Dhjetëra punonjës të kompanisë së sigurisë të Bankers Petroleum, “SHPSF Serjani”, janë ngritur në protestë paraditen e sotme, duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën e tyre ekonomike. Sipas protestuesve, prej 7 muajsh ata nuk kanë marrë pagat, duke e kthyer përditshmërinë e rreth 120 punonjësve aktualë në një betejë të vështirë për mbijetesë.
Punonjësit shprehen se kompania ka pasur më parë rreth 380 të punësuar, por përgjatë muajve të fundit janë kryer shkurtime të vazhdueshme, ndërsa ata që kanë mbetur ende në punë po përballen me vonesa të gjata pagash dhe pasiguri totale për të ardhmen. Kjo është protesta e katërt brenda 7 muajve, çka sipas tyre tregon se situata nuk ka marrë asnjë zgjidhje konkrete.
Protestuesit deklarojnë se janë zhytur në borxhe dhe kredi, pasi mungesa e pagave i ka lënë pa mundësi për të përballuar shpenzimet bazë familjare. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga drejtuesit e kompanisë dhe institucionet përgjegjëse, duke theksuar se puna e tyre vazhdon, por pa asnjë garanci financiare.
Ndërkohë, punonjësit pohojnë se gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e kompanisë, të cilët, sipas tyre, i kanë mbajtur vetëm me premtime dhe shpresa të kota, pa dhënë afate apo zgjidhje konkrete për shlyerjen e detyrimeve financiare.
Përballë kësaj situate, protestuesit paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestat paralelisht me punën, deri në momentin kur problematika e tyre të marrë një zgjidhje përfundimtare. Ata theksojnë se kërkesa e tyre është e drejtë dhe legjitime: pagesa e pagave të prapambetura dhe siguri për të ardhmen e punësimit.
Komente












