Pse të miturit përfshihen në dhunë? Mësuesja: Situatë alarmante, duhet punuar më shumë me shëndetin mendor! Avokati: Futen në rrjedhë krimi prej nënvlerësimit

Pse të miturit përfshihen në dhunë dhe krime? Kjo ishte tema që u diskutua në Report Tv në emisionin ‘Sot, live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë kur 20-vjeçari Stiven Toshkesi u plagos për vdekje me thikë nga dy të rinj.

Të ftuar ishin mësuesja Luiza Nezha, avokati Kondi Ilia dhe përfaqësuesi i CRCA/ECPAT Klaudio Pulaha që treguan problematikat të cilat çojnë të rinjtë drejt rrugës së krimit.

Mësuesja Nezha tha se shifra është alarmante duke qenë se është rritur numri i të miturve të dënuar. Nga 120 që ishin në vitin 2021, shifra ka arritur në 1471 në vitin 2022. Mësuesja u shpreh se në shkolla punojnë shumë me fëmijët por duhet rritur bashkëpunimi me familjen. Po ashtu sugjeron që të punohet më shumë me shëndetin mendor pasi ka raste që psikologet nuk janë në shkolla.

“Evidentohen rastet dhe punohet fuqishëm por jetojmë në shoqëri të dhunshme ku fëmija duhet t’i mbijetojë dhe trysnisë së grupit. Nëse nuk është si ‘cubat’ mund të bullizohet. Puna në shkollë është shumë e madhe. Pavarësisht se rastet e dhunës apo sjelljet devijante janë në institucionet e arsimit të ulët apo të lartë, stafi bën të pamundurën për t’i minimizuar. Askush nuk bën indiferentin për ta bërë shkollën të sigurt, qoftë prindërit e fëmijët. Ne punojmë shumë me nxënësin por futja në shkollë e mjekëve do të ndihmonte shumë. Ne punojmë me shëndetin fizik por jo aq shumë me shëndetin mendor. Duhet të rritet bashkëpunimi mes familjes dhe shkollës”, tha Nezha.

Ndërsa avokati Kondi Ilia u shpreh se veprat penale më të shumta të kryera nga të rinjtë janë vjedhja, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe trafikimi i drogës. Vjedhja thotë se vjen prej nënvlerësimit në shoqëri, mosrespektimi i sinjalistikave vjen pasi marrin patentat në moshë të re dhe duan të ecin me shpejtësi.

“Nga rastet që unë kam trajtuar, i kam ndjekur dhe përfaqësuar në gjykime, shkaqet që përfundojnë në krime janë nga më të shumtat. Dihet që shkaqet e vjedhjes janë përfitimet e pasurisë në mënyrë të shkurtër dhe duke rritur të ardhurat e tua. Të miturit futen në rrjedhën e krimit edhe prej nënvlerësimit prej kulturës së tyre të çelur. Mund të themi që familja është baza e formimit të çdo personi, aty formohet personaliteti, shoqëria e shkaqe të tjera që mund të jenë nga më të ndryshmet. Vjedhja, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, trafikimi i lëndëve narkotike”, tha Ilia.

Ndërsa përfaqësuesi i CRCA/ECPAT Klaudio Pulaha tha se jemi të gjithë faktor për sjelljen e dhunshme të fëmijëve por familja duhet të punojë më shumë dhe kohën e lirë t’ia dedikojë atyre jo rrjeteve sociale.

“Jemi të gjithë fajtorë për sjeljen e dhunshme. Mënyra si sillemi me fëmijët, kur rriten në ambiente të dhunshme, këtë e tejçojnë edhe në bashkëveprimin me bashkëmoshatarët. Ndonëse mund të ketë kohë të vogël prej angazhimeve të punës më tepër se sa duhet se është edhe mbijetesa, prindërit t’i japin më shumë vëmendje. Prindërit vrapojnë por kohën që e kalojnë m fëmijët ta kenë sa më cilësore, jo në rrjete sociale. Shkolla është institucioni kryesor sa i përket formësimit por mësuesit bëjnë një punë për t’u vlerësuar por nga ana tjetër fokusohen më shumë tek rezultatet se te qendra komunitare. Në shumë raste s’janë mjaftueshëm funksionale. Punonjësit social dhe psikologët në shkolla duhet të punojnë më tepër, por po e kthej gishtin nga vetja, duhet të jemi më vigjilent për rastet e identifikimit. Fëmijët që bullizojnë në shkallë të mos shkojnë deri te një vepër penale”, tha Pulaha.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Linda: 20/04/2023 06:01

    Per shendetin mendor ka nevoj te shkoj te vizitohet vete mesuesja.Nuk jane femijet te semure mendore po kushtet sociale dhe politike jane shume te veshtira dhe detyrimisht reagimi eshte ekstrem.Te gjithe duhet te bashkpunojn e te gjehen zgjidhje sa me praktike per te miren e te gjithe femijeve.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

AMF mbledh sektorin financiar për festat dhe cakton prioritetet! Kaçi: Zbatim me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut dhe besueshmëri në treg

AMF mbledh sektorin financiar për festat dhe cakton prioritetet! Kaçi: Zbatim me transparencë i rregullores së faktorëve të riskut dhe besueshmëri në treg