë frutet e tij dhe ka shpresë ta shumëfishojnë në të ardhmen. Dhe pjesa e vijës detare të Bashkisë së Himarës është ajo me më shumë potencial turistik.
Rama ka presion nga investitorët shqiptarë që mos ta lërë vendin në dorë të një njeriu i cili mbron interesat e elementëve që aspirojnë Vorio Epirin. Shumë prej nesh e mbajnë mend katrahurën që bëri Nerënxi për mos të prishur avllinë e manas (nënës) duke e lënë shëtitoren e Himarës gjysmake.
Ndërkohë që edhe vetë forca që përfaqëson Beleri nuk është përfaqësues i ligjshmërisë në prona. Elementi filogrek në Bashkinë e Himarës ka bërë kërdinë në prona në atë zonë në kohën e Bollanos dhe kjo nuk është çudi të përsëritet me Belerin.
Ndaj Rama nuk ka ndërmend të bëjë hap pas. Natyrisht që Gerapetritis bën goxha akrobaci që t’i shpjegojë evropianëve se çështja e keqtrajtimit të tifozëve kroatë ishte juridike kurse çështja Beleri është politike dhe jo gjyqësore; që i kërkon Ramës të bëjë presion mbi drejtësinë për ta zgjidhur këtë rast.
Por asnjë nuk ka oreks të merret me një humbameno si Beleri që politikisht përfaqëson nacionalizmin arkaik grek, kurse juridikisht një minues demokracie. Rama mund t’i bëjë presion gjyqësorit, por këtë nuk ka pse e harxhon për dikë që zbavitet që e ka në burg. Aq më shumë kur kjo kauzë po bën përditë e më shumë pis opozitën “sovraniste” të Berishës, llucë ku është zhytur duke menduar se do marrë edhe Ramën me vete por ku ka ngecur keq.
Evropa përveçse ka probleme me Ukrainën dhe minore me Kosovën, nuk ka ndërmend të hapë sanksione kundër Shqipërisë e as të sulmojë drejtësinë shqiptare, një krijesë atlantike. Këtë ia ka bërë të qartë edhe Greqisë, ndaj edhe deklaratat e Gerapetritit më shumë bëhen për të trembur Ramën sesa ka efekt në Bruksel. Këtë Rama e di ndaj është edhe gjithmonë e më cinik me ta.
P.sh intervistat dhënë medias greke ishin një cingarisje nervash për grekët. Por përtej zbavitjes ditore, potencialin ekonomik të jugut, tek i cili ka hedhur gjithë paratë dhe investimet e tij, nuk ka ndërmend ta lerë në dorë të Belerit dhe një dorë nacionalistësh të mykur në Greqi dhe SHBA. Mes tyre dhe ardhmërisë së tij politike, Rama do të zgjedhë veten. Rama ka hedhur disa herë zaret në jetën e tij. Ky është një ndër ato raste dhe është ai rast kur nuk bëhet fjalë vetëm për Belerin, por edhe për t’i treguar fqinjit jugor se tashmë Shqipëria nuk është një zgjatim i Epirit, por një shtet që Greqia duhet ta llogarisë si partner të barabartë.
Lodhet kot. Greqisë i është mbyllur dera në Shqipëri nga shtete më të fuqishme se ajo. Do ju thuhet se ndërhyrja në Shqipëri është shkëndia, kurse zjarri do ju bjerë në Egje. Kot lodhen, sa do acarojnë aleatët garantues të shtetit të Greqisë dhe sponsorët e borxhit të tyre e do ju ritet kamata.
PërgjigjuPo mire , ju Dritan mendoni apo supozoni se kete pune e ka Rama ne dore, kur ai hapur tha se eshte ceshtje e drejtesis. Pra nuk ka drejtesi te pavarur edhe pas reformes ne drejtesi.Po pse u be gjithe kjo reforme ne drejtesi qe ta kap perseri politika. Nqs eshte keshtu , reforma ne drejtesi dhe SPAK eshte zhgenjimi me i madh ne histori
PërgjigjuDritan ke shumë të drejtë,por Çeços i duhet dhe BIÇAKU që imungon se në 1997 u shkatërua .
Përgjigju