Situata në sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë do të vazhdojë të jetë problematike, përderisa në gjykatat e vendit tolerohen shkelje teknike, thuhet në raportin vjetor të monitorimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, të publikuar sot nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova.
Raporti i gjashtë vjetor i monitorimit përfshin të gjeturat faktike në 26 gjykata të vendit nga më shumë se 500 seanca gjyqësore të mbajtura gjatë vitit 2014 në gjykatat Themelore, Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme.
Mes të tjerash, raporti rekomandon që prokurorët të familjarizohen më shumë me lëndët të cilat i përfaqësojnë, që të rritet numri i gjyqtarëve si dhe që EULEX t'i angazhojë më shumë prokurorët vendorë në rastet të cilat janë në duar të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Drejtoresha Ekzekutive e BIRN, Jeta Xharra, gjatë prezantimit të raportit tha se janë rreth 10.000 seanca të monitoruara nga BIRN dhe Internews Kosova gjatë gjashtë viteve të fundit.
"Kemi pasur një ambient shumë jomiqësor kur e kemi filluar procesin e monitorimit të seancave gjyqësore gjashtë vjet më parë. Sot ky mjedis ka ndryshuar dhe gjyqtarët e prokurorët janë më hapur për të bashkëpunuar", tha Xharra.
"Zërat kritikë janë mjete qenësore për ta parë realitetin ndërsa raportet e monitorimit kanë dëshmuar të jenë mjet i rëndësishëm për përmirësimin e situatës", tha shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.
"Ky raport krijon një moment të ri për vlerësimin e punës së gjykatave. Rekomandimet nga ky raport do t'i marrim seriozisht dhe do të punojmë në adresimin e tyre", tha ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi gjatë prezantimit të raportit të monitorimit.
Ndërsa Drejtori i Internews Kosova, Faik Ispahiu, përmendi rekomandimet e raportit drejtuar institucioneve të drejtësisë se si t'i adresojnë të metat e evidentuara gjatë viteve.
Raporti i Monitorimit është mbështetur nga Bashkimi Evropian si pjesë e projektit për fuqizimin e shoqërisë civile në mbikëqyrjen e sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë dhe synon të kontribuojë në reformën demokratike të Kosovës përmes përmirësimit të transparencës dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë./atsh/