TVSH-ja për jahtet, prokurimet e turizmi, PS-ja rrëzon 3 dekrete të Metës! Vettingu në polici shtyhet pa afat, çështja Hajdari të enjten tjetër

TVSH-ja për jahtet, prokurimet e turizmi, PS-ja rrëzon 3 dekrete të Metës! Vettingu në polici shtyhet pa afat, çështja Hajdari të enjten tjetër

TIRANE-Kuvendi ka rrëzuar në fund të seancës së sotme plenare tre dekrete të Presidentit Ilir Meta. Konkretisht shumica socialiste rrëzoi dekretet për kthimin e ligjit për aktivitetet e turizmit detar, heqjen e TVSH-së për jahtet dhe për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Në ligjin që miratoi shumica në 14 maj dhe që e ktheu Presidenti në fillim të qershorit specifikohej se do të përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar “Importimi i jahteve dhe mjeteve të tjera ujore, që përdoren për qëllime turistike, kënaqësie dhe argëtimi, jo më të vjetra se 20 vjet, që përfshihen në kodin 8903, të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave”.

Por për presidentin, Ilir Meta ky ligj nuk ishte në harmoni me nevojat emergjente të vendit, si dhe me parashikimet e Institucioneve Financiare, të cilat raportojnë për përkeqësimin e situatës ekonomike në vendin tonë. Por këto dhe argumente të tjera, shumica i rrëzoi me me 83 vota kundër, 16 pro dhe 7 abstenime. Dekreti i dytë që rrëzoi shumica socialiste ishte për aktivitetin e turizmit detar me 84 vota kundër, 17 pro dhe 5 abstenim. Kreu i shtetit kur ktheu ligjin renditi disa arsye duke filluar nga gjobat, që certifikimi të mos bëhet nga ministri për subjektet dhe që ligji kishte terma që nuk ishin në gjuhën shqipe. Por shumica edhe këtë e rrëzoi.

Dekreti i tretë që u rrëzua lidhet me prokurimet në fushën e mbrojtjes me 81 vota kundër, 17 pro dhe 8 abstenime. Sipas Presidentit, ky ligj që ka në thelb procedurën për furnizimin me pajisje ushtarake, të klasifikuara, mallra apo shërbime cenon parimet e rëndësishme kushtetuese. Meta vijon më tej duke theksuar se ky ligj shmang procedurat e hapura për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe ul ndjeshëm mundësia e biznesit vendas për pjesëmarrje, por edhe këto pretendime socialistët i rrëzuan.

Seanca miratoi edhe projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”. Ky projektligj që u miratua sot shtyn pa afat veprimtarinë e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit (vettingu) në policinë e shtetit, gardë dhe SHÇBA. Qershori duhej të përmbyllte vettingun për 300 gradat madhore në polici, por COVID-i e bllokoi duke e tejkaluar afatin, ndërsa tashmë shtyhet pa afat. 

Sot kaloi në Kuvend edhe akti normativ i miratuar në muajin maj për distancën në studiot televizive për shkak të COVID-it. Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se një person në studio nëse nuk respektojnë distancën e sigurisë prej 2 metrash nga njeri-tjetri mes të ftuarve, dënohen me gjobë  një milionë lekë dhe në rast përsëritjeje, iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi. Gjithashtu në aktin normativ është i përcaktuar edhe penalizimi për kompanitë që nuk aplikuan për pagën e punonjësve, që do të gjobiten me 50 mijë lekë për cdo punonjës.

Gjithashtu në seancën e sotme plenare, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi miratoi katër projektrezoluta: lidhur me raportet e veprimtarisë vjetore të dy institucioneve të pavarura përgjatë vitit 2019, të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, si edhe projektrezolutën lidhur me raportin e Këshillit të Ministrave për ecurinë e procesit të integrimit për vitin 2019 dhe projektrezolutën “Për vlerësimin e punës së grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve” për vitin 2019 dhe për Planin e Veprimit për vitin 2020”. Ndërkohë që kërkesa e Grupit Parlamentar Demokrat për zëvendësimin e Rudina Hajdarit me Myslim Murrizin në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore është shtyrë për në seancën tjetër.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja