TIRANE- Maturantët të cilët do të vazhdojnë studimet e larta në universitete pas dhënies së provimeve me zgjedhje, duhet të japin edhe dy provimet me detyrim. Por, përpara se të kalojnë në këtë fazë ata duhet të plotësojnë Formularin A2 në të cilin duhet të rendisin 10 preferencat e tyre dhe në bazë të pikëve që do të grumbullojnë, do të fitojnë një të drejtë studimi. Sipas Guidës së Maturës Shtetërore të publikuar dje nga Ministria e Arsimit, ky formular do të plotësohet online. “Për të fituar të drejtën e studimit në institucionet e Arsimit të Lartë, çdo maturant që kërkon të vazhdojë studimet e larta, duhet të plotësojë formularin A2, online, sipas një kalendari dhe udhëzimeve përkatëse që do të publikohen në faqen zyrtare të MAS. Çdo maturant ka të drejtë të përzgjedhë jo më shumë se 10 programe studimi” thuhet në Guidën e Maturës. Po në këtë dokument është publikuar edhe formula e cila do të bëjë llogaritjen e pikëve.

Sipas dokumentit zyrtar në formulë janë përfshirë një sërë komponentësh si M, D1,D2, Z1 dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme të lartë, vlerësimet në lëndët e detyruara
"Letërsi dhe Gjuhë Shqipe" dhe Matematikë" dhe në ato me zgjedhje. K, F1 dhe F2, përkatësisht janë koeficienti i shkollës dhe koeficientet e lëndëve me zgjedhje të propozuar nga institucionet e Arsimit të Lartë Publik. Llogaritja e shumës “S”  të pikëve të maturantëve të cilët kanë rezultuar kalues në provimet me detyrim dhe me zgjedhje, behët me formulën: S={[26*M+20*(D1+D2)]*K+17*(Z1*F1+Z2*F2)}*S.
 
Provimet
Guida e maturës ka parashikuar të gjitha rregullat që duhet të ndiqen për provimet si ato me detyrim, ashtu edhe për ato me zgjedhje. Sipas dokumentit të gjitha provimet do të fillojnë në orën 10:00. Provimet e detyruara zgjasin 2 orë e 30 minuta secila, kurse provimet me zgjedhje zgjasin 4 orë. Maturantët që do të japin provim të Maturës Shtetërore njërën nga lëndët me zgjedhje, do të fillojnë provim në orën 10:00 dhe do ta përfundojnë atë në orën 12:00. “Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 do të jenë me përgjigje alternative, që vlerësohen me 1 pikë secila (13 pikë gjithsej) dhe 12 pyetje me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë.

Testi  vlerësohet maksimalisht me 50 pikë” thuhet në përmbajtjen e guidës së maturës. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative, dhe 10 pyetje me zhvillim të cilat vlerësohen me 30 pikë. Testi vlerësohet maksimalisht me 40 pikë. Sipas procedurës së përcaktuar, çdo maturant ka të drejtën e tërheqjes së një kopjeje të provimeve, por ato nuk do të rishikohen dhe nuk do të ketë rivlerësim note. Pra, pavarësisht pretendimeve të maturantëve nota do të jetë e pandryshuar. 

Shkrimi u publikua sot 3 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)