Kam vendosur që një javë në vit, t'ia dedikoj veten time një dashurie gratis. Prindërve! Këtë vit, ngasja ishte për një ishull shumë pranë kufirit shqiptar, Korfuzit. Të mitë ranë paq për ta bërë këtë udhëtim më makinë. Udhëtimi me makinë është ca më i lodhshëm por të jep mundësinë e soditjes. Zgjodha aksin nacional Tiranë-Tepelenë-Gjirokastër-Sarandë. Me kast, do thoshin bashkëatdhetarët kosovarë. Kahu nga bregu është rrahur tashmë prej vitesh dhe aq më tepër në gusht nuk intrigon dhe aq shumë, (flas për veten). Veç një gjysëm fundjave në Jalë, nuk tentova asnjë udhëtim në ato anë, ku vajzat nuk lahen në det, jo se s'dinë not, a se kanë frikë nga uji i ftohtë, i kristaltë! Guralecët, ato të "mallkuarit" ju prishin pedikyrin shumicës, dhe uji me kripë heq ruzhin në faqe e prish flokët e krehur e të llakosur.

Për të ardhur keq që noti e dielli, dy gjëra për të cilat trupi e mendja kanë nevojë, të paktën në dy javë pushime nuk praktikohen. Një televizion madje këtë verë solli edhe lajmet politike nga Dhërmiu e Drymadhes, ndoshta me leksionin se ky popull nuk i ndahet buzëkuqit të Tiranës. Të them të drejtën nuk pata nerv hiç të shihja barkun e ndonjë politikani që tundet si plënci në duart e kasapit, teksa luan volejboll. Kështu e vendosa të mos i kaloja përbri këtij realiteti që koha vetë do e pastrojë. Qeveri e re, nafak e re! Shprehja e saktë e huazuar, mbetur trashëgimi e "miqve" turk është itë e re, nafak e re". Kushedi, pas stoprrënimit.com duhet të vij një lëvzije për rrënimin e kulturës së të jetuarit të verës, e rritjes së dashurisë për natyrën dhe meqë gjuha më shkoj te kjo e fundit po ju them dy fjalë për Sarandën.


Nëna ime nuk kish qënë kurrë në Sarandë. Ky nuk është turp, por thjesht një rastësi mendova unë gjatë rrugës. Gjatë gjithë rrugës qesha me humorin e dashurisë gratis, dhe ju përshkruaja magjinë me të cilin na ndanin shumë pak kilometra. Hera e fundit që kam qënë në Sarandë, lidhet me zgjedhjet lokale të 2007. Nuk di në ka qenë vetëm largësia, por nuk kisha shkuar kurrë më atje. Pushimet e fundit në Sarandë lidhen me vitin 2004. Atëherë, Saranda ende i ngjante kartolinës tipike, që dikur, ne edhe e dërgonim për Vitin e Ri. Ja më në fund, po zbrisnin qafën e Muzinës dhe Saranda po shfaqej butë-butë në një perëndim gushti.

Të uritur bëmë një ndalesë. Ishte një vend krejt i thjeshtë ku ndoshta edhe nga uria kosi i deles, me pilafin e spërkatur me pak djathë, ishte shija vetë. Gruaja që na shërbeu fliste pak, e shërbentë shumë. Porositëm shumë pak gjëra pasi një darkë të mirë do e shijonim në Sarandë. Ndërkoha bisedat tona u vëritën mes komenteve lavdëruese për kulturën e kësaj anë të Shqipërisë, që xixëllon që me fshatrat tipik të Gjirokastrës, atë heshtjen që e shoqëron udhëtimin, punonjësit e policisë që nuk janë çakmak si në ndonjë aks tjetër. Po ndihesha krenare, e përmbushur dhe po të mos kisha disa batuta të një shakatori si babai im mund edhe të isha përlotur. Vjen kthesa vendimtare, Saranda është brenda vështrimit tonë.

Por ç’të shohësh? Sytë e prindërve të mi u picërruan dhe shikoja buzët e nënës time që mblidheshin, e hera herës goja i mbetej gjysëm e hapur si në mënyrë habitore. Është ai çasti kur përballesh me realitetin. Unë i kisha gënjyer për më shumë së 200 km. I kisha zhdëpur në rrena, i kisha kritikuar se nuk udhëtojnë aq sa duhet, dhe se ishte turp që njëri prej tyre, as që e kish parë në jetën e tij Sarandën. Dhe meqë dola sërish te turpi, mu kujtua një shprehje, në fakt janë dy vargje nga strofa e poetit: "Turp që zotin besova kaq vite, mjerim tani që s’e besoj më".

Saranda nuk ishte me aty. E kishin ngrënë ujqërit në gosti dhelprash. E me siguri disa prej tyre e bëjnë plazhin andej nga Drymadhes, Dhërmiu, Jali, Borshi, etj. Një fantazmë kish ardhur, dhe në pak vite dhe e kish bërë copë-copë kartolinën me të cilën jemi rritur. Do thoni ju, qenke një komuniste e qelbur që nuk beson në zhvillim? Sigurisht që do doja të kish ndryshuar e zhvilluar Saranda. Por më mirë "komuniste" sesa të bëj kompromis me zhdukjen e saj nga dheu. Qyteti është në një buzëmuzg, por dielli që perëndon mund të shihet vetëm nga qafa e Muzinës, pra duhet të marrësh edhe njëherë makinën dhe të ngjitësh malin diku tek 35 minuta për të parë një perëndim! Qyteti është si nëntokë e betonuar.

Shikon betonë (hotele) me yje dhe pa yje, vjen era peshk i skuqur, dëgjon muzike shqiptare (kjo duket nje gjë e mire, ndoshta i vetmi fakt e dëshmi që jam ende në Shqipëri). Nuk e njoh më këtë qytet. I telefonoj mikut tim sarandjot. Ai është ndërtues, nje nga ata të paktët që ka mbijetuar duke i bërë pallatet në Tiranë me profesionalizëm. Nuk e di në e ka karakter apo frikë nga ligji. Por miku që i trembet ligjit është besniku më i sigurt. I tregoj më një ton të përmbajtur, se Saranda nuk duket më. Ai ndërkaq ndodhet në Pragë, dhe përpiqet të evitojë kritikat. Në mbrëmje u endëm nëpër qytetin e ri. Në rrugë dalloja shumë të huaj. Dëshironim të shijonim një picë buzë detit dhe një birrë të ftohtë.

Me pushime njeriu tregohet më zemërgjerë ndaj dietave, ndaj u vumë në kërkim të një restoranti të kësaj natyre. Nuk e di, nëse ishte tersi që na ndoqi në Sarandë, por atje ku kish pica nuk kish vende dhe atje ku kish vende, nuk kish pica. Qyteti kishte më shumë njerëz krahasuar me kapacitetet shërbyese. U përpoqa të mos nevrikosem dhe ndalova të dëgjoj rrugës një grup interesant që i biente fyellit. Ishte një melodi që të përkëdhelte tendinat e gjithë trupit. Oksigjeni ishte i pakët. Dyndje turistësh vendas, të huaj, minoritarë, emigrantë të kthyer pranë familjeve. Kishte shumë, po shumë njerëz në qytetin e fundit bregdetar të vendit dhe në informacionin tim, më të njohurin nga turistët e huaj.

Pasi nuk gjetëm asgjë për të ngrënë, u kthyem në dhomën e hotelit e cila na kushtoi jo pak, 60 euro nata. Në djall paratë, rëndësi kish të flinim mirë meqë picën, birrën e ftohtë dhe detin s’e pa askush. Dhoma në pamje të parë është Yll. Por pamja gjithmonë gënjen. Kondicioneri në dukje punon por dikush i ka bërë një hile që të mos ftoh. Në banjë nuk ka ujë të ngrohtë, por edhe kësaj i gjeta një zgjidhje, dushi i ftohtë tonifikon trupin ndërsa picën e dëshiruar e ktheva në parimin, që dhe të mos hash në darkë është e shëndetshme. Telashet nuk patën të sosur! Në përpjekje për të fikur televizorin i cili gjithashtu ishte i çuditshëm, gjumi ikte dhe vinte. Arritëm t'i ulnim vetëm volumin, por ta fikje ishte sfiduese. Babai im (i njëjti shakator) sugjeroi se e vetmja zgjidhje që na kish mbetur, ishte ta thyenim televizorin.

Nisja për në Korfuz ishte në mezipritje. Në traget kishte shumë pak shqiptarë dhe pjesa dërrmuese ishte një grup i disa të rinjve ku në pasaporta dallova që lexohej Zelanda e Re. O zot, thashë më vete, sa të ngeshëm që janë këta të huajt për të udhëtuar me çanta shpine nga fundi i botës. Bërtisnin shumë dhe nga bisedat e tyre kuptova se pas Korfuzit do të niseshin drejt Francës. Nuk dukeshin të pakënaqur po sikundër flenë jashtë, ata normalisht që nuk kanë për çfarë të ankohen edhe aq. Natyra jonë është një dhuratë e pakompensueshme, dhe këtë do ta mësoja pas kufirit edhe ca më shumë. Mbërritja në Korfuz nuk ishte dehëse, as çliruese. Ishim të rraskapitur nga nata e shkuar dhe para se të niseshim për në resortin e prenotuar, shkuam në qytetin e vjetër për të drekuar.

Njerëz të qeshur që të shërbejnë ato gatimet pak me yndyrë, por të shijshme. Rruga për në hotel është e bukur dhe nuk ka të krahasuar me rrugët e sapobëra në Shqipëri. Këtu, ndihesh më i sigurt kur nget makinën dhe nuk arrij as ta sqaroj veten për këtë. Mund të jetë edhe psikologjike. Darka në hotel ishte hakmarrja më e denjë ndaj urisë së një dite më parë. Hoteli mban atë aromën e diçkaje të vjetër që është një nga manitë e familjes. Domethënë që jemi të ndjeshëm ndaj çdo ere. E vetmja kritikë për të cilën nuk kemi zgjidhje. Tani, jam ulur me një akullore buzë detit i cili nuk ka as gjysmën e bukurisë së Drymadhes. Madje jam në gjendje të dalloj më sy të lirë Ksamilin tonë bukurosh.

Nuk bëj pjesë në fanatikët që thonë se pushimet duhen bërë vetëm në Shqipëri. Çdokush duhet të udhëtojë, edhe për të krijuar diferenca në kokë. Në Shqipëri pushohet edhe me fundjava ndërsa 2 javë në vit, minimumi të kërkojnë një biletë përtej kufirit. Kisha dëgjuar kaq shumë për Korfuzin dhe e pranoj pritshmëria ime ishte e më e lartë, edhe pse këtu të qeshin e të shërbejnë të gjithë sikur të jesh mbret. Po, pavarësisht kësaj, më shoqëron një brengë a inat për Sarandën që e kishin shtypur si hotdogun e një fëmije që po e shoh tani, teksa e kafshon.

Ka diçka të mallëngjyeshme kjo mbrëmje. Diçka që valëzon mes pendesës dhe inatit që gjëra krejt të vogla, si një buzëqeshje, pak ajër i kondicionuar, një picë, një birrë e ftohtë, t’i gjesh atëherë kur të duhen dhe jo po rastise të kesh fat. Nesër them të vizitoj muzeun e Akilit dhe një fshat që thonë, nga maja e të cilit e sheh Korfuzin në pëllëmbë të dorës. Nuk e di, sesi do bitisen këto pushime, dhe si do ja bëj që të harroj erën e vjetër të hotelit, apo të përshtatem mbrëmjeve me këngë e kllounë që argëtojnë fëmijët. Unë e kam zgjidhur që do marr makinën e do udhëtoj, por jua lexoj në sy prindërve që pavarësisht shërbimit të mirë, zemra ju qan për Shqipërinë.

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 22.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)