A e kuptojmë vallë çfarë po bëjmë?
Më saktë, a e kuptojmë çfarë po bëjnë?
Ka disa koincidenca, që i krijon vetë Universi, e na hapin sytë, që të kuptojmë çfarë po bëjnë e çfarë po bëjmë…
Ja se si:
Dje, në 15 mars, në Gërdec u përplasën dy palë: Ndërsa nga fshati vinin në të zeza nënat dhe familjarët e 26 të vrarëve në vitin 2008, këtej nga rruga nacionale shkonte drejt fshatit një ekip politik për zgjedhjet e 25 prillit. Mediat online shkruan se edhe partia Republikane e Mehdiut kishte marrë rrugën për vota në Gërdec.
Kryetari i Republikanëve atë ditë të llahtarshme, mars 2008, kishte qenë ministër i Mbrojtjes- përgjegjësi kryesor i shtetit për 26 viktima dhe për 300 e ca të plagosur. Po të mos ishte shkrumbuar jeta e 26 njerëzve brenda një sekonde, ministri nuk do të ishte kurrë më as ministër as deputet. Por meqë ata nuk janë, ky e këta janë. Universi i politikës së vendit vuri në balancën e djallit: O do të shuheshin njerëzit e pafajshëm dhe të rronte qeveria që i vrau, o do të rronin ata e të shuhej qeveria.
Kjo është përplasja më spektakolare e Drejtësisë me Padrejtësinë. Padrejtësinë tani e kemi herë si kotele, herë si mbretëreshë, herë si qen që ruan te dera. Gjatë viteve pas komunizmit, që iu vumë emrin më të pakuptueshëm ‘demokraci’, që atëherë janë ngritur dy gjykata Speciale; dhe, sa herë duan- shtrohet pushtimi.
Në Nuremberg, pas Luftës së Dytë Botërore, gjyqi special nuk u ngrit kundër pushtimit të Gjermanisë, por kundër nazizmit gjerman pushtues. As në Sierra Leone, viti 2000, Gjykata Speciale nuk gjykonte pushtues. As në Srebrenicë, as në Kosovë- gjykata Speciale nuk gjykon pushtues. As në Tiranë, në vitin 1945, Gjykata Speciale nuk u ngrit kundër pushtuesve.
Po sot, këtu, mes nesh si miq të Gjermanisë, si kufitarë e vëllezër të Kosovës dhe shumë larg nga Sierra Leone, çfarë është çfarë?
Gjykata e dytë Speciale:
Ngrehina e saj ka nisur në vitin 2015 dhe do të përfundojë në vitin 2022. Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe qeveria shqiptare- si punëtorët e saj, nuk e kanë quajtur kurrë me këtë emër Reformën në Drejtësi, por në fakt roli i saj do të jetë ‘Special’. Në gjyq nuk do të thërritet pushtuesi, por do të thërriten viktimat e Gjykatës së Parë Speciale.
Ndoshta pohimi se do të thërriten ‘viktima‘ e gjykatës së parë’ mund të krijojë pak hutim; por është pikërisht kështu. Autorët e Gjyqit të Parë Special, 1993, guxuan. Ashtu siç guxuan partizanët çlirimtarë që të ndërtojnë diktaturën për shkak të guximit që u dha Gjyqi Special në kinema Republika. Në vitin 1993, qeveria e ardhur ‘nga mali’ thërriti militantë dhe familjarë e iu dha gradën ‘gjykatës e prokurorë’. Me ta bëri mashën për të burgosur kryetarin e opozitës, gazetarët, priftërinjtë, minoritarët, prokurorët dhe gjykatës.
Sa kohë nuk kishin telefona celularë, prokurorët e Gjykatës së parë mbanin te koka e krevatit një bilbil; sa herë frynte bilbili nga kreu i shtetit, ata shtrinin dorën e arrestonin, ose mbulonin vrasje të tmerrshme, ose shantazhonin me bomba. Gjykata e parë Speciale e quajtur ‘e Plepave’ u bë garanci për padrejtësitë e mëdha me pronat, për korrupsionin shtetëror, për eliminimin e barazisë para ligjit…
Hartuesit e Gjyqit të Parë mund të quhen viktima të Gjykatës së parë Speciale. Ata po presin te dera e Gjykatës së Dytë. Reforma në Drejtësi po sjell Drejtësinë e Re, e cila dashur pa dashur, duhet të sillet si ‘Speciale’ për të vënë në vend drejtësinë e ‘speciale’.
Gjykata e Parë Speciale:
Në kronikat e kohës shkruhet: ‘Pjesëmarrësit në kurs janë trajtuar me ushqim dhe fjetje falas, ndërsa atyre që shkëputeshin nga puna u jepej paga. Kursi, bazuar në vendimin e qeverisë është bërë në Shtëpinë e Pushimit në Durrës’ dhe prandaj quhet Juridiku i Plepave. Në shkollë hynë 1216 militantë, që për 6 muaj dolën juristë dhe pushtuan Gjykatat.
Pas 25 vjet kur nisi Reforma në Drejtësi, duken gjyqtarët e Plepave që i kanë vënë flakën Drejtësisë. Sipas statistikave nga numri i dosjeve në gjykata, afërsisht çdo shtetas ndodhet në tre konflikte gjyqësore. Prej 6 vjetësh, që nga viti 2015, Reforma në Drejtësi ka përdorur lavatriçet më të fuqishme të ‘zhavorrit’, por nuk ka mundur të lajë gjykatësit e vendit deri në pikën që të gjejë aq gjykatës ose prokurorë të pa ndotur prej Gjykatës së Parë. Gjykatësit e
Parë mbrojtjen fajtorët e Gërdecit dhe akuzuan viktimat; mbrojtën qeverinë që sulmoi me armë kundër popullit në vitin 1997, autorët e vrasjes së Remzi Hoxhës, Kosta Trebickës, Shkëlqim e Halil Haklaj, etj. Gjykata e Parë Speciale u dha të drejtë liderëve që të lanin para, të mblidhnin para, të ndërtonin pallate, të përvetësonin toka…, mu në sy të vdekatarëve të tjerë…
Askush prej këtyre nuk ishte pushtues, përsëri si në Specialet e tjera.
Po pushtimi?
Pushtimin po e kërkojnë tani. Zgjedhjet politike të 25 prillit po i konsiderojnë ‘referendum’, ose pushtim. Në krye qëndron presidenti i Republikës- një viktimë e Gjykatës së Parë. Specialja e Parë e mori në qafë që nuk e dënoi që në atë krim ku u kap. Po të ishte dënuar atëherë, tani do të ishte i qetë në punë të tij. Por tani është i pushtuar nga mëkati më i madh. Ndërkohë ushtria e militantëve po bëjnë thirrje për ‘përmbysje’, për ‘të tërhequr zvarrë’ cilindo që del përpara, fillimisht kryeministrin…
Gjykata e Tretë Speciale mund t’i gjykojë për tentativë pushtimi.
Haka do shkoj te i zoti ne te semes do shkjone Meta Berisha Mediu Basha & CO
Përgjigju